Policia e Shtetit, sot informoi se në Durrës u bllokua një anije me flamur liberian, që transportonte 22 mijë e 500 tonë naftë.
Dyshohet se ngarkesa e naftës është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia.
Sipas Policisë, operacioni është në vijim, për goditjen e futjes në Shqipëri, të naftës kontrabandë që vjen nga Rusia.
Sipas njoftimit, po vazhdojnë hetimet lidhur me këtë rast.
“Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.”, është bërë e ditur tutje nga Policia e Shtetit.