Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Të rinjtë “orientohen” nga emigracioni, 18% e studentëve në degët e shëndetësisë

2FA8618D-CFC0-4A17-BDBE-84FC60FF7D0E

Numri i studentëve në arsimin e lartë ka pësuar rënie me rreth 13% nga vitet shkollore 2018-2019 deri më 2022-2023, por në degët ku mund të gjesh punë në emigracion ka rritje.

Gjithnjë e më shumë të rinj po u drejtohen degëve që kanë lidhjen me shërbimet shëndetësore. Sipas të dhënave nga INSTAT, më 2023, numri total i studentëve u tkurr me 17,700 që nga viti 2019 me rënie 12.7%, por nga ana tjetër, më shumë të rinj zgjodhën degët në fushën “Shëndet dhe mirëqenie”.

Këtë vit akademik studiojnë në fushat e studimit që lidhen me shëndetësinë 22,834 persona. Numri i studentëve me drejtim degët e shëndetit është më i lartë se nevojat e tregut të brendshëm, por ky trend lajmëron tendencat e emigracionit të profesionistëve në të ardhmen.

Burimet nga Fakulteti i Infermierisë tregojnë se shumica e studentëve, që në vit të parë regjistrohen në mësimin e gjuhës gjermane me qëllim që kur të kenë mbaruar studimet të kenë aftësitë gjuhësore për tu punësuar në tregun gjerman.

Nga të gjitha fushat e studimit, numri i studentëve në katër vitet e fundit u rrit vetëm në degët e Inxhinierisë dhe shëndetësisë, ndërsa në disa fusha ka rënie të mprehtë të studentëve.

Në katër vitet e fundit, rënia më e madhe e numrit të studentëve ishte në “Arte dhe shkenca humane” me 45% ndërmjet 2019 dhe 2023. Më tej në degët “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” numri i studentëve ra me 43% për të njëjtën periudhë.

Studentët në degët e bujqësisë zënë vetëm 2.5% të totalit të studentëve, ndërsa ata në fushat e shëndetësisë, rreth 18% e totalit të studentëve./MONITOR

Leave a comment