Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“UN MORT” i ARBEN KALLAMATES ( Letersia, Historia, thrilleri…befasia e koloriti, te gjitha…ne nje liber)

Arben_Kallamata_Un_Mort1

Ylli Pango

Pak intrigë: E gjitha ze fill me një ngasje të vogël…dikush fillon tu tregojë një ngjarje jo më pak intriguese se ajo e krizës së raketave të Kubës. Të asaj që desh u kthye në luftë botërore të mos qe Kenedy e pragu që i vuri ai Hrushovit…. Por kësaj rradhe ngjarja zhvillohet në Shqipëri.
Shpalosen përpara syve personazhe e figura historike që nga ato fiction e deri në historike si Smaili, Meklini, Xhulian Emeri, Hrushovi, Mao, Ten Hsiao Pini, kinezët e Radio Tiranës, ky zë që aso kohe i çante daullen e veshit botës,…si altoparlant i Kinës së madhe,… teknikët e saj të vegjël fshehur koridoreve(një minitemë tjetër e vogël e bukur kjo për aparatin e propagandës së Partisë aso kohe), jugosllavët, vetë Enveri kësaj rradhe smadhuar deri në nishane nën një lupë të hollë: si pokerist diabolic politik, UN MORT-I, personazhi i munguar a i gllabëruar gjithnjë nga Enveri në katërshen e pokerit të rradhës, …serbët…Mehmeti, Beqiri, …Dulet e Sillot, tufa e bashkëpunëtorëve të tij, ata që u hëngrën e ata me fat që ndrruan jetë në shtrat shtëpie… grupet marksiste leniniste që na mbushnin me “krenari”, aso kohe, tek sic na thonin në tribuna kongresesh, na shihnin si fanar ndricues i botës, spiunazhi rrjedhur soje…Të gjitha këto mbështjellë me mjeshtëri pene, në një lëvozhgë thrilleri, e kurioziteti historik. Tabllo aq reale e njëherazi groteske, dhënë edhe me një origjinalitet gjinish, miksazh i letërsisë me romanin historik, fiction e realitet, thriller politik, spiunazh, e suspans.
Ja dhe vende të mëdha e ngjarje të mëdha të asaj kohe…Kanadaja e largët ku Përroi i Kastorit bëhet vendburim për agjentura të mëdha(rrjete spiunësh) …Kina e madhe…skena nga jeta kineze e fund-Maos e ajo e rilindjes së Tenit
Lëvizja botërore marksiste ndërkombëtare e paratë e mjera te shqiptareve për ta. Grotesku i saj e imitimi nga Enveri i Maos, Stalinit si udhëheqës i lëvizjes m-l ndërkombëtare(asaj të “vërtetës”)…e i megallomanisë që na kujton dikë sot…e rolin në botë të dhisë së zgjebur pa bisht fare…
…Një libër që ka aq shumë brenda, në aq pak faqe. Pak mbi 200. I drejtpërdrejtë e me personazhe që nuk i kemi harruar por që na rivinë në një dritë tjetër origjinale. Beni na “çmall” me ca e ca, që vërtet nuk na merr malli, por që duhet t’i rikujtojmë se na vinë e rivinë në jetët tona pa rreshtur në forma të tjera….
Na i kthen në film me ngjyra, kur i shohim ashtu të “kallangjosur” tek ai i ul në tryezë të pokerit politik e atij real, ndërfutur aq artistikisht. Shohim Enverin, Nexhmijen, Sillon, “Sulot”, profesorë e të tjerë personazhe. Por jo siç na i kanë dhënë aq zbehtë ca e ca, që vetëm shkrimtarë nuk janë, në libra buruar nga a të ngjashëm me Dokumenta partie të PPSH. Libra nga ku keta lugeter personazhe kanë dalë lakuriq e ku sërish janë rifutur a më mirë rikallur… Në të kundërt, Ben Kallamata i merr e i zbërthen në gjithë groteskun e tyre si figura historike e diabolike, qesharake e njëherazi megallomane. Na i bën të gjallë, na i jep me ta detaje të pasura e për t’i parë siç kanë qenë, edhe në banalitetin e së përditshmes e siç edhe janë pasardhës të tyre sot. Dardha nën dardhë bie.
