Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

EKSPOZITA, “ARKITEKTURA NË KONTEKST TRADICIONAL”

339993273_1401746877228042_5807561336491034964_n
Sot me rastin e hapjes së ekspozitës: “ARKITEKTURA NË KONTEKST TRADICIONAL”, subvencionuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës e në organizim të Asociacionit të Akitektëve të Kosovës po e promovojmë monografinë: “RUAJTJA PRAKTIKE E TRASHËGIMISË ARKITEKTONIKE NË KOSOVË”, të Prof. dr. Flamur DOLIT, arkitekt nga Prishtina. Ndaj, më lejoni që fillimisht ti them ca fjalë lidhur me biografin e autorit. Flamur DOLI lindi në Mitrovicë, në vitin 1951. Këtu e kreu shkollën fillore dhe ate të mesme teknike. Prof. Dr. Flamur DOLI është arkitekt i diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Shkupit në vitin 1975. Po në këtë Fakultet ai i kreu edhe studimet e magjistraturës në vitin 1984. Në vitin 2008 e mbrojti me sukses të lartë disertacionin e doktoratës me temën: ”ARKITEKTURA VERNAKULARE E KOSOVËS”. Është njëri nga themeluesit e Fakultetit të Akitekturës në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1978. Është themelues dhe krijues i përmbajtjes të programit mësimor për lëndën: “Banimi tradicional në Kosovë”. Ky program studimor shquhet për karakterin e plotë origjinal. Prej vitit 2011 e deri në vitin 2016 e ka ligjëruar lëndën: Teoria dhe praktika e restaurimit në studimet Master. Për tre mandate ishte Prodekan për mësim, si dhe për shumë mandate shef i Katedrës. Prof. Dr. Flamur DOLI deri sa u pensionua punoi si pedagog në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës.
Kontributi i Prof. Dr. Flamur DOLI është i jashtëzakonshëm, jo vetëm si pedagog 45 (dyzet e pesë vjet) në Universitetin e Prishtinës, por edhe si një hulumtues i rrallë i arkitekturës tonë tradicionale. Të cilën Ai me shumë përkushtim dhe profesionalizëm e shtjellon në librat e veta studimore të botuara ndër vite, si më poshtë:
1. “SHKOLLA KOSOVARE E MJESHTRIT POPULLOR SHQIPTAR”, më 1993
2. “TË KRIJUARIT DHE ARKITEKTURA”, më 1997
3. “ARKITEKTURA TRADICIONALE – POPULLORE E KOSOVËS”, e botuar në gjuhën shqipe dhe angleze, më 2001.
4. “ARKITEKTURA VERNAKULARE E KOSOVËS, më 2009. Kjo monografi studimore është botuar edhe në gjuhën angleze, më 2022.
I zura ngoje këto botime, si dëshmi për punën e vazhdueshme shkencore – kërkimore të Prof. Dr. Flamur DOLIT. E cila padyshim është një kontribut i madh për arkitekturën tonë popullore dhe trashëgimin kulturore në këtë fushë.
Prof. Dr. Flamur DOLI, me punën e vet e ka prezantuar Kosovën edhe në shumë tubime shkencore jashtë vendit. Në këtë kontekst duhet përmendur prezantimet e tij shkencore në këto vende: në Slloveni, në vitin 1989, në Itali në vitet 2011, 2012, 2013, në Japoni 2010, në Kanada 2012 dhe në Austri 2014.
Prof. Dr. Flamur DOLI e ka prezantuar në mënyrë të denjë arkitekturën popullore dhe trashëgimin tonë edhe në shumë ekspozita ndërkombëtare e kombëtare si më poshtë: në Gjermani në vitet 1999 dhe 2000. Në Turqi, dy ekspozita, në vitin 2012. Në Prishtinë, në vitet 2001 dhe 2010. Në Prizren, në vitin 2002, etj.
