Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Njeriu i vitit, halli i vitit, kënga e vitit!

29527108_10212308293088000_930325158_o-1

(Prognozat e një urimi)

Natasha Lako

Një shfaqje e bukur, nga më të shëndetshmet, ka mbyllur prej disa kohësh siparin e vitit 2022.
Ishte shfaqja e një galerie njerëzore, në periferitë më të skajshme të shoqërise shqiptare. Por që piktori Gazmend Leka, si asnjëherë tjetër e ve në epiqendër, të bashkuar nën titullin e romanit “Dhe yjet rrijnë e vështrojnë” të Arçibalt Kronin.
Titulli që i takon kaq paskajshmërisht, një prej librave më të lexuar që i ka dhënë një farë kuptimi brezit të formuar rreth viteve 70 të shekullit të kaluar dhe që piktori Gazmend Leka e krijon si reference të re, në përpunim të ri të një shekulli që po krijon fytyrën dhe varfëria e njerëzve të braktisur vendoset si një pararojë e re, aq pohuese është ekzistenca e tyre e flakur jashtë pompozave të sotme.
Dhe kjo të kujton se gjithnjë referencat mbeten të dashura kur miklojnë njeriun në miqësi të vazhdueshme, nga brezi në brez, si ka bërë fjala vjen edhe regjisori i filmit “La la Land’, kur si kalimthi dhe si rastësisht, i ve personazhet e tij të kalojnë pranë posterit të filmit ”Lamtumirë arme” të bazuar në një vepër të Hemiguejit.
Por referencat e Gazmend Lekës bëhen edhe më të drejtpërdrejta, me kryeveprat e ikonografisë shqiptare dhe aureolën e shenjtërimit që në këtë përpunim shekulli, autori e vendos pothuaj në të gjithë tablotë e ciklit aq sa nuk mund të dihet nëse janë shenjorët e djeshëm të kthyer ne lypsarë, apo janë kthyer njerëzit e vuajtjeve të sotme në shenjtorë të rinj.
E sigurt është se mes zhurmës dhe gjallërise tiranase janë ata që së bashku sikur sapo kanë krijuar një çetë të re.
Dhe nga një tablo në një tablo, lind një kompozim i përbashkët që me plotësi dramatike përqëndrohet nëpër silueta trupi, ku rrallë i jepet rëndësi fytyrës, ose leximit te saj, si për të mos identifikuar vuajtjen. Dhe ky identifikim bëhet jashtëzakonisht i lëvizshëm, por njëkohësisht tejet i përcaktuar. Mund të quhen së bashku një thesar artistik prej atyre që nisen si flotilje nëpër galeri të së gjithë botës. Madje në këto kohëra të turbullta mund të përfytyrohen të shoqëruara prej luftanijeve shqiptare, në qoftë se ka, e në qoftë se shqiptarët mund të jenë koshientë se çfarë arti i vërtetë lind ditë për ditë në këtë vend, ai art që njëkohësisht tregon forcën krijuese të një njeriu të vetëm, edhe ky pothuaj i vetmuar në morinë e flakadanëve me pompozë.
Një prej tyre është edhe Panairi i Librit që çdo vit organizohet në Pallatin e Kongreseve, më tepër si promocion për shitje të librave, paçka se mund të quhet edhe një festë e përbashkët autorësh, koshientë për kthimin e librave të tyre në mall, prej shtëpive botuese.
Dhe vetëkuptohet se si në të gjithë bilancet e import-eksporteve, fitojnë gjithënjë librat e përkthyer, që e lidhin shqiptarin me dhjetra shekuj dhe me çdo vend, dhe kjo për arsye të borxheve shekullore që ka pasur shoqëria shqiptare për informacion të hapur dhe midis tyre në korpusin letrar të Kadaresë, librat e renditur sikur tregtojnë të gjithë përmasat e një truri njerëzor dhe nuk ka nevojë për duartrokitje, as leximi i një libri, por shitja e tij. Ndërsa në Galerine FAB, 400 metra në distancë ajrore nga Pallati i Kongreseve, duket sikur është shkruar se duartrokitjet janë të ndaluara. Dhe atje midis rreckave dhe koshave të plehrave shfaqet përsëri Mari Magdalena, që u ka kthyer shpinën atyre që shohin, por solide në ekzistencën e saj. Ndërsa koka e Marias mëmë e mbështjellë me shami të flaktë, vezullon për të na kujtuar llambën elektrike, këtë miqësi tjetër të madhe të njerëzimit, që e fut gjithë pikturën në jetën e sotme edhe kur shenjtorëve u ka renë fati të jetojnë si lypësa të mëdhenj.
