Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë. Për vendosjen e këtyre masave u njoftua pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, që u mbajt të premten më 24 dhjetor.
Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.
Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast qeveria është e obliguar t’i ndërpres ato.
Në arsyetim e Qeverisë së Kosovës thuhet se “Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike q1ë ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare”.
Qeveria me tej arsyeton masat me faktin se problemet me furnizim me energji elektrike janë paraqitur sidomos gjatë muajit dhjetor të këtij viti për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B”. Arsye tjetër sipas qeverisë është edhe rritja e theksuar e konsumit të energjisë elektrike.
“Duke pasur parasysh se rreth 85 % e konsumatorëve në Kosovë janë konsumatorë shtëpiak, kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm si rrjedhojë e uljes së temperaturave”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes këtij vendimi, qeveria ka formuar një Komitet Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë që ka për qëllim identifikimin dhe paraqitjen e rekomandimeve për Ministren e Ekonomisë së Kosovës.
Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike.
Përshkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.
Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm.
Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS)./Ekspress