Bashkimi Evropian po shkon symbyllur drejt anarkisë

10 Minuta Lexim

Nga Thomas Fazi

Unherd

Sot e gjithë vëmendja mund të jetë fokusuar tek rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Itali. Por Evropa ka probleme shumë më të mëdha sesa perspektiva e krijimit të një qeverie të ekstremit të djathtë. Dimri po vjen dhe pasojat katastrofike të krizës energjetike të vetë-imponuar të Evropës, po ndihen tashmë në të gjithë kontinentin.

Ndërsa politikanët vazhdojnë të hartojnë plane jorealiste për racionimin e energjisë, realiteti është se rritja e çmimeve të energjisë dhe rënia e kërkesës, ka shkaktuar tashmë mbylljen ose shkurtimin e vendeve të punës në dhjetëra fabrikave të mëdha në një gamë të ndryshme industrish – qelqit, çelikut, aluminit, zinku, plehrave kimike, kimikateve.

Deri më sot mijëra punëtorë janë pushuar. Edhe e përditshmja amerikane “New York Times” që e mbështet luftën, u detyrua kohët e fundit të pranonte ndikimin “sakatues” që kanë pasur sanksionet e Brukselit mbi industri dhe shtresën e punëtoreve në Evropë. “Çmimet e larta të energjisë po e godasin rëndë industrinë evropiane, duke i detyruar fabrikat të reduktojnë me shpejtësi prodhimin, duke lënë në shtëpi dhjetëra mijëra punonjës”- thuhet në raport.

Reduktimet në prodhimin e zinkut, aluminit dhe silikonit (që arrijnë në nivelin 50 për qind), kanë bërë që konsumatorët në industrinë e çelikut, automobilave dhe ndërtimit në Evropë të përballen me mungesa të mëdha, të cilat po kompensohen nga dërgesat nga Kina dhe gjetkë.

Ndërkohë, fabrikat e çelikut në Spanjë, Itali, Francë, Gjermani dhe vende të tjera – më shumë se 24 të tilla – kanë filluar të ngadalësojnë ose ndalojnë tërësisht prodhimin e tyre. Industria e plehrave kimike, e cila është shumë e varur nga gazi si një lëndë ushqyese kryesore si dhe burim energjie, gjendet në telashe edhe më të mëdha.

Më shumë se dy të tretat e prodhimit – rreth 30 fabrika – tashmë e kanë ndalur punën e tyre. Konglomerati i madh gjermane e kimikateve, BASF, ka mbyllur përkohësisht 80 fabrika në mbarë botën, dhe po ngadalëson prodhimin në 100 të tjera, pasi planifikon reduktim të mëtejshëm të prodhimit në varësi të asaj që do të ndodhë me çmimet e gazit.

Si për të përkeqësuar më tej gjërat, sanksionet e BE-së kanë kufizuar ndjeshëm importet e plehrave kimike ruse. Sasitë e pakta në dispozicion kanë një efekt të madh negativ tek fermerët evropianë, të cilët po detyrohen që të zvogëlojnë përdorimin e lëndës ushqyese kryesore.

Kjo nënkupton çmime më të larta për më pak prodhim, teksa pasojat do të ndihen shumë përtej kufijve të Evropës, duke shkaktuar potencialisht një mungesë globale të ushqimit. Por mungesa e plehrave nuk është problemi i vetëm me të cilin përballen fermerët evropianë.

Në mbarë Evropën Veriore dhe Perëndimore, prodhuesit e perimeve po mendojnë që të ndërpresin aktivitetet e tyre për shkak të kostove të mëdha që ka energjia – në disa raste 10 herë më të larta se ato të vitit 2021 – që kërkohen për të ngrohur serat gjatë dimrit, dhe për të ruajtur të korrat në frigorifer, përveç kostove në rritje të paketimit dhe transportit.

Grupimi i industrisë së serave “Glastuinbouw Nederland”, thotë se deri në 40 për qind e 3000 anëtarëve të tij ndodhen që tani në vështirësi financiare. Kjo situatë kërcënon më tej furnizimet ushqimore. Sigurisht që ajo do të çojë në çmime edhe më të larta të ushqimeve, të cilat së bashku me rritjen e faturave të energjisë, ka të ngjarë të zhysin në varfëri miliona evropianë.

Pra, kriza evropiane e energjisë dhe e kostos së jetesës, do të shndërrohet në një krizë të drejtpërdrejtë humanitare. Në Britani, parashikohet që 45 milionë njerëz të përballen me pamundësinë e pagesës së energjisë deri në janarin e vitit 2023.

Për pasojë “do të dëmtohet zhvillimi i miliona fëmijëve” nga dëmtimi i mushkërive, stresi toksik dhe thellimi i pabarazive arsimore, ndërsa fëmijët do të përpiqen të vazhdojnë të bëjnë detyrat e shkollës në shtëpitë pa ngrohje ku mbretëron acari. Ekspertët paralajmërojnë humbjen e shumë jetëve njerëzore.

