Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Lindi 91 vjet më parë në Sarajevë: Aktorja e madhe Tinka Kurti feston sot ditëlindjen!

-640-0-58a8b9235540d0ecc7410860ac6c8312

Aktorja e madhe shqiptare e skenës dhe ekranit, Tinka Kurti feston sot 91-vjetorin e lindjes.

Tinka Kurti u lind më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Familja e saj shpërngulet, kur ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaron arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 niset në Tiranë për të studiuar në Politeknikun e Tiranës.

Megjithëse ka lindur në Sarajevë ajo është shprehur se: “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”.

Sikurse e thotë shpesh edhe vetë Tinka Kurti, ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe.

Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vite u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role.

Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”.

Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.

Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”./dritare.net

Related Posts

Leave a comment