Meqë ra fjala nuk është e lehtë të ndërthurësh historiken me fiction e të bësh një libër si “Un Mort” i Arben Kallamatës. Libër që të të bëjë të kthehesh sikur i jeton përsëri, në ato kohra. Është një libër që ka brenda veç këtyre edhe thrillerin politik, edhe figurat historike, ato tonat e ato të superfuqive(udhëheqjen kineze). Edhe ca liderë europianë, po edhe xhuxhmaxhuxhërinë e udhëheqjes tone, tentuar për grandomani, që të kujton dikë sot e që të bën të mendosh me trishtim se historia përsëritet e se në vend që të bëhemi, tentojmë veç të fryhemi si Bretkosa e La Fontaine që desh të bëhej sa një ka. Një Enver që e dëshiron një krizë raketash të ngjashme me atë të Kubës. Që aq dëshiron t’ja sjellë Kina këtu, sa desh digjet. Që të ndjehet i madh. Pa marrë parasysh se ç’mund t’i bëjë kjo këtij populli që dele se dele mbeti. (more sikur na kujton dikë si personazh e si ngjarje kjo, dikë të kohëve të reja)… …Janë ca raketa që edhe kur prapsen për andej nga janë nisur, për Kinë, sërish i vringëllojnë në tru të njerëzisë që të ushqejnë lajmin e rremë. Për t’i kallur datën botës. Një bote që ndonëse me mend në kokë, edhe nga e keqja e se me të drejtë do t’i paraprijë çdo çmendurie, rreket të nxjerrë nga lumi një gur të hedhur në lumë nga një nëmos budalla, megalloman i rrezikshëm e shokngrënës i pashoq, një pokerist aventurier e gjakatar që luan gjithnjë me një vend bosh në tryezën katërshe të pokerit. Alegori a metaforë aq e gjetur e asgjësimit të njëpasnjëshëm të miqve e shokëve të luftës e punës nga një diktator sa primitiv aq edhe barbar.
Po e gjitha nuk do të të mbante aq peshë, po mos të “ndërkallej” nga Kallamata, edhe me mjeshtërinë e një autori romanesh policeskë(veç të tjerash) të një filli spiunazhi aq bukur e befasishëm thurur e që rrekemi e më kot presim ta kapim. Nuk është kollaj se është një fill që “ze fill” që nga malet e Shqipërisë në ato kohra lufte, e duke u hedhur si filispanjë për të zënë “peshkun e madh” të bllofit deri në Kanadanë e largët, në qytetin vogël, Përroi i Kastorit, ku marksistë-leninistja e Hardial Bainsit na del edhe gjysëm shqiptare, e rekrutuar agjente, sigurisht në shërbim të “imperializmit” ndërkombetar.
Mua veç të tjerash ky libër i arrirë i Arben Kallamatës, më krren edhe një mall të veçantë, Kur mora ta këndoj, pata ngasje edhe për këtë. Për një arësye të së shkuarës.
Isha ende në atë moshën e fëminisë së hershme në “Zog të Zi”. Atëhere kur me Maks Blushin(Koninin) “hanim” libra e ëndërronim t’i binim botës anekënd. Cdo gjë që na binte në dorë ja kalonim njeri tjetrit e kështu do të kish ndodhur edhe me “Bijtë e Shqipes” të Julian Amery-it, një botim i përkthyer në shqip dikur në vitet e para të pasluftës, me ca fletë letre të keqe, tip dispense, gjetur diku harruar, në sirtarin e raftit të tim eti. Kisha nisur ta “ngjëroj” në qejf tem, e duke menduar si do e priste shoku im i ngushtë Maksi, kur t’ja jepja. Kur ma pikas im atë e