Nuk janë të pafuqishem, këta njerëz pothuaj të braktisur në mizerjen që i rrethon dhe që nuk është e tyrja. Marta e përjetshme me barrën e karthijave, apo Johani me aq dritë në sy, me ato sandalet si të mbetura nga plastika e djeshme. Dashuria jeton edhe në ato fytyra gjysëm të fshehura edhe kur për të mbrojtur fytyrën e kanë mbuluar si me skafandrin e një astronauti edhe kur shfaqet ajo e kuqja e drojtur, as gjak, as muzg. Edhe kur pranë janë thërrimet që çukisin pëllumbat, që kanë brakstisur qiellin, të njëjtët pëllumba me të cilën ka filluar vizatimet e para edhe Pikaso; një referencë tjetër e largët edhe kjo. Dhe kjo tregon shëndet të madh shprehës të pikturës shqiptare, dhe forcë mbërthyese komunikimi aq sa peneli i Gazmend Lekës e kthen përmbys piramidën shoqërore drejt dinjitetit të njeriut të cilin as varfëria ekstreme nuk e shemb, dhe si nje punë vetmohuese, kjo forcë shprehëse qëzbulon prej një njeriu cilësitë e fshehta, është njesoj si në aparencën e vizioneve dekorative, ku vetë varfëria me ngjyrat e saj krijon një ‘’njësit gueril’’, që vendoset në lojën artistike të një Tirane pompoze dhe të re.
Të thuash se ne këtë pikturë vjen një bote reale, nuk mund ta besosh as vetë. Por jo vetem një por shumë tabllo të tilla shprehëse e bëjnë Gazmend Leken automatikisht ’’Njeriun e vitit‘’.
Sepse krijimi e kapërxen realitetin e vet me humanizmin që jeton i lartësur estetikisht. Deri sa shfaqet Gjinovefa, që brenda emrit mban diçka prej Efigjenisë së sotme, që i ka shpëtuar sakrifikimit, por në vend të aureolës së shenjtores, mban me duart e saj mbi kokë një tabaka metali që gjithësesi nënkupton një dritë të zbehtë. Ndërsa veshja, si parzmore mbrojtëse, ka diçka po metalike, në një ngjyrë ndryshku, ekstrateresteriale, që sfidon realitetin përreth me bukurinë triumfuese.
Dhe bota e lirë e gruas ndriçon nga brenda shpirtit dhe emocioni i dritës njerëzore konkuron me çfarëdolloj ngjarjesh të përditshme.
Si heronj Niçeanë pranë këtyre pikturave mund të gjenden këngetarët e repit shqiptar, këta Gavroshë të botës së sotme, që synojnë t’i ngjiten skenës shqiptare me provokime të mëdha, jo me ngjyrën, por me gjuhën.
Dhe në se politika referencat i gjen deri në kanun, ku thuhet se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut, kjo tregon se e ka më lehtë të synojë anonimatin e madh. Ky anonimat i madh i jep politikës edhe më shumë duartrokitje, por heshtja e pikturës që në qendër ve njeriu e ditës, flet më tepër.
Nuk ka njeri që të mos e kuptojë se Gazmend Leka është një trim mes velesitjeve të sotme të botës shqiptare, mes nje çerek shekulli, që me sa duket fillon të jetojë sa për të përgatitur një shekull tjetër dhe jemi mësuar të japim duartokitje edhe për këtë, gjithmonë, ndërsa piktura e ciklit të vitit 2022 ka lindur të çajë detet në konkurencë me djemtë dhe vajzat shqiptare.
Megjithatë na pëlqen jeta e duartrokitjeve. Duartrokitje të mëdha, madje nëpërmjet votimit publik, mori në Festivalin e Këngës që organizohet çdo vit në TVSH, kënga që do të përfaqësojë arritjen e këtij viti në festivalin Europian, që vitin e ardhshëm reference të parë do të ketë kushtrimin majë krahu. Dhe pas melodisë, që i siguroi suksesin, referencë të dytë do të ketë tekstin, që tregon se një grup njerëzish i bëjnë thirrje për t’u dashur dy njerëzve, që ka gjasa të mos duhen më, sikur edhe për të drejtën për të dashur njeriu të mos jetë vetë zot.Por pak njerëz mund te çajnë kokën për atë që thotë fjala në një vend ku ajo shpërdorohet çdo ditë, sëmundje kjo që ka sjellë venitjen e shijes së leximit.
Dhe në ditët e sotme si në një hall të vertetë, varfëria dhe venitja e fjalës, janë si motër e vëlla. Askush nuk e di se çfarë peshpëritje u japin lexuesve shqiptarë librat e sotëm edhe më e veshtirë është të kuptojmë se çfarë thonë këngetarët e sotëm, thua t’ia kenë lënë leximin e kuptimeve, atyre yjeve që rrijnë dhe vështrojnë nga larg.
Mund ta quajmë njeriun e vitit Gazmend Lekën, pse jo.
Mund ta quajmë hallin e vitit, ja venitjen e shprehjes së fjalës, ja lulëzimin e varfërisë, pse jo. Mund të quajmë këngën më të mirë, pse jo, atë që nuk e di se edhe divorci është i shenjtë, sikur kjo krijimtari të ketë lindur në dhjetra e dhjetra vjet të shkuara.
Trimëri edhe më e madhe kjo, kur lundron në fjalën “duje” të vitit 2022, që me sa duket nuk dihet ku do të na çojë, përveç se me këtë kengë në Liverpulin e Bitëllsave.

Leave a comment