Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ambasadori amerikan në Kosovë: Kërkesat e SHBA-së nuk janë presion

-640-0-1673778621xjeffrey-hovenier-207

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një takim me gazetarët të mërkurën në Prishtinë tha se kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion.

Ai tha se vendi, megjithatë, nuk do të mund t’i vazhdojë proceset integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë.

“Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë – pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Hovenier.

Sipas tij, kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, duke marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe se një nga synimet më të mëdha strategjike është “ta shohim Kosovën që ka zënë vendin e saj, duke mbështetur Kosovën të zërë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

“Si ambasador i Amerikës në Kosovë, jam shumë rehat me atë që po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë, atë që po kërkojmë nga populli i Kosovës. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim dhe shpresoj se është shumë e qartë: SHBA-ja ka një përkushtim të fortë afatgjatë ndaj popullit të Kosovës”, tha ambasadori Hovenier.

“Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tash për tash të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, qëllimisht, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, shtoi ai.

Hovenier iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Në mesin e kërkesave të BE-së, por edhe SHBA-së, është që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore.

“Jemi të interesuar të shohim procesin që ecën përpara”

Hovenier tha se mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe është një nga pikat që është identifikuar nga BE-ja si diçka që mund të shtensionojë situatën në këtë pjesë të vendit, dhe se SHBA-ja pajtohet me këtë kërkesë.

“Jemi të shqetësuar sa i përket situatës në veri të Kosovës dhe i kemi kërkuar Qeverisë të marrë masa. I kemi kërkuar edhe Qeverisë së Serbisë të marrë masa për të arritur shtensionim në veri të Kosovës. Ne duam të shmangim trazira, kërcënime të dhunës, dhe gjëra të tjera të cilat pengojnë aftësinë tonë për të punuar me palët për t’u fokusuar në objektivat strategjike, që është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, nga të dyja palët”, tha ai.

Hovenier tha se Kosova është zotuar se do të përmbushë pikat e rëna dakord mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe emisarit evropian Miroslav Lajçak, në Bratisllavë për shtensionimin e situatës në veri, dhe se SHBA-ja e mirëpret dhe e sheh këtë si hap pozitiv drejt shtensionimit.

“Pyetja se si do të mbahen zgjedhjet në veri është pyetje e brendshme për Kosovën. Se a bëhet kjo bëhet përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave, ose nëse bëhet përmes një procesi ku votuesit votojnë për t’i larguar kryetarët aktualë [peticioni]…ne jemi të interesuar vetëm të shohim procesin qe po ecën para”, theksoi ambasadori amerikan.

Në Bratisllavë, më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja u pajtuan për hapa drejt shtensionimit të tensioneve në veri, ku janë përfshirë edhe tërheqja e policisë dhe mbajtja e zgjedhjeve.

Kosova “të ndërmarrë veprime që promovojnë lëvizjen e lirë të mallrave”

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, Qeveria në Prishtinë më 14 qershor vendosi ndalesë ndaj importit të mallrave serbe.

Hovenier përsëriti qëndrimin se Uashingtoni mbështet nisma që lehtësojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

“Pasi Kosova dhe Serbia aspirojnë integrimin evropian, të dyja shtetet duhet të ndërmarrin veprime për të promovuar më shumë lëvizjen e mallrave përmes kufijve të tyre dhe jo të ndërrim hapa që pengojnë lëvizjen”, tha ai.

Hovenier tha se SHBA-ja e trajton si çështje serioze ndalesën, e cila se duket që po pret edhe importet me ilaçe dhe furnizimeve të tjera shëndetësore nga Serbia në Kosovë. Ai shtoi se “si e kuptojmë ne se ilaçet dhe funirzimet e tjera shëndetësore janë importuar nga Serbia në Kosovë sikurse para 14 qershorit”.

I pyetur për një deklaratë të ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, se Prishtina do të anulonte vendimin për mallrat nëse Bashkimi Evropian do të hiqte masat ndëshkuese ndaj Kosovës, Hovenier tha:

“SHBA-ja vazhdon ta inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime që promovojë lëvizjen e lirë të mallrave, pa referencë nëse BE-ja ndërmerr hapa ose jo. Unë do të këshilloj që të mos lidhen veprimet e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje me pritjet se çfarë BE-ja çfarë do të bëjë ose jo me ato që i cilëson si masa të përkohshme dhe të kthyeshme”.

Komuniteteve “t’u ofrohet mbrojtje ligjore”

Sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë, Hovenier tha se prioritet i Uashingtonit është ajo që thuhet në Kushtetutë dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova është shtet shumetnik, ku ofrohet mbrojtja e nevojshme për komunitetet.

“Besoj se disa nga këto komunitete janë të pakënaqura. Ata ndiejnë se nuk po marrin mbrojtjen ligjore dhe nganjëherë edhe respektin që po e kërkojnë brenda shoqërisë apo edhe nga Qeveria. Pjesë e dialogut tonë me Qeverinë dhe organizata të shoqërisë civile se si mund të ndihmojmë Kosovën që të jetë më e suksesshme në integrimin dhe që të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë të tyre, të ndiejnë se kjo është shtëpia e tyre, ku trajtohen me dinjitet, respekt dhe siguri. Ka pasur përparim në shumë fusha, por mendoj se ende ka shumë punë që duhet bërë”, tha ambasadori amerikan.

O’Brien “ka njohuri për Kosovën dhe Serbinë”

Ambasadori Hovenier foli edhe për nominimin e Jim (James) O’Brien, në postin e ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. Edhe pse tha se praktika është që të komentohet derisa ai të marrë konfirmimin nga Senati amerikan, ambasadori Hovenier theksoi se shpreson që O’Biren të zgjidhet në këtë post për të “avancuar qëllimet strategjike të SHBA-së në Kosovë.

“E gjitha që mund të them është që presidenti [amerikan Joe,] Biden beson se ka nominuar dikë që është shumë i aftë për këtë pozitë. Unë kam pasur kënaqësinë që në të kaluarën të punoj me zotin O’Brien për çështje të rajonit. Qartësisht ai ka shumë njohuri për rajonin dhe po ashtu ka njohuri dhe eksperiencë për Kosovën dhe Serbinë”, tha Hovenier.

O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

Ai po ashtu ka shërbyer në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

Ndërkaq, që nga viti 2022, punon si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit./ REL

Leave a comment