Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ky gazetar që kërkon pagën e vet me të drejtë, mbështetet nga UGSH!!!

308486291_400353925592954_3583435383112539633_n

Reagim pas denoncimit të kolegut Edi Ruçi
Tiranë më 8.11.2023
Reporteri Edi Ruçi prej vitesh raporton nga qyteti i Vlorës dhe ka punuar për disa media, kryesisht audiovizive. Prej disa ditësh në faqen e vet personale në fb ka denoncuar faktin e vonesës dhe moslikuidimit të detyrimit financiar për punën që ka bërë pranë dy televizioneve, përkatësisht Ora News dhe Ora TV. Bashkëngjitur me reagimin tonë si UGSH po publikojmë edhe kërkesën dhe denoncimin publik të faktit të vet.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes zyrës së vet në Tiranë, ka adresuar përsëritshëm kërkesa për sqarimin e çështjes dhe është vënë në përpjekje për zgjidhjen e problemit të kolegut. Kurajua e kolegut Edi Ruçi gjen plotësisht përkrahjen tonë. Ne i kërkojmë administratorit të kësaj medieje të respektojë detyrimet financiare ndaj kolegut për punën që ka kryer.
Edhe pse situata në këtë medie është komplekse, administratorët i kanë të gjitha mundësitë të respektojnë detyrimet financiare ndaj punonjësve dhe gazetarëve të tyre.
UGSH pret nga administratori aktual i televizionit ta trajtojë me urgjencë këtë rast dhe në respekt të detyrimit dhe punës së tij, të kryejë pagesat e prapambetura.
Ne jemi në ndjekje të përditshme të këtij ankimimi i cili ka mbërritur jo vetëm pranë UGSH, por përsëritshëm pranë sektorit financiar dhe administratorëve të kësaj medieje.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
********
Letër- denoncimi i gazetarit Edi Ruçi
Përshëndetje !
Unë jam Edi Ruçi, gazetar prej vitesh I qytetit të Vlorës. Do të doja të raportoja tek ju, një problematikë, denoncim, rreth televizionit “Rtv Ora dhe Ora News” në të cilin unë kam punuar.
Në televizionin “Ora News” unë kam filluar punën si gazetar, korrespodent për Vlorën në muajin Maj 2019, teksa kam punuar deri në 16 Maj, 2023, duke I dedikuar 4 vite të jetës dhe punës sime.
Padrejtësitë ndaj meje fillojnë në Dhjetor të vitit 2022, kur pagesat mujore po shpërndaheshin me vonesë, teksa shpenzimet e karburantit, dietat për realizimin e lajmeve nuk po na jepeshin.
Në 10 Maj 2023, duke parë vonesën në dhënien e rrogës, të gjithë si korrespodent kërkuam garanci për pagesat dhe vijimin e punës sonë.Me një mesazh në grupin e përbashkët në rrjetin social Whatss app, ku ishin pjesë të gjithë korrespodentët e rretheve, na u garantua se pagesat do të kalonin të gjitha, teksa televizioni do të vazhdonte nga puna pavarësisht situatës. Kjo gjë, siç duket edhe në fotot që j’ua kam vendosur në dispozicion na u garantua nga pronari I televizionit Ylli Ndroqi, si dhe drejtuesja e këtij të fundit
Në 16 Maj 2023, në më pak se 6 ditë, të gjithë korrespodentët e rretheve dhe operatorët që punonin sëbashku u pushuan nga puna pa asnjë lajmërim, duke shkelur në këtë mënyrë jo vetëm rregullat bazë të punës për lajmërim 15 ditë minimalisht përpara, por edhe fjalën e dhënë nga drejtuesi Ndroqi.
Sot, duke folur në personale, pasi nuk jam vetëm unë që e vuaj këtë mungesë së korrektësisë, unë kam ende 1 rrogë e cila më është mbajtur si garanci në muajin e parë të punës në vlerën 35 mijë lekë të reja si dhe 6 muaj shpenzime të karburanit dhe diatave të punës që nuk më janë dhënë.
J’ua kam vendosur në dispozicion të gjitha këto shpenzime televizionit “Ora News”, financës së këtij televizioni, si dhe kryeredaktorit. Shpenzimet e karburantit janë konfirmuar nga televizioni në fjalë por nuk janë paguar ende. Shpenzime këto në kuotën 65 mijë lekë të reja
Gjithashtu unë kam filluar punë tek televizioni në fjalë në Maj 2019, teksa në skemën e sigurimeve shoqërore kam kaluar në korrik 2021. Më tepër se 2 vite punësim në këtë televizion, që konfirmohej se ishim të siguruar, kur në faktë nuk ishim pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore. Gjithashtu pavarësisht se kaluam në skemën e sigurimeve, pas shumë këmbënguljesh nga gazetarët e rretheve pasi televizioni nuk donte të paguante më tepër, shumë prej muajve të punës, janë deklaruar por nuk janë paguar.
Si një gazetar me eksperiencë, të cilit po I cënohet e drejta për të marrë vlerësimin mbi punën e tij, por mbi të gjitha është shkelur një prej të drejtave themelore të kodit të punës, asaj të largimit nga puna pa asnjë lajmërim dhe në afat të shkurtër unë kërkoj nga institucioni juaj zgjidhje !
Duke mos patur asnjë derë se ku të trokasë, pasi televizioni pavarësisht kërkesave të mia nuk reagon, kërkoj mbështetjen tuaj, për të marrë atë që më takon !
Kam besim se këtë emaile, do ta merrni parasysh dhe do të më gjendeni pranë në problemin që unë kam !
Shpresoj shumë në kthimin e një përgjigjeje prej jush sa më parë, pasi për mua kjo çështje ka shumë rëndësi !

Related Posts

Leave a comment