Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

IN MEMORIAM: BEHLUL BEQAJ, INTERVISTA E FUNDIT PËR KDPOLITIK

Behlju-Becaj

Politikologu nga Prishtina, Behlul Beqaj, profesor universitar, ndërroi jetë sot në moshën 65-vjeçare. Njerëz që e njihnin dhe miq të shumtë kanë shprehur ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale, duke ndarë dhimbjen me familjen beqaj.

I trishtueshëm ishte ky lajm edhe për redaksinë e KDPOLITIK.COM, portal për të cilin kontribuonte edhe Behlul Beqaj.

Si redaksi Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Beqaj, kurse lexuesve tanë ua sjellim sërish intervistën e fundit, të dhënë para disa muajsh.

***********

KDP: Zoti Beqaj, cili është vlerësimi juaj për këtë vit (2021). Cilat ishin dritëhijet e tij në Kosovë dhe për Kosovën?

BEQAJ: Ky vit mund të vlerësohet si vit i shpresës së ndryshimit të madh dhe zhgënjimit të vazhdueshëm për shkak të mospërmbushjes së pritjeve të fryra dhe gabimeve amatoreske siç ishte vendosja e tiketës prej pesë eurosh për veturat që e kanë kryer kontrollin teknik, apo shkarikimet an blok të bordeve, ambasadorëve, në kundërshtim me ligjet dhe pa vlerësuar perfomancat individuale!

 

KDP: Si e vlerësoni shkëlqim – rënien e Vetëvendosjes së z. Kurti: fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare dhe – humbi bindshëm garën për pushtetin vendor?

BEQAJ: Përgjysmimi i elektoratit është pasojë e shumë faktorëve, por para së gjithash përceptimit të gabueshëm të vullnetit politik të votuesve që votuan ndryshimin e madh në shkurt të 2021 nga ana e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Ata përvetësuan fitoren plebishitare e cila në fakt ishte  aproksimativisht 50 % reagim i zhgënjimit ndaj ish-pushteteve, ndërsa vetëm 50% mbështetje ndaj  Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që shihet në faktin se i njëjti elektorat e përgjysmoi  pas tete muajve mbështetjen ndaj kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale që ishin më shume loajal ndaj Kurtit sesa personalitete që mbështeten nga mjediset e veta.

 

KDP: Nga ky këndvështrim, cilat janë problemet dhe sfidat kryesore të Qeverisë Kurti? Është folur e debatuar shumë për prioritetet e politikës kosovare. Zoti Kurti dialogun me Serbinë e ka vendosur diku nga mesi, për të mos thënë nga fundi i objektivave të tij, ndërkohë që realiteti imponon të kundërtën. Përse?

BEQAJ: Fillimisht, Albin Kurti  gabimisht e ka kuptuar mesazhin dhe vullnetin politik të trupit zgjedhor. Vetëvendosja e ka përvetësuar fitoren plebishitare sikur të ishte meritë ekskluzive duke anashkaluar pakënaqësinë e akumuluar të qytetarëve me pushtetet e kaluara që krijuan klimën e domosdoshmërisë së ndryshimit të madh. Qytetarët kanë votuar aq kundër pushteteve të kaluara sa kanë votuar për fituesin e zgjedhjeve të shkurtit, kjo  shihet nga rezultati i përgjysmuar në zgjedhjet lokale të tetorit, përkatësisht nëntorit të vitit 2021.

Se dyti, pushteti i Albin Kurtit ka krijuar qasje joreale ndaj problemeve reale të brendshme dhe atyre të jashtme. Pushteti plebishitar ka injoruar shëndetin dhe jetën e qytetarëve gjatë periudhës së përshkallëzimit të pandemisë së koronavirusit duke i dhënë përparësi interesit ekonomik. Në një moment ishim kampion bote (gusht – shtator 2021), sipas numrit të të vdekurve dhe te infektuarëve nga Covidi 19! Dhe,  përderisa po përballeshim me eskalimin e pandemisë, Albin Kurti shkon në Shqipëri për të mbështetur degën e VV –së në zgjedhjet e atjeshme nacionale duke i dhënë përparësi ambicjes lideriste gjithëkombëtare na raport me problemin jetik te brendshëm…!

Se treti, Albin Kurti dhe pushteti aktual kanë sjellje arrogantë ndaj opozitës. Në vend se të krijojë kohezionin e domosdoshëm të brendshëm me opozitën, zoti Kurti ka provokuar me arrogancë opozitën edhe nga foltorja e Parlamentit duke thënë se opozita mbase nuk di as të kritikojë, se ai është i gatshëm ta mësojë opozitën, por paraprakisht duhet të ftohej prej tyre … ?! Për më tepër, ai nuk u kënaq me këtë, por në një rast tjetër opozitës nga foltorja i porositi: ”Mos më detyroni të shkoj në zgjedhje të reja se e dini çfarë … “(Ju pret), duke aluduar ne zgjedhjet kombëtare!

Së katërti, politika aktuale e Albin Kurtit ka vlerësim joadekuat dhe përgjegjësi ndaj kontekstit ndërkombëtare, veçmas ndaj administratës se re amerikane. Njëri nga dështimet më serioze të tij është vlerësimi i papjekur i kontekstit ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Injorimi i kërkesave të administratës amerikane dhe BE për implementimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe të popullsisë me gjasë do të ndikojë vendosmërisht në karrierën e Albin Kurtit në të ardhmen dhe të VV-së, ngase rreth kësaj çështje do të “ndahet lumi“.

Së pesti, dështimi i plotë i kandidatëve të VV-së për kryetarë të komunave të Kosovës dëshmon faktin se përzgjedhja e kandidatëve ishte më shumë zgjedhje personale e z. Kurti sesa reflektim i mbështetjes së tyre nga qytetarët ku ata jetojnë.

Së gjashti, Lista ‘Guxo’ e znj. Vjosa Osmani që ishte partner zgjedhor në zgjedhjet nacionale, në zgjedhjet lokale përjetoi abort politik para fillimit të trye. Sinergjia në zgjedhjet kombëtare u shpartallua substancialisht në zgjedhjet lokale .

Fundja, AK dhe VV në zgjedhjet lokale nuk e patën mbështetjen masive të diasporës e cila përafërsisht ka marrë pjesë me 15.000 votues, ndërsa në zgjedhjet nacionale – me rreth 150.000 votues! Pra, sa ishte fitorja plebishitare meritë e Albin Kurtit, po aq përgjysmimi i elektoratit është përgjegjësi e dështimit të tij në zgjedhjet lokale.

 

KDP: Në fakt, cili është parashikimi juaj, a do të mbyllet çështja e dialogut Prishtinë-Beograd gjatë qeverisjes së zotit Kurti?

BEQAJ: Klima e krijuar,mjerisht më shumë është në favor të zgjedhjeve të reja sesa të mbylljes së dialogut mes Prishtinës  dhe Beogradit. Nëse VV-ja dëshiron të mos e humbin mbështetjen tonë publike dhe shpresën për ndryshim të madh, Albin Kurti  dhe LVV-ja duhet të ballafaqohen me shkaqet e brendshme të cilat i përmendi lideri i VV-së duke nisur nga përgjegjësia e tij dhe duke ruajtur ndershmërinë e cila deri më tashti nuk shkaktoi asnjë skandal të përmasave të mëdha, që ka qenë karakteristikë e përditëshme e ish-pushteteve.

 

KDP: Çfarë po ndodhë me opozitën kosovare: Fitorja në zgjedhjet lokale është rikëndellje e saj apo rezultatet janë pasojë e zhgënjimit të votuesve me Vetëvendosjen?

BEQAJ: Mendoj se fitorja e opozitës është pasojë direkte e keqmenaxhmit të politikëbërjes së pushtetit aktual dhe faktit se kandidatët më shumë kanë lënë pështypje se janë relativisht të pavarur nga partitë e tyre. Pushteti i VV-së që u arrit pas përpjekjeve rreth 15-vjeçare, u tretë për rreth tetë muaj!

 

KDP: Le të flasim pak për atë që quhet ‘Ballkan i Hapur’ apo zhgënjim i ballkanasve me procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike. Kush Ka të drejtë – Vuçiq-Rama- Zaev, që po e sforcojnë këtë nismë apo Kurti-Gjukanoviq e Sarajeva- që e shikojnë me mosbesim?

BEQAJ: Albin Kurti ka arsye të qëndrueshme që ndërlidhet me statusin politik të Kosovës,për ta kundërshtuar këtë nismë, ndërsa të tjeret kanë arsye të tjera…Nuk kam dëshirë të përzihem në vendimet e shteteve të tjera ngase edhe Edi Rama ka të drejtë të jetë pjesë e “Ballkanit të hapur “, meqenëse atë e kanë zgjedhur dhe ai pergjigjet para elektoratit shqiptar, por ai nuk ka të drejtë të sillet si patron ndaj Kosovës. Nga ana tjetër, humbja e këtij rasti  kur është koncentruar “artileria” më e rëndësishme diplomatike ndërkombëtare do të dëshmojë papjekurinë politike të palëve, të cilat ,si duket, jane shndërruar  në pengje të populizmit!

KDPMendoni se gjatë 2022 do të kemi një mozaik të ri zhvillimesh politike në rajon apo vazhdim të status-quosë, si rezultat i ngathtësisë së politikanëve apo edhe i ndikimit të pandemisë së koronavirusit dhe krizës ekonomiko-sociale-energjetike?

BEQAJ: Nuk e kam ende të qartë nëse do të fitojë ‘artileria e rëndë ndërkombëtare diplomatiko-ushtarake’, apo liderët nacionalë në synimet e tyre anakronike për t’u imponuar si të pazavendësueshëm. Shpresoj se pas zgjedhjeve në Serbi, në muajin prill, do të kemi një situatë më të qartë, por zgjidhje s’do të kemi!

Related Posts

Leave a comment