Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ja përse do votohet Jorgo Goro për herë të katërt në bashkinë e Himarës

download (54)

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, është i vetmi kryetar i rikonfirmuar në Qarkun e Vlorës. Nuk ka asnjë sekret për rikandidimin.Kjo se Jorgua është i përkushtuar, është njeriu që ka qëllim kryesor t’i shërbejë popullsisë së 21 fshatave dhe qytetit të Himarës. Ajo që dallon edhe në një bisedë krejt të rastësishme me të, është karakteri i fortë, fjalëpak e punëshumë. Jo më kot cilësohet stekë e fortë dhe i papërkulur. Është bashkia që nis nga porta hyrëse, Nivica deri në këmbët e malit të Llogarasë, ku mbështetur në rrëpira me rrënjët thellë në shkëmbinj është ndërtuar ndër shekuj Palasa. Ështe fshati në hyrje kur zbret Llogaranë dhe përshkon rrugën paralel me Jonin. Është Bregdeti ynë, perla e Rivierës shqiptare. Fshtrat duken të ngjeshur në supet e njeri – tjetrit me vështrimin nga deti. Shtëpi të bardha si të lara me qumësht dhe ndriçuar nga rrezet e diellit më të ndritshëm ndoshta në tërë globin. Sa kalon Dhërmiun, tashmë ndryshuar rrënjësisht përmes projektit të 100 fshatrave, ku shkrihet në një, tradicionalja me modernen, e bardha verbuese e gërqeres me të kuqërremtën e tjegullave me të cilat janë mbuluar çatitë, që i përngjajnë lagjes tradicionale të Beratit të një mbi një dritareve. Të gjitha rrugët të zbresin në det, atje, ku resortet e hotelet janë shumëfishuar dhe lungomaret, janë duke u ndërtuar. Fill pas Dhërmiut, ndoshta fshatit më piktoresk të Shqipërisë, shfaqet Vunoi me kurorat e maleve, që duken sikur mbulojnë kryet me një kapele gjigande ngjyrë gri. Dhe rradhazi përshkon Iliasin për t’u befasuar me Himarën e ndritshme lyer me blunë më të thellë të detit Jon. Himara është oazi i bukurisë dhe qetësisë. Me qindra pallate dhe hotele janë ndërtuar gjatë këtyre viteve dhe bumi i ndërtimeve ecën me hapa galopante. Është Himara, që me aq pathos dhe art e ka vizatuar i madhi, shkrimtari ynë me përmasa kombëtare, Petro Marko në romanet e tij të pavdekshme. Është Himara e poetëve dhe gazetarëve të shquar. Ekonomistëve të talentuar, profesorëve që i kanë dhënë shkencës ekonomike shpirtin dhe diturinë e tyre.Është Himara ku u lind peshëngritësi, pesë herë kampion bote, Piro Dhima. Po edhe biznesmenë të shquar, që kanë bërë histori si menaxherë të spikatur. Më tej shpaloset Qeparoi, i cili ka zbritur nga Qeparoi i vjetër ngritur mbi shkëmb në vijën e ujit. Është fshati mahnitës ndërtuar me gurë të transportuara me krahë, fshati me gratë dhe burrat, punëtorë të pakrahasueshëm. Është fshati që kur në këto rrugë princesha e një shteti me regjim mbretëri u ndal dhe pyeti: Sa shitet vallë ky fshat dhe a mund ta blej këtë mrekulli? Banorët kur e dëgjuan u habitën me kërkesën e princeshës. Një nga burrat e fshatit pa e ditur se zonja ishte princeshë e një vendi të pasur i’u përgjigj: Këtë fshat nuk ka bankë në botë ta blejë që ari të peshojë sa ky mali përballë. Është Qeparoi që ka rrënjët nga i ati një nga krerët më jetëgjatë të Cia-s, Xhorxh Tenet. Është Qeparoi që prodhon vajin më cilësor, i cili zuri ndër vendet e para në botë në panairin e Londrës kohë më parë, ku vetëm për përmbajtje të tymit të cigares, që kishte tymosur njëri nga punëtorët, nuk doli në vend të parë. Pas mbetet Qeparoi dhe përballë shpaloset Borshi i mahnitshëm me vijën bregdetare më të gjatë dhe rërën pafund, që shkëlqen sikur të jenë shpërndarë nga valët copëza rubini shumëngjyrësh. Rrugëtimi vazhdon drejt Lukovës pasi ke kapërcyer Piqerasin e ngjyer me jeshilen e ullinjve pa fund. Piqerasin, fshatin që i ka dhënë atdheut dy Heronj të Popullit, atentatorin e njohur që shtiu mbi perandorin, Vasil Llaçi dhe Mitro Xhanin, i cili ra heroikisht në betejën në Dukaj në Tepelenë. Dhe ngjitesh në Lukovë për të shkuar në Shënvasil e në finish në Nivicë, e cila është porta hyrëse e Bregut të kaltërsive. Po kufijtë e Himarës ngjiten edhe në Fterrë e Çorraj për të kapërcyer më tej në të djathtë e të majtë të Pilurit të këngëve të famshme dhe polifonisë së poetit brilant, Lefter Çipa, për t’u ngjitur në Kuç e zbritur në Vranisht. Janë pesë fshatra matanë malit, që historikisht kanë qënë pjesë e nënprefekturës së Himarës. Është bashkia me gjatësinë më të madhe me shtrirje nga buzëdeti deri matanë maleve, mbuluar me lavdi dhe histori që jetojnë ndër shekuj. Janë këto fshatra me qershinë mbi tortë, Himarën të inkuadruara në bashkinë me të ardhura të larta dhe pa asnjë borxh ndaj shtetit. Pikërisht këtë bashki për dymbëdhjetë vjet, Kryetari Jorgo Gori, i’a ka arritur të ndryshojë shumëçka dhe të balancojë me kujdes marrëdhëniet mes komuniteteve të ndryshme, vendasve, të ardhurve, e të gjithë atyre që jetojnë pranë mrekullisë së pakrahasueshme të bukurisë shqiptare. Në Lukovë, takova në një nga këto ditë, Muharrem Abedinin, një ish – sindikalist i hekurt, i cili është i rreptë po edhe kërkues, që nuk bën kompromis me askënd, qoftë me pushtet apo me para. – Kur kam parë gabime, të thotë ai, kam trokitur në portë të kryetarit. Kam ngritur zërin, kam bërtitur, po Jorgua kurrë nuk më është përgjigjur me ton të ashpër. Përkundrazi më ka dëgjuar dhe është përpjekur për të gjetur zgjidhje. Kur të thotë po, puna mbaroi. Po të tha jo, mos i shko pas se nuk ndyshon mendim pasi është i fjalës, po së pari i zgjidhjeve. Për Jorgon, flasin shumë fshatarët nga Palasa në Nivicë. Janë të drejtpërdrejtë. Po në fund të thonë se, e ka ndryshuar Himarën. Është këmbëngulës dhe i drejtë. I rreptë, po i vërtetë. Këto marrëdhënie i ka dhe me administratën. Ka ditë që dera e bashkisë nuk mbyllet nga mëngjezi në mbrëmje. Se kryetari nuk i thotë askujt ik sot, eja nesër. Një vit më parë në bilancin e bërë për pastërtinë në bashkitë e Shqipërisë mbi drejtuesit e Himarës nuk u kursyen kritikat. Por Jorgua nuk tregoi indiferencë, as u justifikua. Ndryshoi strategjinë e pastrimit. Hoqi atë firmë pastrimi dhe e zëvendësoi me një tjetër. U vunë drejtuesit në krye të aksionit të pastrimit dhe në fund të 2022 Himara u kualifikua bashkia më e pastër në Shqipëri. E kjo nuk u arrit me fjalë, as me urdhëra, po me punë, disiplinë, kontroll, pasion, këmbëngulje, dashuri. Se turizëm pa pastërti nuk mund të ketë. Bashkia e Himarës, është një nga bashkitë me të ardhurat më të larta për frymë në shkallë vendi. Në territorin e kësaj bashkie familjet në nevojë, numërohen me gishtat e dorës. Kush nuk ka një shëpi apo hotel për turizëm, ka një parcelë me ullinj apo portokalle. Dhe këto janë të ardhura që sigurojnë jetën dhe mirëqënien. Në territorin e bashkisë, të thotë Jorgua, ushtrojnë veprimtarinë mbi njëmijë biznese, kryesisht me drejtim turizmin. Me dhjetëra hotele ndërtohen çdo vit. Nuk mungojnë resortet e mëdha. Fshatrat turistike. Hotelet luksoze. Për kryetarin e bashkisë së Himarës, ndërtimi në këtë zonë nuk është kaotik, po i studjuar dhe bëhen plane të detajuara, të përgjithëshme dhe pjesore. Nuk është reale propoganda se grabiten troje apo abuzohet me tokën. Apo se tokat u jepen oligarkëve. Aq më tepër pas korigjimeve dhe titujve të pronësisë të realizuar nga ASHK në bashkëpunim me bashkinë. Sipas kryetarit Goro, bumi i investimeve në këtë bashki është i dukshëm dhe i prekshëm. Shikoni vetëm një investim, atë të ujit të pijshëm pas autostradës energjitike të rrjetit të shpërndarjes dhe kabinave apo nënstacionit elektrik në anën lindore të Himarës. Ky investim ka bërë të harrohet ndërprerja e energjisë dhe ikja e dritave sa herë binte shi në malin e Çikës apo Llogarasë. Ka kohë që nga burimet e Lëpushës, pranë Kuçit, punohet intensivisht për një nga ujësjellësit më të mëdhenj të vendit, i cili do të garantojë ujë të pijshëm në tërë Bregdetin. Përmes KFW këtu do të investohen mbi 30 milionë euro. Kujt i bie rruga të kalojë nga Lumi i Vlorës do të ndeshë mijëra tubo të presionit të lartë, të cilat do marrin ujin për ta shpërndarë në tërë rajonin e Bregut. Janë mbi njëmijë biznese, më