Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Lumturia e të tjerëve” – magjia e poezisë së Olimbi Velajt

IMG_3754

U përurua sot në ambientet e teatrit te Durrësit vëllimi poetik “Lumturia e të tjerëve” i poetes Olimbi Velaj.

“Lumturia e të tjerëve”, është fitues i Çmimit Kombëtar për Letërsinë për vitin 2022 dhe fitues i Fondit të Përkthimit në gjuhë të huaj nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në gjuhën italiane.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe botuesi italian Claudio Moica, si dhe përkthyesja e poetja Valbona Jakova, pedagogia dhe studiuesja e letërsisë Drita Isufaj e të ftuar të tjerë. Takimin e moderoi Teuta Dhima, bibliografe pranë Bibliotekës publike të Durrësit.

Në fjalën e saj, studiuesja Isufaj u shpreh se, poezia e Olimbisë është një poezi elitare, që nuk e përsërit vetveten.

Ndërsa përkthyesja e poezive në gjuhën italiane, Valbona Jakova, u shpreh se, poezia e Olimbisë është magji në vetvete dhe që përkthehet shumë bukur në të gjitha gjuhët, për shkak të natyrës së poezisë.

Ndërkaq, botuesi italian, Claudio Moica, u shpreh se është i dashuruar me poezinë e Olimbisë, se e lexon poezinë e saj dhe hyn në një botë tjetër, në një ishull ku shkon e strehohet. Sipas tij, Olimbia është poete e mirëfilltë dhe muzikaliteti i poezisë së saj vjen shumë natyrshëm edhe në italisht.

Ndërsa studiuesi Met Dervishi tha se, poezia e Olimbisë është shumë e veçantë dhe se krijimtaria e saj sjell gjithnjë diçka të re. Ai u ndal veçanërisht te vargjet e poezisë, “Ndoshta nuk më mungon ti”, për të cilat tha se janë vargje të jashtëzakonshme.

…Ndoshta nuk më mungon ti,

por mënyra se si të desha…

Ky vëllim është libri i parë i Olimbi Velajt i botuar jashtë Shqipërisë.

Vetë poetja e konsideron botimin e librit edhe një borxh që ia kishte së pari vetes dhe lexuesve të poezive të saj që nga koha kur debutoi me ciklet e para në faqet letrare të gazetave dhe revistave të Tiranës së viteve ’90.

Vëllimi “Lumturia e të tjerëve” u botua shqip-anglisht gjatë vitit 2022 nga “Aleph”, Shqipëri dhe shqip-italisht nga “Il Pettirosso”, Itali.

Ky vëllim poetik u përzgjodh nga juria profesionale e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit si libër fitues i fondit të përkthimit të veprave letrare shqiptare në gjuhë të huaja dhe u sponsorizua nga fondet e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë.

Leave a comment