ma rrëmben nga dora. E ndonëse e njihte mirë etjen time për libra, më kthehet: “Këtë libër më mirë mos e lexo…Nuk bën për ty…” Nuk merrja vesh aso kohe nga ç’thuhej e bëhej në “politikëra”, e u habita. Në të vërtetë brenda librit na ishte edhe Bazi i Canes(Abaz Kupit), cilësuar si burrë malesh nga autori i librit e tradhëtar nga partia(më vonë e mora vesh). Ishin edhe udhëtimet e anglezit Julian Amery nëpër malet e Shqipërisë si oficer ndërlidhës i Foreign Office anglez me lëvizjen e partizanëve të Hoxhës bukëshkalë që më vonë e bëri hasha gjithë ndihmën e aleatëve. Aty ishte edhe vlerësimi i Amery-t për mbretin Zog të cilin më pas e bëri mik të ngushtë, si “burri më i zgjuar që kish njohur”. Ishte po ky Amery personalitet, më vonë anëtar i partisë konservatore angleze, sekretar shteti, minister në qeveri konservatore angleze, shkrimtar…. Kaluan vite. Libri humbi diku nëpër sirtare librash të vjetër, dhe u desh Ben Kallamata të më ngjallë kujtime të së shkuarës e të kisha një shkak a një nxitje më shumë të lexoj librin e tij të fundit “Un Mort”. Për të rinjohur a njohur më mirë Julian Amery, këtë mik të madh të shqiptarëve, personazh historik, ndërfutur edhe ky në librin e Benit, në një rol simpatik të skalitur, mbresëlënës…
…Libri ka kaq shumë ngjarje e është aq i ngjeshur(mos u trembni, është e gjitha lëndë e jo thjesht fjalë, do të thoshte imzot Noli), saqë nuk lëshohet dot nga dora. Po unë nuk marr përsipër të rikallzoj se nuk do të mundja t’i rendisja aq bukur e të ju a risillja me aq saktësi ndër mendje gjithë shokët marksistë lenininistë sharlatanë. Brezi ynë i mban mend mire. Që nga brazilianin me flokë të bardhë të valëvitur Xhoao Amazona, të currufjepsurin Fosko Dinuçi fqinjin tonë pe Italie, Hardial Bainsin e Kanadasë dy metra i gjatë, që zinte podiumet e kongreseve me Enver Hoxhën e sa e sa sharlatanë gjoja marksistë leninistë ane kënd botës që i ushqente qyl me paratë e shqiptarëve të varfër megalomania e Enver Hoxhës. Po sidomos Hardiali i Kanadasë, vendit ku dhe u thur intriga finale për “shpëtimin e botës” e për të zbuluar bllofin e Enver Hoxhës, e fandaksinë e Maos për të na bërë një pisqollë rajonale kundër imperializmit. Pisqollë që Ten Hsiao Pini e kish kthyer …. …Një galeri e tërë figurash të mëdha e të vogla e të mëdha politike, nxjerrë nga arkivat e kohës, myku i harresës e pse jo edhe injoranca a mungesa e njohjes. Gjë me vlerë kjo për të na rikujtuar se aventurierët, megallomanët, gjakatarët bashkë, janë ende gjallë ndër ne e mishëruar në kufoma të tyre të gjalla e rrezikojnë gjithnjë popujt
Skena thriller…Larmi personazhesh…Ngjarjesh…Tension
Dhe të gjitha në 200 e ca faqe.
Të gjitha ngjeshur e kombinuar aq bukur sa që nuk të lënë ta lëshosh nga dora.
… E po unë nuk do u a rrëfej të gjitha…merrni librin se as nuk shkruhen e as nuk gjenden kollaj libra të tillë. E Arben Kallamata nuk e ka vetëm për ndoca miq e të njohur këtë libër. E ka për të gjithë që e duan letërsinë, që duan të njohin historinë, që ngjethen nga rrëfenja me spiunë realë e ngjarje të mëdha që nuk harrohen…Ka nga të tëra e për të gjithë…

Related Posts

Leave a comment