Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujton shkrimtarin Fatos Arapi

-800-0-60f668106c4d9

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi të hënën shkrimtarin Fatos Arapi, në ditën e tij të lindjes. Ai është poeti kontemporant i vargjeve elegjike. Lindi në Zvërnec të Vlorës dhe studimet e larta për ekonomi i kreu në Sofje të Bullgarisë. Për sensin e tij të kritikës antiburokratike dhe analizës të fortë që ndodhi në Pleniumin e IV, për kritikën e veprës “Drama e një partizani pa emër”, në vitin 1973 e qarkullojnë nga pozicioni i pedagogut drejt shkollës së mesme të natës “Sami Frashëri” të Tiranës. Fatos Arapi ka botuar vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”, tregime të shkurtra si “Në Tiranë kur s’ke ç’të bësh”, “Horrat e ndershëm” e shumë vepra të tjera. DPA shkruan se Arapin do të mund ta gjejmë edhe në trajtën e përkthyesit atë të Nerudës, Safos e Antologji e poezisë turke të shekullit XX, si edhe si studiues të temave të historisë si “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehet se e përkujton rolin e tij në panteonin e kulturës shqiptare me anë të dokumenteve në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Në shkrimet më parë rreth tij, thuhet se poezinë e Fatos Arapit e dallon mendimi përgjithësues dhe forca e depërtimit në botën e individit dhe përsiatjet e tij subjektive. “Me kalimin e viteve ajo është bërë më metaforike; përmes vargjeve eliptike dhe përmes simbolit e alegorisë, ajo synon të hyjë në nënshtresat e ndërgjegjes dhe në të fshehtat e shpirtit njerëzor. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizmin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri.

Metonimia, simboli, detajet e goditura i japin forcë shprehëse kësaj poezie”, shkruhet për krijimtarinë e tij. Fatos Arapi është një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shek. XX, përfaqësues parësor i Brezit të viteve 1960, që modernizoi vjershërimin dhe mjetet e shprehjes letrare në përgjithësi. Fatos Arapi lindi më 19 korrik 1930 Vlorë dhe u ndaj nga jeta më 11 tetor 2018.

Leave a comment