Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Lamtumirë Lefter kultura i Dropullit!

387102574_814736710657690_4087264751561052375_n

Nga Aleksandwr Cipa-

Dropulli, krahina më shkëlqyese ku rrojnë grekë të Shqipërisë, sot ka humbur Lefter Kulturën.
Lefter Kondo ishte Ai që do të mbetet, në kujtesë të shumë artistëve të kësaj krahine të Shqipërisë, të artistëve të Shqipërisë dhe të atdheut të tij, Greqisë.
Lefter Kondo ishte krijuesi dhe udhëheqësi më jetëgjatë i ansamblit të ngjyrave ” Dropulli”.
Një krijues me shije dhe urtësi, një organizator që printe me thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e vet, një zotni që e fshihte sharmin prej artisti në thellësi të vetes dhe e dhuronte në performimin e trupës që krijoi.
Disa kryevepra të ansamblit ” Dropulli”, si vallja e famshme ” Karaguna”, apo ” Kleftiko”, apo ” Sti Deropoli ston kambo” u mblodhën me sqimë nga Lefter Kondoi dhe u bënë repertor unik i asaj trupe që do të mbahet mend si modeli më i lartë estetik dhe elegant i koreografisë popullore në hapësirën mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Lefter Kultura ishte mik i hershëm i tim At-i. Ishin të dy me një emër, në një vend dhe që aq bukurisht përfaqësuan dy popuj, dy kultura, dy kombe dhe një jetë, në dy kohë dhe në të njëjtat prirje.
Lefter Kondoi, në kohën kur im At lëngonte nga dhimbjet e tmerrshme, mbulohej nga rënkimet e vetvetes, nxorri nga arkiva e vet personale një letër, të cilën ma nisi në Tiranë me atë përkujdesin dhe dashurinë natyrale të artistit për artistin, duke qenë besnik i kohëve prej artisti. Një nga kujtimet epistolare më të veçanta e të sinqerta, nga Lefter Kondo për Lefter Çipën.
I dyti, mërgoi nga kjo jetë nën dhe, tri vite më parë dhe e la në prekje mikun e vet. Ndërsa Kondoi shkoi sot në tokën e Dropullit, duke e lënë shtëpinë e tij, vilën e gurtë ndanë rrugës nacionale në Grapsh, të fshehur në gjelbërim, si në një art të natyrës ku nuk duhet të bien në sy ikjet.
Lefter Kondo shkoi sot dhe na la, të gjithë ne bashkëkohësit dhe njohësit e vet, në imazhin e bukur të veprës së tij; atë të ” Dropullit” me ngjyra, të artit të shkëlqyer dropullit të cilin e strukturoi dhe e shëtiti nëpër skena si një kurorë me brendi të paheqshme përjetësie.
Prehu në paqen tënde, me dritën e shpirtit që pate dhe ke, Lefter Kultura i Dropullit!
Lamtumirë miku i shtëpisë sime!!

Leave a comment