Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“PUSHTETI I KANCEROZËVE”

IMG-20231004-WA0001 (1)

Ky është titulli i romanit më të ri të shkrimtarit të njohur Kleo Lati. Një titull tronditës. Sepse i tillë është realiteti që jetojmë. Nuk është fantazi e shkrimtarit. As mit nuk është. Thjesht një realitet i ashpër, i vrazhdë, shpesh në kufijtë e absurdit, që shkrimtari e pasqyron mjeshtërisht që nga faqja e parë deri në atë të fundit të romanit.
Po përse shkrimtari e quan Pushteti i kancerozëve? Përgjigjen e jep vetë shkrimtari, përmes një prej personazheve të tij: “Ka shumë lloje kanceri. Kancer në mushkëri, në lëkurë, në pankreas, në mitër, në zorrën e trashë, në… Te kancerozët e pushtetit është shumë agresiv kanceri i korrupsionit, i antihumanizmit. Ky kancer u prek atyre, më shumë se çdo gjë tjetër, dy organe: sytë dhe zemrën. Sytë u dëmtohen në mënyrë shumë të çuditshme. Nuk verbohen, nuk e humbasin shikimin. Madje shikimi as u turbullohet fare. Këta kancerozë të privilegjuar shohin shumë mirë, por me një dallim nga sytë e të tjerëve: nuk shohin atë realitet që shohin njerëzit e zakonshëm. Edhe ngjyrat i shohin ndryshe nga ata… U dëmton keq edhe zemrën. Dëmtimi që kancerozëve të pushtetit u shkaktohet në zemër është edhe më i madh se ai te sytë. Kanceri i korrupsionit nuk u dëmton funksionimin normal fiziologjik të zemrës, as ritmin e rrahjeve të saj. Shkakton një dëm shumë më të rëndë, që as mjekët më të mirë nuk janë në gjendje që ta pikasin, le më pastaj që të përcaktojnë saktë diagnozën. Ky lloj kanceri këtyre njerëzve ua zvogëlon aq shumë zemrën, sa zor të imagjinohet. Por edhe ajo pak zemër që mbetet, ashtu e zvogëluar sa një gogël, bëhet një masë e fortë si gur, thuajse e pandjeshme”.

Ky realitet i trishtë, ky zvetënim moral dhe shpirtëror i shoqërisë, kjo bjerrje e vlerave dhe pangopësia e pushtetit që lufton më shumë për mirëqënien e atyre që vegjetojnë në “pavijonin” e stërmadh të kancerozëve të pushtetit, – njerëz të sëmurë nga virusi i antihumanizmit, i etjes për pasuri dhe pushtet, pacipësia e tyre dhe padrejtësia, imoraliteti, e zemëron shkrimtarin, i cili me mjeshtëri jep përthyerjet e karaktereve të njerëzve të veshur me pushtet përmes pasqyrës së tij refleksive. Kjo gjë shkrimtarit ia mpreh akuzën, dhe këtë gjë ai e arrin me sukses jo përmes retorikës, por përmes ndjeshmërisë që përcillet te lexuesi.

Antihumanizmi, korrupsioni, pangopësia dhe imoraliteti i njerëzve të veshur me pushtet – kjo është sëmundja që e bën këtë vend të lëngojë jo pak në tërë këto vite të një tranzicioni të stërzgjatur. Metastazat e kësaj sëmundjeje janë përhapur dhe kanë prekur “organet” jetike të trupit të drobitur të shoqërisë, e cila jeton plot ankth, stres, agoni. Ky roman është vetë realiteti ynë, i skanuar artistikisht me mjeshtëri letrare por edhe me shqetësim qytetar prej shkrimtarit Kleo Lati në këtë roman kaq aktual, që vjen pas romanit të tij të mëparshëm me titull “Shpirtra të shitur”.

Me një shqetësim të fortë qytetar shkrimtari shkruan: “Një komb rrezikohet kur një popull i tërë argëtohet me banalitetin. Kur duartroket antivlerat dhe nënçmon vlerat. Kur shkel çdo parim moral dhe u nënshtrohet politikanëve egoistë dhe të pangopur që mendjen e kanë te pasurimi i tyre i pafre. Kur marroset pas sharlatanëve dhe nuk ia ndjen fare për artistët, poetët, piktorët, muzikantët… Kur politikanët bëjnë biznes me fatet e një populli të tërë dhe populli argëtohet, nuk revoltohet, por nënshtrohet. Kur sillet tamam si një grigjë ndaj barinjve, të cilët u zgjedhin vendet ku do kullosin, madje dhe barin që do hanë…”.

A. Milo

Leave a comment