Ndërkohë, në rajonin Rheingau-Taunus në Gjermani, autoritetet kanë kryer një simulim se çfarë do të thoshte për ta një ndërprerje e tillë. Rezultatet janë shokuese: më shumë se 400 njerëz do të vdisnin që në 96 orët e para. Dhe kjo në një lagje me vetëm 190.000 banorë.

Tani, këto shifra mund të jenë edhe të mbivlerësuara. Por pushteti vendor nuk ka luksin që t’i shpërfillë ato.

Në fakt, Gerd Landsberg, menaxher i përgjithshëm i Shoqatës së Qyteteve dhe Bashkive Gjermane, u ka kërkuar banorëve të grumbullojnë ujë dhe ushqim për 14 ditë. Landsberg thotë se Gjermania nuk është e përgatitur “në asnjë lloj mënyre” për një skenar të tillë.

Është e rëndësishme të kuptohet se kjo nuk është një krizë e përkohshme, ku gjithçka që duhet të bëjmë është të shtrëngojmë dhëmbët gjatë dimrit që po vjen, dhe pas të cilit gjërat do të kthehen në normalitet. Siç e bëri të qartë së fundmi shefi ekzekutiv i kompanisë “Shell”, qeveritë evropiane këmbëngulin në shkëputjen e Evropës nga furnizimet ruse, kontinenti do të përballet me mungesa të gazit që “me gjasë do të zgjasin për disa dimra”.

Kjo është një e vërtetë e hidhur, por fakti është se nuk ka një alternativë afatshkurtër ndaj gazit rus. Edhe vetë Komisioni Evropian parashikon që çmimet e gazit dhe energjisë elektrike “të mbeten të larta dhe të paqëndrueshme të paktën deri në vitin 2023”.

Pra nëse qëndron në kursin e saj aktual, Evropa po shkon drejt viteve të rënies ekonomike, inflacionit, de-industrializimit, standardeve në rënie të jetesës, varfërimit masiv dhe mungesave. Dh kjo pa marrë parasysh perspektivën e tmerrshme të një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.

E si mund të mendojë dikush që Evropa mund t’i mbijetojë kësaj situate, pa u zhytur në anarki? Marrëzia e kësaj situate bëhet edhe më i dukshme po të kemi parasysh se në përpjekjen për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus, BE-ja po rrit varësinë e saj në furnizimet nga vende si Kina dhe India, që me sa duket, vetëm sa po i rishesin Evropës gazin e blerë nga Rusia me një çmim më të ulët nga tregu.

Është një shenjë e dobësisë së politikanëve të Evropës, që pavarësisht greminës që po afrohet me shpejtësi, askush nuk është i aftë të thotë atë që është më se e dukshme: që sanksionet ndaj Rusisë duhet të përfundojnë. Nuk ka asnjë justifikim moral për shkatërrimin e mjeteve të jetesës së miliona evropianëve vetëm për ti dhënë një leksion Putinit, madje edhe nëse sanksionet do të ndihmonin për ta arritur këtë qëllim, gjë që nuk është e qartë.

Ç’është më e keqja, BE-ja nuk po bën asgjë për të ndihmuar në zbutjen e efekteve të krizës, që u krijua edhe me kontributin e saj. Pasi hoqi dorë nga propozimi qesharak për të kufizuar vetëm çmimin e gazit rus, tani Brukseli po mendon vendosjen e një kufizimi për të gjitha importet e gazit, për të cilin Ministri gjerman i Shtetit për Evropën ka paralajmëruar se mund të shkaktojë mungesa të mëdha.

Ndër të tjera propozimi nuk merr parasysh një fakt themelor: nuk janë eksportuesit e energjisë ata që po rrisin çmimin e gazit. Kjo e fundit lidhet me çmimin me të cilin tregtohet gazi në tregjet virtuale të tregtimit si TTF-ja në Amsterdam, ku spekulatorët i kanë rritur çmimet prej muajsh, duke arkëtuar fitime të mëdha.

Për më tepër, në tregun e sotëm të liberalizuar, që bazohet tek të ashtuquajturat çmime me kosto marxhinale, çmimi përfundimtar i energjisë caktohet nga karburanti më i shtrenjtë i nevojshëm për të përmbushur të gjitha kërkesat, në këtë rast gazi. Kjo do të thotë se ndërsa çmimet e gazit rriten, rritet edhe energjia elektrike, edhe nëse burimet më të lira, të pastra kontribuojnë jo pak në vëllimin total.

Pra, nëse BE-ja do të ishte vërtet serioze në trajtimin e çmimeve të energjisë, ajo do të shkëpuste çmimin e gazit nga tregjet spekulative tregtare dhe do të riparonte sistemin e çmimeve me kosto marxhinale. Por kjo do të shkonte kundër ideologjisë themelore të teknokratëve evropianë: idesë se çmimet duhet të vendosen nga tregjet.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull