Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

I VETËM NË MAJË

338030619_222534777101799_8585880354304804835_n

Ag Apolloni

Pesëmbëdhjetë ditë më parë erdha në Razëm, për shkak të një problemi serioz me mushkëri, si pasojë e Covid-19. Kam qenë në disa spitale në Kosovë dhe Maqedoni, por shëndeti kishte marrë teposhtë dhe nuk ekzistonte një mrekulli shkencore t’ia ndryshonte drejtimin. Kur erdha në atë pikë sa s’mund të ngjitja shkallët as për në katin e dytë, një shok më sugjeroi do ditë pushimi në Razëm, një vend për të cilin s’kisha dëgjuar kurrë.
Kur erdha këtu, tri ditët e para arrita të ecë nga gjysmë ore, pastaj nga një orë, nga dy dhe në fund të javës e ndjeva ndryshimin, kurse në ditën e dymbëdhjetë e nisa vrapimin.
Megjithatë, nga dita e parë mendja më rrinte te mali përballë. Një tabelë pranë vilës Montreal tregonte lartësinë e majës së asaj kodre, që quhet Maja e Veleçikut: 1724 metra lartësi. Ajo majë më tundonte, por arsyeja më ndalonte. Unë që s’mund të ngjitesha në katin e dytë, t’ia mësyja një maje aq të lartë, dukej si tentim vetëvrasje.
Sot, pasi hëngra mëngjes në një restorant në fshat, i thashë pronarit, me të cilin bëjmë muhabet shpesh, se do të ngjitem atje në majë. Ai më tha se vetëm po pate ndonjë problem me frymëmarrjen, nuk është mirë të nisesh. Nuk i tregova.
Kështu që, u ktheva në shtëpi, mora çantën e shpinës, futa në të një libër dhe një qumësht, mora edhe një thikë (në rast të takimit me ndonjë arushë), dhe u nisa.
Në tabelë shkruante se udha zgjaste tri orë e gjysmë, unë, pa u bërë dy orë, arrita në majë. (Kështu është kur nuk e di udhën me i ra rrotull). Atje në majë, e shikova Malin e Zi si në shuplakë të dorës, u shtriva, piva pak qumësht, lexova do faqe dhe u ktheva.
Po jua them këtë, meqë të gjithë kemi kaluar nëpër pandemi. Sugjerojani Razmën të gjithë atyre që kanë probleme me mushkëri.
Meqë “medicus curat, natura sanat” (“mjeku kuron, natyra shëron”), dua të falënderoj dy pulmologët e mi, Dr. Kamelija Bushletikj dhe Dr. Flamur Markun. Po ashtu, edhe Dr. Stefanin për sugjerimin, dhe një falënderim i veçantë shkon, natyrisht, për natyrën e Razmës.
(Për fund, një qumësht Alpsko e kam lanë atje në maje, me u ftofë. Nëse shkoni, mos gaboni me e pi, se mandej ma mirë mos u ktheni. Edhe dordolecin që e mbarova, mos ma ngucni. Edhe kallxoni Ismetit që ma ka premtu një kafe në Razëm, se e kam pa prej atje nalt tek rrinte këmbë mbi këmbë në një kafe në Mal të Zi, tamam si dikush që s’e mban fjalën)

Leave a comment