Autori ka hartuar me sukses edhe shumë projekte nga fushë veptimtaria e vet si restaruartor dhe konzervator. Me këtë rast do ti përmendi disa më kryesore që janë të prezantuara në librin të cilin po e përurojmë:
– Projektin kryesor për restaurimin rindërtues të Mullirit të vjetër në Mitrovicë, 1989
– Projektin kryesor të restaurimit të kullës “Oda e Junikut” në Junik, 2001; të Konakut të kullës “Oda e Junikut” në Junik, 2003; të Konakut të Jashar PASHËS në Pejë, të kullës së Ahmet DELISË, në Prekaz, 2004; të kullës së Sherif GASHIT në Mitrovicë, 2005; të kullës së Sylërexhëve në fshatin Vranoc, Lugu i Baranit, 2006; të kullës së familjes Berisha në fshatin Viçidol, 2010.
Libri më i ri i autorit Prof. Dr. Flamur DOLI: “RUAJTJA PRAKTIKE E TRASHËGIMISË ARKITEKTONIKE NË KOSOVË”, paraqet një vepër unikate në fushën e arkitekturës popullore dhe trashëgimisë sonë kulturore. Autori me një mjeshtëri të jashtëzakonshme trajton detajisht dhe shumë profesionalisht disa objekte karakteristike të thesarit tonë popullor. Ai këtë punë e bënë në një nivel të lartë shkencor e hulumtues.
Si arkitekt, me një përvojë të gjatë në fushën e trashëgimisë arkitektonike e kulturore, ai në mënyrë brilante paraqet në libër të gjitha tiparet më të rëndësishme të arkitekturës sonë të ndërtuar ndër shekuj.
Prof. Dr. Flamur DOLI si konservator dhe restaurator i kreu me sukses shumë projekte dhe realizime, të cilat, lirisht mund të themi se e pasqyrojnë dhe e begatojnë arkitekturën tonë tradicionale duke i dhënë objekteve të trajtuara vlera të pamohueshme utilitare në frymën e kohës tonë.
Puna, përkushtimi dhe dashuria e tij për arkitekturën popullore pasqyrohet në mënyrë të denjë dhe shumë specifike në të gjitha projektet e përfshira në librin që po e prezantojmë. Në këtë libër autori ndalet në mënyrë shumë studimore dhe hulumtuese në 8(tetë) objekte karakteristike të arkitekturës tonë popullore, prej të cilave, secila veç e veç, në aspektin funksional, konstruktiv dhe arkitektonik, paraqet zgjidhje autentike me veçori të ndryshme të ndërtuara nga mjeshtri i panjohur popullor.
Konservimi, restaurimi dhe rijetësimi i këtyre objekteve, padyshim flet për projekte dhe realizime të shkëlqyeshme dhe mirë të bazuara në hulumtimin shkencor, ku autori me një dije profesionale të lartë i trajton në librin e tij.
Në aspektin praktik, ky libër është një doracak, apo udhëzues shumë i mirë se si duhet me iu qasë trashëgimisë sonë arkitekturore, nga e cila mund të derivojnë vlera të kohës duke iu dhënë destinim të dobishëm dhe duke i ruajtur nga shkatërrimi.
Të gjitha projektet e trajtuara dhe të prezantuara në libër, e pasqyrojnë përkushtimin maksimal të autorit për trashëgiminë tonë popullore arkitektonike. Gjë që shihet tepër qartë dhe në mënyrë të pa kontestueshme në projektet dhe objektet e realizuara dhe të prezantuara në këtë libër.
I nderuar auditor, me këtë rast do të doja të theksoj faktin se shumica e projekteve janë të hartuara pas luftës së fundit në Kosovë, në kohën kur shumë prej objekteve kanë qenë të djegura dhe të shkatërruara, por këto objekte Prof. Dr. Flamur DOLI, me sukses të plotë i ka shndërruar në objekte në një gjendje të lakmueshme funksionale. Ruajtja e këtyre objekteve është bërë me një mjeshtëri profesionale, duke mos i cenuar tiparet autentike arkitektonike të monumenteve të krijuara nga mjeshtri popullor ndër shekuj.
Këto objekte sot janë funksionale. Në to banohet dhe punohet. Disa syresh në përdhese janë të dedikuara për Muze Etnografik.
Libri “RUAJTJA E TRASHËGIMISË ARKITEKTONIKE NË KOSOVË” në aspektin gjuhësor dhe grafik është i një niveli shumë të lartë. Prezantimi grafik i projekteve dhe detajeve arkitektonike në libër është për çdo lëvdatë.
Prof. Dr. Flamur DOLI me veprimtarinë e tij si studiues dhe arkitekt restaurator qysh moti i ka kaluar kufijtë e vendit tonë. Ai në shumë raste është shembull edhe jashtë Kosovës, se si duhet studiuar dhe ruajtur trashëgimin materiale e kulturore të një populli. Për të gjitha këto dhe librat e tij të publikuar, Prof. Dr. Flamur DOLI ka zënë vend të rëndësishëm edhe në analet profesionale dhe shkencore ndërkombëtare.
Veprimtaria shkencore e publikuar dhe puna profesionale në fushën e trashëgimisë ka ushtruar një impakt faktor të rëndësishëm për njohjen ndërkombëtare të përkatësisë kulturore shqiptare të Kullës së Rrafshit të Dukagjinit.
Në këtë kontekst do ti përmendi disa nga vlerësimet e Institucioneve ose individëve eminent të kësaj fushe, të cilët kanë shkruajtur për veprat e autorit.
Kështu, falë punës profesionale dhe botuese të autorit, në botimet e UNESCo-s, si institucion më i lartë i kësaj fushe thuhet: “Kullat janë karakteristike për kulturën shqiptare dhe tradicionale të jetesës, ato kanë vlera të mëdha historike dhe arkitekturale”.
  Drejtori i Departamentit të Edukimit të Institutit Mbretërorë të Akademisë Mbretërore të Arkitektëve të Britanisë (RIBA) Dejvid Gloster, në letrën e dërguar më 01.11.2010, lidhur me dy monografitë studimore të autorit shkruan: (po citoj) “Të dyja publikimet e Prof. Dr. DOLIT provojnë dituri shkencore, njëherësh edhe dokumentim të kujdesshëm dhe kërkime serioze në fushën e arkitekturës vernakulare dhe indigjene të rajonit”. (mbaroj citati)
Më tej. Prof. Arnold J. Aho nga Shkolla e Arkitekturës në Norviq të SHBA-ve për librin e Prof.Dr. Flamur DOLIT, “ARKITEKTURA VERNAKULARE E KOSOVËS” ndër të tjera shkruan: (po citoj) “Vërtetë është një libër i mrekullueshëm me fotografi dhe vizatime të jashtëzakonshme të arkitekturës vernakulare të Kosovës. Jam i bindur se ky libër prezanton rilevime kuptimplote dhe të qëndrueshme të kulturës materiale të Kosovës”. (mbaroj citati)
Prof. Dr. Aleksandër MEKSI, recensent i librit: “ARKITEKTURA VERNAKULARE KOSOVËS”, shkruan: (po citoj) “Lënda studimore e shtjelluar në këtë monografi si rezultat i një pune hulumtuese kërkimore mbi njëzet vjeçare, në kontekst të qëllimit kërkimor ka dhënë një kontribut thelbësor në ndriçimin e karakterit indigjen, përkatësisht vernakular të kulturës komplekse të ngulimeve të popullit shqiptar”. (mbaroj citati)
Prof. Dr. Emin RIZA – nga Tirana shkruan: (po citoj) “Ashtu si përherë, autori është protagonisti i gjurmimit, përzgjedhjes dhe dokumentimit grafik dhe fotografik të shembujve tipik të kësaj arkitekture , duke e bërë kështu këtë studim plotësisht origjinal në mbarë përbërësit e tij, të cilët implikojnë në çdo fazë, që prej gjurmimit e deri te hedhja e ideve me kompetencë shkencore”. (mbaroj citati)
Për më shumë lidhur me vlerësimin e punës studimore të publikuar të autorit shih librin të cilin po e përurojmë sot.
Tani po e përmbylli fjalën time kushtuar librit të autorit Prof. Dr. Flamur DOLI, me bindje të thellë se ky libër do të shërbejë si një udhërrëfyes jo vetëm për arkitektët, por edhe për të gjithë ata që merren me ruajtjen e trashëgimisë tonë të pasur arkitektonike dhe kulturore.
Më lejoni që krejt në fund, në emër Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës të autorit dhe në emër tim ta falënderoj Bibliotekën Kombëtare për mundësin që na e ofroj hapësirën për hapjen e e kspozitës dhe përurimin e këtij libri.
JU FALEMNDERIT
Sali SPAHIU, arkitekt
Prishtinë 30 mars 2023

Related Posts

Leave a comment