të shumtë të fushës së turizmit, jo vetëm masiv,po edhe elitar deri tek hotelet e luksit, që lartësohen nga vija e ujit deri në banesat e fshatrave. Vera këtu shndërrohet në Mekën e Bregdetit. Menaxhimi i bizneseve ka asistencën e bashkisë dhe sigurinë e furnizimit me ujë dhe energji. Bashkia e Himarës nuk e shikon veten jashtë biznesit, as si tutore të tij, po si udhërrëfyese për t’u ngjitur në shkallën më të lartë të cilësisë dhe komoditetit. Të ardhurat e bashkisë janë rritur dhe tejkalojnë në masë shpenzimet. Bizneset në Bregdet janë kontribues për arkën e bashkisë, të cilat rishpërndahen dhe përdoren me rigorozitet dhe jo sipas praktikës, paratë e bashkisë janë dhe, le të bëhen rrush e kumbulla.Është i prekshëm meraku i kryetarit të bashkisë Himarë për zhvillimin e turizmit dhe mbështetjen e tij me të gjitha mundësitë, me rrugët, sistemimet dhe masat mbrojtëse të plazheve, ku pas pësimeve çdo gjë bëhet mësim, siç ishte edhe rasti fatkeq i humbjes së jetës së një fëmije në Potam, për të cilën, kryetari Goro thotë se ndjen dhimbje edhe sot. Masat janë forcuar dhe bashkia ka zbatuar kërkesat e ligjit. Gjatë këtij sezoni bashkia ka plane të mirëfillta edhe më efikase dhe të rrepta. Turistët janë garantuesit e të ardhurave të bizneseve dhe buxhetit të bashkisë. Synimi është i qartë për sezon turistik më cilësor. Harmonizim me plazhet, zonat historike dhe objektet me vlerë, që janë aq të shumta në këtë zonë. Kur flitet për arritjet në bashki, Jorgua jo për modesti, kurrë nuk i vlerëson si vullnet personal, as si meritë e tij. Është kolegjial. Di t’i aktivizojë të gjithë dhe secili të kryejë detyrën. Bashkia nuk është godina edhe pse me mjedise të kohës që shkëlqen nga pastërtia. Godina vërtetë ka vlerë, se tek e fundit krijon kushtet e punës dhe shërbimin ndaj banorëve, të cilët kanë hallet dhe kërkesat e tyre. Ajo që e bën bashkinë e Himarës të dallueshme nga të tjerat, është përzgjedhja e personelit, përkushtimi i tyre. Ndihesh i vlerësuar nga departamenti i financës, ku Laert Mezani, drejtues që ka mbaruar studimet për financë në Itali, deri tek zonja Klejli Muharremi, e dekoruar me Medalje Ari në universitet, e cila i qëndron punës mbi kokë, apo zëvendës kryetares, zonjës Blerina Bala, e cila si nën kryetere e bashkise u jep drejtim punëve me shpejtësi nuk mban mbi tavolina, shkresa në pritje po u jep drejtim menjëherë, ashtu siç është në aktivitet urbanistika, sektori juridik deri tek Orest Vela, i cili të shërben me dashamirësi dhe korrektesë. Specialisti i komunikimit me qytetarët Anest Velço i cili ngjanë me një dispeçer që komunikon me cilindo që kërkon zgjidhje në bashki apo drejtori i kadastres që mbanë mbi shpinë volume pune vërtetë të pafunda. Po ndihmësit e kudondodhur të zotit Goro janë kryetarët d fshatrave si Stefan Kokëdhima në Qeparo apo Aleks Marko në Dhërmi dhe tërë fshtarat e bashkisë. Në se në bashkinë e Himarës takon përfaqësues nga të gjitha komunitetet nga himariotët deri nga Vranishti, Lukova dhe tërë fshatrave në juridiksion të saj, kjo është fryma me të cilën i drejton dhe harmonizon punët kryetari i bashkisë, Jorgo Goro. Është kjo përpjekja, është këmbëngulja dhe përkushtimi i Goros, i cili kurrë nuk e llogarit veten, i pari i bashkisë, po njëri prej tyre, si i barabartë mes të barabartëve. Është puna dhe shërbimi pa kursim i Jorgo Goros dhe punonjësve të kësaj bashkie që kanë bërë Himarën dhe 21 fshatrat e këtej buzë detit dhe matanë malit, të cilat përjetojnë zhvillimin dhe ndryshimin, natyrisht nuk janë finishi, po një hap drejt të ardhmes. Dhe bashkia e Himarës me resurset që ka do t’ia mbërrijë të jetë në vijë të parë të simotrave të saj, jo vetëm brenda vendit, po edhe bashkive që lagen nga ujërat e Jonit. Për këto e shumë arritje dhe zhvillimi në çdo fshat dhe qytetin e Himarës e kanë mirëpritur rikandidimin e Jorgo Goros edhe pse për herë të katërt. Dhe kanë bindjen se qytetarët do ta besojnë!
Bardhyl Bejko

Related Posts

Leave a comment