“DON ZHUANËT” DHE MAFIA LETRARE

4 Minuta Lexim

Nëse mëtojmë të organizojmë diçka të mirë, diçka që duhet të ketë frymë shqiptare (mikpritja), diçka serioze dhe përmbajtjesore, atëherë vërtet duhet të ecim për toke dhe jo të “fluturojmë”. Është tjetër nëse kemi për qëllim të harxhojmë pak lek, të bëjmë qejfe, por edhe t’ia bëjmë qejfin njëri tjetrit dhe në fund të themi: “takohemi sërish vitin tjetër”.
Ndaj, nuk duhet as të habitemi e as të zemërohemi kur konstatohet se disa manifestime letrare janë manifestime të grupeve të ngushtë, përkatësisht manifestime private – argëtuese. Pavarësisht dukurive negative që janë prezent në ngjarjet e këtilla kulturore – letrare, megjithatë duhet pasur parasysh një fakt tejet esencial: përfaqësimi i të gjitha hapësirave shqiptare me pjesëmarrës serioz, përkatësisht krijues të verifikuar.
Bie fjala, është për t’u habitur se si në manifestimin e sivjetmë poetik “Trirema e Poezisë Joniane” nga Maqedonia e Veriut u gjendën tri poete maqedonase (Gordana Karakashevska, Mirjana Stojanovska, Marta Markoska) dhe vetëm një krijues shqiptar që, dorën në zemër, është pak i njohur, aq më tepër kur dihet se në këtë shtet janë me dhjetëra autorë të dëshmuar me veprat e tyre.
Padyshim se organizatorët e këtij manifestimi janë përgjegjësit kryesorë për rrjedhën normale të kësaj ngjarje tradicionale, përfshi edhe përzgjedhjen e poetëve. Se si ndodhi kjo, këtë më se miri e dinë pikërisht organizatorët, por dyshojmë se mund të jenë lajthitur nga dikush, përkatësisht nga ndonjë “don zhuan” shqiptarë, i cili ka përvojë me këso “qëndisje”.
Ne nuk mundemi ta duam dikë, nëse ai nuk të do. Këto tri poete maqedonase është pak e besueshme të dinë diçka për letërsinë shqiptare që krijohet së paku në Maqedoninë e Veriut. Jo se nuk kanë mundësi, por thjeshtë sepse atmosfera e përgjithshme (në këtë shtet) akoma vuan nga recidivet e së kaluarës. Është çështje tjetër, nëse pas kësaj përzgjedhje ka ndonjë prapavijë, po qoftë edhe pozitive.
Duhet pranuar se së pari krijuesit shqiptarë duhet të njihen mes veti e pastaj me të tjerët. Është e pajustifikueshme se si disa individë (të mjerë) shqiptarë bëjnë çmos që, çuditërisht, vetëm poetet, e theksojmë vetëm poetet maqedonase, t’i prezantojnë në Shqipëri e Kosovë (siç ndodhi kohë më parë me një prezantim në Mitrovicë), aq më tepër kur dihet se plagët e së kaluarës akoma nuk janë shëruar. Shqipëria dhe Kosova nuk e meritojnë të përdoren si trampolinë për çështje private apo për llogari personale.
Të njëjtën gjë bën edhe Festivali Letrar Ndërkombëtar i të Rinjve “Tirana Gate 2022”. Nga Maqedonia e Veriut ftohen tre maqedonas dhe një shqiptar. E gjithë kjo nuk justifikohet as me idenë e “Open Ballkanit”. Ta duash tjetrin, më shumë se atë që është i yti, është paksa e çuditshme, por shqiptarët, fatkeqësisht, e kanë ves.
Dhe krejt në fund, nuk gabojmë nëse themi se krahas mafive tjera, ne kemi edhe mafinë letrare…
/HEJZA/

(Karikatura: Arben Meksi)

Fotografia e Hejza

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull