Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Deputetët kritikojnë draftet e qeverisë dhe kërkojnë rritje për pagat e tyre

-640-0-23d83e1513189a82e947e768664169fe

Komisioni i Ligjeve miratoi me kritika dy projektligjet e qeverisë që parashikojnë rritjen e pagave për administratën, pa përfshirë deputetët. Këta të fundit sugjeruan rritjen e pagave të tyre me pretendimin se është prishur ekuilibri hierarkik.

Deputetët kundërshtuan përjashtimin që qeveria i kishte bërë Kuvendit në piramidën e rritjes së pagave, duke sugjeruar që edhe paga e tyre të përfshihet në hierarkinë e pagave të reja.

Deputeti Klevis Xhoxhi, relator për projektigjin, tha se në tabelat lidhëse të sjella nga qeveria, “ekuilibri hierarkik nuk ruhet”.

“Objektivi i projektligjit që synon vendosjen e hierarkisë së pagave për funksionarët më të lartë shtetërorë duke vendosur pagën e presidentit si më të lartën nuk mund të arrihet,” tha ai duke iu referuar tabelave të koeficentëve sipas institucioneve.

“Do t’i referohem Kuvendit si organi më i lartë dhe përfaqësues i popullit, që është padyshim organi më i rëndësishëm i pushtetit shtetëror,” shtoi Xhoxhi.

Sipas tij, respektimi i hierarkisë së pagave mes Kuvendit, si organ llogarikërkues dhe institucioneve të tjera llogaridhënëse në Kuvend do të ruante integritetin e tij.

“Duhet t’i mundësojë Kuvendit që të ushtrojë normalisht veprimtarinë që Kushtetuta i ka ngarkuar, pa ndërhyrjen e politikës apo faktorëve të tjerë që do të cënonin rëndë këtë gjë,” u shpreh deputeti socialist.

Sugjerimi i tij për t’i propozuar Komisionit të Ekonomisë dhe Financiave, si komision përgjegjës, që pagat e deputetëve të përfshiheshin në skemën e re të pagave u miratua në heshtje nga deputetët e dy krahëve politikë.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, nuk e komentoi sugjerimin e Xhoxhit, ndërsa gjatë prezantimit të projektit të qeverisë arsyetoi se “sa i përket koeficentit të pagave për Kuvendin dhe ekzekutivin janë përjashtuar pa ndryshuar nivelin aktual për ta rikonsideruar në një moment të dytë”.

Ibrahimaj u përball me kritika nga deputetët për skemën e zgjedhur për llogaritjen e pagave dhe për neglizhencën ndaj shtresës së pensionistëve në këtë reformë.

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj konstatoi se pretendimi i ministrisë se ruhej hierarkia e pagave ishte i gabuar.

“Disa paga komisionerësh e kalojnë pagën e gjyqtarit dhe prokurorit në mënyrë të ndjeshme,” tha ai.

Por Ibrahimaj u mbrojt se pavarësisht se në dukje nga koeficenti i ri mund të ishte kështu, sipas saj, “magjistrati do vijojë të ketë pagë më të lartë se titullarët e institucioneve të pavarura sepse në ligjet e veçanta kanë shtesa mbi pagë, që janë dhe më të larta se paga bazë”.

Në prezantimin e projektligjit, Ibrahimaj tha se synimi ishte rregullimi i hierarkisë së pagave duke marrë si referencë pagën e Presidentit, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kishte prekur këtë hierarki.

“Të krijojmë një piramidë për institucionet kushtetuese dhe të pavarura,” tha ajo.

Nga rritja e pagave përfitojnë 250 funksionarë publikë, që e kanë pagën të lidhur me pagën e presidentin, i cili do të ketë një pagë prej 425 mijë lekësh.

Ibrahimaj tha se rritja për 130 330 punonjës të administratës publike do të realizohej në harkun kohor të dy viteve, me një kosto totale prej 39 miliardë lekësh.

“Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve ka një efekt 1 miliardë lekë vetëm për vitin 2023,” shtoi ajo.

Sipas ministres, nëse reforma e pagave nuk miratohet duke hyrë në fuqi në datë 1 prill, do të ketë pasoja që prekin drejtpërdrejt administratën. “Janë vonesa në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe paga neto e punonjësve, të cilët janë objekt i kësaj reforme mund të ulet, si rrjedhojë e rritjes automatike të kufirit maksimal të pagës referuese për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore,”- u tha ajo deputetëve.(BIRN)

Leave a comment