Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Pallatet e vjetra/Shkreli: Do të bëhet ndërhyrje për t’i kthyer ato të sigurta për të jetuar. Problem janë ndërhyrjet pa leje në vite në katet e para

-640-0-shkreli

Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli ka sqaruar projektvendimin për kontrollin e strukturës së godinave mbi 50-vjeçare. Në një lidhje për Euronews, Shkreli sqaroi se për ato pallate të vjetra, që kanë pësuar dëmtime ndër vite, do të bëhet ndërhyrje për t’i kthyer ato të sigurta për të jetuar.

“Ky nuk është moment për t’u shqetësuar. Është një moment që njerëzve duhet t’u jepet siguria që banesat ku ata jetojnë, janë banesa të sigurta. Çdo ditë në Institutin e Ndërtimit vijnë kërkesa nga qytetarë, por edhe nga bankat apo shoqëritë imobilare për probleme të tjera, të cilat kërkojnë certifikimin se në çfarë gjendje ndodhen objektet sa i përket anës strukturore. Ideja është që objektet që paraqesin patologji të rënda do jenë objekte ku do ndërhyhet për t’i sjellë në normë sizmike. Pra, do ketë ndërhyrje në këto objekte. Në objekte që kanë patologji të lehta, ato do përballohen me një mirëmbajtje rutinë që ka ndodhur. Objektet i kanë rezistuar tërmeteve, por asnjëri nuk jep garanci në objekte të pa ekzaminuara se deri kur këto do i qëndrojnë tërmeteve”, tha Shkreli.

Ai sqaroi se objektet e vjetra do i nënshtrohen një ekspertize teknike për të nxjerrë në pah problemet që këto objektet kanë. “Do të jetë hera e parë që i bëhet auditi këtyre godinave. Nëse kanë patologjira, do të ketë ndërhyje për t’ia zgjatur jetën e këtyre objekteve. Po ashtu edhe për objektet e vjetra që janë ndërtuar jashtë kushteve sizmike, që nuk përmbushin kushtet për të përballuar një tërmet shkatërrues. Godinat e reja është më ndryshe. Sepse godinat e reja janë ndërtuar me kode të azhornuara. Godinat e viteve të fundit bëhet edhe në bazën e eurokodeve dhe kanë qenë objekte që janë sjellë më mirë edhe ndaj tërmeteve”, deklaroi Shkreli.

Shkreli u shpreh se një problematikë në këto vite të tranzicionit kanë qenë dhe ndërhyrjet në katet e para të pallateve me muratura mbajtëse. “Nuk është vetëm amortizimi nga koha që sjell dëme, por edhe ndërhyrja njerëzore. Ne kemi shumë probleme nga ndërhyrjet në katet përdhe, që i janë bërë objekteve të vjetra sepse objektet e reja janë me kolona. Por, objektet e vjetra që kanë qenë me muratura mbajtëse, shpesh herë janë hapur për të zgjeruar hapësirat dhe për t’i bërë hapësira biznesi. Dikush i ka bërë me inxhinier, dikush pa inxhinier. I gjithë ky proces nuk është monitoruar në shkallën e duhur dhe ka një nevojë imediate tani për të bërë një kontroll të përgjithshëm”, u shpreh drejtori i Institutit të Ndërtimit.

Leave a comment