“Skandal të çmendur” e ka etiketuar “pamfleti” planin e fshehtë të kryeministri Edi Rama për të sjellë në Shqipëri emigrantë nga e gjithë bota që do të na kthejnë kështu në një kamp strehimi për gjithëfarë të huajsh të cilët do të deportohen nga Anglia.
“Mediat angleze dekonspirojnë planin, zbulohet marrëveshja e miratuar nga Rama, nis të shqyrtohet në Kuvend“, janë frazat shoqëruese të shkrimit që vijon:
“Edi Rama, në bashkëpunim me ministrat Blendi Çuçi dhe Olta Xhaçka, ka përgatitur dokumentacionin për kthimin e Shqipërisë në një kamp të madh refugjatësh, ku do të mbledhë të gjithë emigrantët e paligjshëm nga Afrika, Afganistani, Pakistani, Egjipti dhe në çdo vend të botës që do të kapen në Angli.
Ky akt i çmendur kundër interesave të Shqipërisë nuk është më një plan i fshehtë, por Edi Rama e ka miratuar marrëveshjen në qeveri dhe më pas e ka dërguar në Kuvendi.
Marrëveshja është firmosur nga Edi Rama pas negociatave të fshehta me qeverinë Angleze, të zbuluara nga mediat në Ishull.
Rama ka dashur të paraqitet edhe një herë si lider me shpirt të madh para qeverisë Angleze, duke pranuar diçka që Anglia as që e ka imgjinuar: Një budalla që do t’u pranojë të gjithë emigrantët e paligjshëm në Angli. Nga ana tjetër, Kuvendi i Shqipërisë, të cilin Rama e kontrollon me anë të Lindita Nikollës, ka vepruar me urgjencë duke nisur shqyrtimin e marrëveshjes me Anglinë, menjëherë sapo qeveria e ka depozituar në Kuvend.
Në Parlament, Rama e ka paraqitur marrëveshjen si një rinovim i marrëveshjes së vitit 2003 për emigrantët me Anglinë. Por, në marrëveshjen e re, e negociuar, hartuar dhe firmosur në fshehtësi, është shtuar pranimi në Shqipëri i emigrantëve nga vendet e tjera që do të dëbohen nga Anglia. Ky parashikim është jo vetëm i çmendur, por edhe anti-kombëtar.
Së pari ç’punë ka Shqipëria të pranojë emigrantë nga Kenia, Kongo dhe Irani, që ndodhen në Angli në mënyrë të paligjshme?
Ata mund të dërgohen në vendet e tyre, pse duhet të vijnë në Shqipëri?
Së dyti, në marrëveshje thuhet se Shqipëria do të pranojë edhe emigrantë pa shtetësi fare që do të dëbohen nga Anglia.
Shqipëria ka detyrim të presë vetëm emigrantët shqiptarë që mund të rikthehen nga Anglia, por jo emigrantë nga e gjithë bota. Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi është fshehur dhe nuk ka pranuar që të mbrojë marrëveshjen me Anglinë në Kuvend. Ministri ka dërguar në Kuvend zëvendësministrin e Brendshëm, Andi Mahila.
Në një kohë kur Edi Rama, Blendi Çuçi dhe Olta Xhaçka po tentojnë të fshehin skandalin, mediat angleze kanë raportuar me entuziazëm paktin për të sjellë emigrantë nga e gjithë bota në Shqipëri.
Gazeta Britanike ‘Times’ shkruan se janë zhvilluar negociata me qeverinë e Tiranës, për të ngritur një kamp të madh refugjatësh në Shqipëri, ku do të mblidhen emigrantë nga e gjithë bota që do të depërtohen nga Anglia.
“Kjo është shpresa jonë e vetme, pasi asgjë tjetër nuk po funksionon”, tha një ministër i paidentifikuar për gazetën. Por, edhe sikur të mos flasin mediat angleze, është marrëveshja që ka nisur dje të shqyrtohet në Kuvend, e cila nuk lë vend për dyshime”.