Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një fjalë shpirti shqiptarëve të Vjenës

IMG_0177

M. Z.

“Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”. Kjo sentencë e Kadaresë fiton tjetër vlerë kur për popullin/kombin mendojnë edhe ata që jetojnë larg atdheut. Ndonjëherë, kontributi i tyre kalon pa u vënëre, por ka disa gjëra, siç është për shembull ruajtja e traditave dhe e vlerave shqiptare, ruajtja e gjuhës, ruajtja e kompaktësisë së komunitetit, të cilat nuk mund të realizohen nëse në zemër nuk e ke dashurinë për kombin…

M’u desh të kthehem përsëri në Vjenë, kësaj here si e ftuar nga Shoqata Kërçova dhe për një arsye tepër të veçantë: do të kremtonim së bashku Ditën e Flamurit. Në fakt, është hera e parë që marr një ftesë të tillë dhe më duhet të them se, kur bëhet fjalë për miqtë e mi kërçovarë pres gjithnjë gjëra të bukura, nga ato që bëhen me shpirt, siç vetëm ata dinë t’i bëjnë. Unë tashmë e kam me ta një lidhje shpirtërore, së pari sepse janë shqiptarë të mirë, e së dyti, sepse si shqiptarë janë përpjekur t’i lartësojnë vlerat e shqiptarëve, të punojnë që ato të mos zbehen, të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të gjithçkaje që është shqiptare e që na bën të krenohemi

Festa u kremtua më datë 25 nëntor. Më shumë se për festën isha e ngazëllyer që do i takoja përsëri miqtë e mi, Halil Halilin, ose fort djaloshin, siç tashmë e thërras unë, EnverAbazin, Blerim Sadikun e të gjithë të tjerët.

Në fakt, unë u përulem dhe u jam mirënjohëse këtyre njerëzve, sidomos për ndihmesën që ata japin për ruajtjen e gjuhës shqipe. Dhe e di se Festa e Flamurit është veç një ditë, ndërsa puna e tyre është e gjithëkohëshme. Se synimi i tyre është të bëjnë bashkë çdo shqiptar, jo veç për festë, por përgjithnjë, se mesazhet që ata përcjellin duke qenë të bashkuar, janë provë se komuniteti shqiptar është komunitet me peshë, por është i tillë falë tyre si dhe shqiptarëve të tjerë, si Anton Marku, Bahri Troja, Samed Vinca, Bashkim Haziri, Shefqet Balaj e shumë të tjerë, të cilët unë nuk kam patur mundësi t’i takoj, por e bindur pohoj të vërtetën se janë ambasadorët më të mirë që lobojnë për Shqipërinë e madhe europiane.

Unë i kam parë se si punojnë; jam dëshmitare se çdo punë e tyre është në të mirë të kombit. Unë mendoj se pa kontributin e tyre nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Europian e nëse BE-ja propagandon aq shumë vlerat e saj, ajo është e paplotë pa përfshirë dhe ato të kombit tonë, vlera, të cilat, me shumë krenari po i lartësojnë shqiptarët kudo nëpër Europë.

Në Vjenë ndodhin gjithnjë gjëra të bukura. Për mua, kryeqyteti klasik i Europës, është dhe çështje shpirti. Mendoj se kombi shqiptar më shumë se sa e ka të lidhur fatin me Austrinë, nuk e ka me asnjë shtet tjetër. Edhe historia na e tregon këtë. Ka një lidhje zemre me këtë vend që ka bërë aq shumë për popullin shqiptar.

Më vjen mirë që tradita e mirësisë vijon e po ashtu jam e lumtur të jem dëshmitare e punës së jashtëzakonshme që po bëjnë shqiptarët në Austri për çështjen kombëtare.

Ne shqiptarët asnjëherë si kemi patur punët e thjeshta. Por kësaj herë jam besimplotë se era e perëndimit fryn kah neve. Se i kemi ca bij që e dinë çështë më e mirë për kombin e që po e tregojnë çdo ditë se ky komb i përket Europës. Me ta krah nesh, gjithçka bëhet më e arritshme. Edhe unë, kur promovoj shqipen kudo nëpër institucionet shkencore e universitare europiane, e kam tashmë më të thjeshtë, sepse e di që po punohet për vlerat e kombit shqiptar, për gjuhën e kulturën, jo vetëm në Austri, por edhe në Suedi, Zvicër, Gjermani etj.

Kombi, shpesh përkufizohet si një bashkim shpirtëror, sipas parimit se ajo çka ne zgjedhim të kujtojmë/ respektivisht të bëjmëdhe ajo çka zgjedhim të harrojmë/ të mos bëjmë janë faktorë përcaktues të fatit të tij.

Ne tashmë kemi zgjedhur të bëjmë më të mirën e unë jam e bindur se më e mira ende s’ka ndodhur. E qenësishme është të ndodhë.

Dhe meqë jemi te gjërat e bukura, dua ta ndaj dhe një arritje personale, që pashmangshmërisht lidhet me Vjenën. Bëhet fjalë për marrjen e titullit “Ambasadore e paqes” nga Federata Universale e Paqes, me president Dr. Peter Haider dhe nga Këshilli Shqiptar i Paqes, me drejtues Bahri Trojën. I jam mirënjohëse të dy drejtuesve që besojnë te vlerat e mia dhe po ashtu që më shohin të denjë për një mision të tillë që lidhet me ruajtjen e paqes. Marrja e këtij titulli nga një organizatë elitare si Universal Peace Federation është për mua nderim i veçantë, duke patur parasysh punën e jashtëzakonshme qe dr. Haider dhe bashkëpunëtorët e tjerë bëjnë për paqen.

Jam vërtet e lumtur që nderohem me këtë titull dhe zotohem se do vijoj punën time për arritjen e paqes, sidomos nëpërmjet promovimit të gjuhëve, të cilat shërbejnë si ura lidhëse mes kulturave.

Leave a comment