Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Publiku ka vendosur, apo produksioni ka vendosur?!

download (6)
Nga Laureta Petoshati
Ka një shprehje shumë kuptimplote që thotë :’ Nëse pi një gotë verë, zëre se ke provuar gjithë fuçinë. ” Kjo vlen edhe për programin BBVip Albania, ku kupton se kush janë VIP -at, apo më mirë rripat në Shqipëri. Kemi ditë që sa herë hapim televizorin na dalin të njëjtat lajme :ky vodhi, ai vodhi, ajo vodhi, sa nga distanca ku e dëgjoj duket sikur thonë : ” ky volli, ai volli, ajo volli… ” Të hapet barku. E kthen ekranin dhe shikon BBV Albania. Të hapet barku më keq. Dua të dëgjoj diçka të bukur, diçka njerëzore, diçka që të më bëjë të mendoj se me këta VIP -a nga profesione të ndryshme ka shpresë Shqipëria. Ajo që më trishton është se shoh një djalë skene- këngëtarin Luis Ejlli, që bënte monolog tepër të zgjuar , aq sa mund të dukej se po luante monodramë, por në fakt ai i drejtohej kameramanit të padukshëm me ca fjalë që të gozhdonin. Shumë herë më bënte të buzëqeshja me humorin spontan dhe të mençur derisa një natë pashë diçka që më kujtoi shprehjen e Shën Pjetrit, që ndërsa ikte në arrati nga persekutimi mbas kryqëzimit të Krishtit, takoi vetë Jezu Krishtin e ringjallur dhe e pyeti : ” Domine, quo vadis?! ” , që do të thotë “Zot, ku po shkon?!” Dhe përgjigja ishte : ” Do të shkoj në Romë që të më kryqëzojnë sërish. ” E kisha për këtë program që kryqëzon njerëzit , siç e bëri vjet me tjetër konkurrent, sepse jam plotësisht e bindur se drejtuesit, apo pronarët mendojnë se etaloni matës i tyre, mbi vlerat morale dhe njerëzore është i njëjtë me publikun. Por gabohen. Që është televizion gënjeshtar dhe manipulues e dimë sepse ishte po ky televizion që gënjeu mbi orën e Bushit gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Por ajo që vihet re është fakti se me këto programe po promovohet mediokriteti dhe vulgariteti, u thuhet Vipa ca njerëzve që mendojnë se duke dalë në ekrane janë vërtetë të tillë. Prisja nga disa aktorë aty që të flisnin për teatrin, dramaturgët, Molierin, Shekspirin, Millerin, Pirandellon, Çajupin, Spahivoglin, por jo. Ashtu, dy nga dy, tre nga tre, flisnin mbi gjalpin e kikirikut, sapunin, thonjte e idjotesira. Por më e bukura thurnin plane se si do t’ia punonin atij që është me të vërtetë VIP, Luis Ejllit, i cili pasi u kryqëzua nga produksioni, kur u kthye për te shokët nuk e priti askush, me përjashtim të një banoreje, por si Krishtit iu vu dhe “kurora me gjemba” që janë talljet. Produksioni mori pozitën e Ponc Pilatit duke e nxjerrë në nominim si të papreferuarin e publikut. Këtu ishte një gënjeshtër e hapur se u ngrit në këmbë një Shqipëri e tërë. Nganjëherë , e gjithë kjo situatë më kujton gjyqin që u bë në Amerikë midis Johnny Deep dhe Amber Heard. Vetëvetiu Luisi më ngjan me Johnny -n, ndërsa Olta Gixhari nga pamja, vetësiguria dhe manipulimet më ngjan me Amber Heard. ” Leri ata të mendojnë se janë më të zgjuar se ty”, thoshte Johnny Deep. Këtë po bën dhe Luisi. Ky televizion që për para e famë shkel mbi vlerat njerëzore duhet të mos këtë licence për programe të tilla. Kam dëgjuar se ca qytetarë do të bëjnë dhe protestë para mjediseve të BBV. Shqiptaret mund ta bëjnë një peticion dhe t’ia heqin këtë patentë që shprehjen publiku ka vendosur e ka shndërruar në “Produksioni ka vendosur !”

Leave a comment