Flutura Açka rrëqeth me rrëfimin e saj për humbjen e djalit në lule të rinisë

Shkrimtarja e njohur, Flutura Açka, e ftuar në një lidhje me Skype në emisionin ‘Me Xhaxhiun’ të gazetarit dhe moderatorit, Rezear Xhaxhiu, në ‘Fax News’, ka folur në lidhje me jetën e saj, vetëm pak kohë pas ndarjes nga jeta të të birit, gjë të cilën e ka shprehur edhe me botimin e librit të saj, ‘Biri’.

Açka në fillim të intervistës së saj ka sjellë në vëmendje një bisedë me të birin e ndjerë, pak kohë përpara se të ndërronte jetë, teksa pyeste se përse po i ndodh pikërisht atyre kjo gjë, ndërsa kujton edhe përgjigjen e të birit, i cili i thoshte se përse jo ne.

E duke sjellë ndërmend këto biseda të ndjera, Açka shprehet se Flutura nuk ekziston më si flutur, por ekziston vetëm gjysma e saj, që është misioni i të birit që tashmë nuk jeton më.

Gjithashtu, ajo rrëfen edhe një tjetër sekret, që edhe vendimin për ti hyrë politikës, ajo e ka marrë si një plotësim të ëndrrës së të birit, që donte të bënte një hap të tillë në jetën e tij, por që fatkeqësisht u pre në mes në lule të rinisë.

“Unë do t’ju sjell një bisedë me tim bir, të cilën lexuesit e librit tim ‘Biri’ e kanë të qartë sepse e gjejnë në libër, në një nga ato netët tona të errëta kur unë ankohesha vazhdimisht: Pse unë? Pse ne? Pse ti? Dhe im bir mu përgjigj: Mama edhe unë shpesh them, pse unë? Por, pastaj pyes prapë, se përse jo unë? Nuk je ti, do të ishte nëna e një shokut tim të klasës që do ishte duke qarë tani… Kështu që para fatit jemi të gjithë të barabartë, kështu që çështja është që se për cilin nga ne është caktuar të vihet në provë. Kështu që, unë jam në provën e respektit ndaj tim biri. Nuk kam asnjë provë tjetër. Çdo prind e ka këtë dimensionin e dashurisë supreme, por prindi kur e humb fëmijën, atëherë e kupton që kjo dashuri është gati hyjnore. Ju shihni një grua të fortë. Mos harroni që unë kam edhe një dimension tjetër brenda meje, që është edhe misioni i tim biri: Gjysma ime prej Fluture tashmë është e dekompozuar, e mbaruar, nuk ekziston më. Ndërsa kjo gjysma tjetër, është gjysma e tim biri. Pra, ju keni përpara sysh një grua në moshën time, por keni edhe një fëmijë 18-vjeçar, i cili e mban në këmbë. Unë jam tani dy njerëz, dy shpirtra që rrahin njëherësh. Edhe vendimi për të hyrë në politikë ndoshta ka qenë edhe një ëndërr e pambaruar e tim biri”, shprehet Flutura Açka në fjalën e saj në emision.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × two =