Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shqipja- gjuhë europiane

C0D268CC-251A-4502-B4FE-CF4CAE2B8D90

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Dega e Gjuhësisë e Institutit Albanologjik, në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Wisdom”, organizuan tryezën shkencore “Shqipja – gjuhë evropiane”.

Tryeza u zhvillua në kuadër të projektit EUMLEID- Jean Monnet Module.

Në fjalën e hapjes së tryezës, Naim Berisha, nga Dega e Gjuhësisë në Institutin Albanologjik, u shpreh se: “përveç rëndësisë shkencore në kuptimin e gjerë të fjalës, ky aktivitet është domethënës, sepse na mundëson të takohemi me njëri-tjetrin, të diskutojmë për çështje që janë të interesit të përbashkët, ta ruajmë e ta mbajmë të gjallë bashkëpunimin me të gjitha qendrat albanologjike”.  

Ndërsa Dr. Manjola Zaçellari, profesore e gjuhës shqipe e njëherësh drejtuese e projektit europian Jean Monnet “Shumëgjuhësia, Edukimi gjuhësor dhe Dialogu Ndërkulturor në BE”, u shpreh se “ka ardhur koha që shqija të ketë një prestigj europian”.

Ndër të tjera ajo u shpreh se 21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, na bën të reflektojmë mbi rëndësinë që ka respektimi i të drejtave gjuhësore në tërësi dhe i marrëdhënieve me gjuhët e popullsive të tjera. Në fakt, gjuha, sipas profesores, para se të jetë një e drejtë ligjore është një e drejtë natyrore.

Duke cituar prof. Xhevat Lloshin ajo u shpreh se: “Lëvdata më e madhe për shqipen sot: është gjuhë e kulturës evropiane”.

Gjuhëtari Sejdi Gashi, bashkëpunëtor shkencor në IAP, theksoi se standardi i gjuhës shqipe lëngon nga depërtimi i panevojshëm i fjalëve dhe shprehjeve të huaja.

“Ne mendojmë se po flasim shqip, por në fakt mendojmë shqip e flasim mbi  bazën e një strukture sintaksore të gjuhëve të huaja; fqinje, angleze, gjermane e kështu me radhë. Pra, jemi në një gjendje të pakontrolluar të elementëve të huaja që janë bërë pjesë e pandashme të shqipes”- ka thënë ai.

Ndërkaq, studiuesi Bahtijar Kryeziu, profesor në Universitetin e Gjilanit, gjatë ligjëratës “Emrat bashkëkohorë të shqiptarëve – dëshmi e shqipes evropiane”, tha se shumë prindër i emërojnë fëmijët e tyre me emra që bien ndesh me drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e emrit në gjuhën shqipe.

Çdo 21 shkurt, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO-ja në vitin 1999. Qëllimi i kësaj dite është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë.  Kjo ditë ka bërë bashke në një tryezë shkencore Kolegjin Universitar Wisdom që po zbaton një projekt europian për shumëgjuhësinë dhe diversitetin kulturor dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Leave a comment