Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gjermania është serioze për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe integrimin e rajonit në BE

-800-0-7fc5f5c04402fc404cf1321ed49c34d1

Nuk ka më dyshime se Berlini është tashmë i vendosur: Çështja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet dhe t’i hapet rrugë gjithë rajonit në integrimin drejt Bashkimit Evropian.

Kurrë më parë gjuha e diplomacisë gjermane nuk ka qenë aq e prerë sa ajo e ministres së Jashtme, Annalena Baerbock, të premten e 6 tetorit në Tiranë, gjatë ministerialit të Punëve të Jashtme në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Baerbock, nënvizoi më shumë se një herë dy qëndrime të qarta gjermane në konferencën për shtyp të mbajtur pas ministerialit.

Në rend të rëndësisë kronologjike, i radhiti të tilla: Nuk ka alternativë tjetër për Kosovën dhe Serbinë, veç angazhimit në dialog për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, si edhe rajoni të integrohet sa më parë në union, me këtë të fundit dhe posaçërisht Gjermaninë, të cilat duhet të mbajnë gjithë premtimet e dhëna ndaj Ballkanit Perëndimor.

Deklarata qartësisht pasqyron edhe një vullnet tërësor të gjithë BE-së mbi dy çështjet.

Faktin se pavarësisht gjithçkaje ndodhi në veri të Kosovës, me sulmin terrorist serb ku i vrarë mbeti një efektiv i Policisë kosovare, dialogu mbetet skakiera ku çështja zgjidhet, e kanë përmendur të gjithë, prej kancelarit Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron, apo kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Është e dukshme se Baerbock nuk po shpreh thjesht një angazhim të shtuar gjerman, por edhe një kompozim të ri në tryezë, me Evropën krejtësisht të ulur këmbëkryq me Kosovën, në anën e saj, për të siguruar se agresioni serb nuk do të mbetet i pandëshkuar dhe se çështja e tyre do të zgjidhet me marrëveshje.

Në anën tjetër, do t’i hapte kjo rrugë edhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e tha po ashtu qartë pas takimeve me Komunitetin Politik Evropian në Granada, se Evropa e ka prioritet zgjerimin edhe me mbi 30 anëtare.

Por, kushdo që do hapjen e portave të perëndimit, duhet të bëjë detyrat e shtëpisë dhe ta meritojë pozitën. Në këmbim, BE-ja do të kryejë detyrat e saj dhe do të mbajë premtimet.

Në vizion të mëtejshëm, si për “ironi të fatit”, edhe thirrja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për Macron e Scholz, që të përfshihen drejtpërdrejt në dialog, është dëgjuar, qoftë rastësisht ose qëllimisht.

Është e konfirmuar tashmë se në Samitin e Procesit të Berlinit, të dy liderët më të rëndësishëm evropianë, do të jenë në tryezën e gjerë që Shqipëria do të presë.

Njëkohësisht, vetë Rama – ndër pak materialet që publikoi nga samiti i Granadas – tregoi një tryezë ku të pranishëm ishin Scholz e Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ai britanik, Rishi Sunak, holandezi Mark Rutte dhe vetë Rama.

Pavarësisht se kryeministri nuk pranoi publikisht nëse kjo tryezë kishte për funksion çështjen e Kosovës, ai la të nënkuptuar se Shqipëria ka bërë “atë që duhet të bënte dhe çfarë duhet të bënte”. Pra, se teknikisht për Kosovën është folur me liderët e mëdhenj.

Është në fakt tashmë punë e kryer që vetëm një angazhim në këto nivele të larta mundet të sjellë rezultate.

Po ashtu si është fakt se kryeneçësia ballkanike, është frenuese e procesit.

Për shembull, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, e bojkotoi foton familjare të ministerialit, vetëm sepse ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ishte pjesë e saj.

Kjo e fundit, tha se pa sanksione ndaj Serbisë, Kosova nuk ulet në tryezë bisedimesh.

Zgjidhja duhet parë si vjen, në kushtet edhe kur komisioneri evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, i radhiti katër themele kryesore që përshpejtojnë integrimin e rajonit në BE (duke kryer dhe shlyer çdo detyrim).

Rrugën pritet që atyre t’ia hapë vetëm dialogu i Serbisë dhe Kosovës, i cili do të shohë një momentum kyç në Samitin e Tiranës. Vetë Macron e ka pohuar diçka të tillë…

Related Posts

Leave a comment