ODISEU NUK U NIS PËR TË GJETUR VETEN

6 Minuta Lexim
Nga Muharrem Jakupi-
Në analizën e saj për filmin e ri të Nolanit, si shumë kritikë e analistë arti nëpër botë, Anila Sulstarova arrin në disa përfundime që tingëllojnë bukur dhe kanë forcën e formulimeve aforistike: “askush nuk mund të kthehet në shtëpi nëse më parë nuk është kthyer te vetja”, “fitorja e vetme e mundshme është të mos humbasësh veten” apo “secili prej nesh ka një Itakë”.
Nuk është e vështirë të kuptohet joshja e një leximi të tillë. Udhëtimi shndërrohet në vetënjohje, kthimi në shtëpi në kthim te vetja, ndërsa Itaka konkrete në metaforë të një Itake të brendshme. Janë ide të bukura, por edhe shumë qarkulluese në interpretimet moderne të Odisesë. Dhe pikërisht për këtë arsye ia vlen të pyetet: a na çon vërtet Odiseu drejt këtyre përfundimeve, apo po e çojmë ne Odiseun drejt tyre?
Odiseu, së pari, nuk udhëton për të gjetur vetveten. Ai e di kush është, nga vjen dhe ku dëshiron të kthehet. Përkundrazi, drama e tij buron pikërisht nga pamundësia për të mbërritur atje ku dëshiron. Itaka nuk është për të një simbol i papërcaktuar ekzistencial. Është atdhe, mbretëri, shtëpi; siç është Penelopa, Telemaku, pushteti dhe rendi i cenuar që ai kërkon të rivendosë. Ai nuk resht së dëshiruari kthimin dhe as së ëndërruari gruan e tij. Konkretësia e këtij synimi nuk është një mbështjellëse e jashtme që mund ta heqim për të zbuluar poshtë saj “Itakën e vërtetë”, domethënë vetveten.
Sigurisht që gjatë një udhëtimi të tillë njeriu ndryshon. Përvojat, humbjet, tundimet, frika, zgjedhjet dhe përballjet me vdekjen e transformojnë. Por proceset e brendshme njerëzore – psikologjike, morale, shoqërore – janë sinkretike. Ato nuk ndahen në faza kaq të pastra sa njeriu fillimisht të “kthehet te vetja” dhe vetëm pastaj të mund të kthehet në shtëpi. Njeriu e zbulon, e humbet, e korrigjon dhe e rindërton veten ndërsa vepron në botë dhe ndërsa marrëdhëniet e tij me të tjerët ndryshojnë.
Prandaj pyetja mund të shtrohet edhe anasjelltas: përse kthimi te vetja duhet të ndodhë medoemos në Itakë?
Nëse vetënjohja është proces, ajo ka ndodhur gjatë gjithë udhëtimit: te Circeja e Kalipsoja, në botën e të vdekurve, në humbjen e shokëve, përballë tundimit, frikës, fatit dhe vdekjes. Itaka mund të jetë përmbushja e kthimit, por jo domosdo vendi ku Odiseu “gjen” veten. Mund të thuhet madje e kundërta: Odiseu arrin në Itakë sepse nuk e ka humbur veten gjatë udhëtimit, jo se arrin te vetja vetëm pasi mbërrin në Itakë.
Edhe formula se “fitorja e vetme e mundshme është të mos humbasësh veten” më duket se absolutizon një shtresë të veprës duke i zbehur të tjerat. Fitorja e Odiseut nuk është vetëm psikologjike ose morale. Ajo është jashtëzakonisht konkrete: ai mbijeton, kthehet në atdhe, rimerr shtëpinë, ribashkohet me Penelopën dhe Telemakun, rivendos autoritetin dhe identitetin e vet shoqëror e hirerarkik. Në këtë kuptim, “vetja” e Odiseut nuk ekziston e mbyllur diku brenda tij, e ndarë nga Itaka, Penelopa, familja, mbretëria dhe historia e tij. Edhe këto janë pjesë përbërëse të asaj që ai është.
Pikërisht këtu kam një rezervë ndaj një prirjeje më të përgjithshme të leximit bashkëkohor: shumë “udhëtime” letrare përkthehen pothuajse automatikisht në “udhëtime drejt vetes”, shtëpia bëhet “shtëpia brenda nesh”, beteja bëhet “betejë me veten”, ndërsa Itaka shndërrohet në “Itakën që secili prej nesh ka brenda vetes”. Këto metafora mund të prodhojnë interpretime të bukura, por bukuria e formulës nuk është ende provë e interpretimit.
Madje universaliteti i Odisesë mund të kërkohet pikërisht në drejtimin e kundërt. Ndoshta ajo mbetet universale jo sepse “secili prej nesh ka një Itakë”, por sepse njeriu jeton gjithnjë në një ndërthurje të pandashme midis asaj që është dhe asaj së cilës i përket: vetes dhe të tjerëve, dëshirës dhe detyrimit, kujtesës dhe së tashmes, shtëpisë dhe botës. Odiseu nuk është vetëm një vetëdije që kërkon të gjejë vetveten. Është bashkëshort, baba, mbret, luftëtar, udhëtar, i mbijetuar. Ta reduktosh këtë shumësi në kërkimin e “vetes” do të thotë ta bësh më të qartë psikologjikisht, por ndoshta më të varfër artistikisht.
Prandaj do të ruhesha nga përfundimi se kthimi i vërtetë i Odiseut është kthimi te vetja dhe se Itaka është, në fund të fundit, një emër për këtë vetvete. Itaka është edhe Itakë. Penelopa është edhe Penelopë. Shtëpia është edhe shtëpi. Dhe pikërisht sepse këto nuk treten plotësisht në simbole psikologjike, udhëtimi i Odiseut ruan gjithë dendësinë njerëzore, shoqërore, morale dhe historike që e ka mbajtur gjallë për mijëra vjet.
Ndoshta, pra, nuk është e nevojshme që secili prej nesh “të ketë një Itakë” për ta kuptuar Odiseun. Mjafton të dimë ç’do të thotë të kesh diçka konkrete për të cilën ia vlen të kthehesh – dhe të ndryshosh gjatë rrugës pa harruar pse je nisur.

 

https://www.gazetatema.net/kulture/odiseja-kthim-ne-itake-apo-te-vetja-i576054?fbclid=IwY2xjawTUrPtleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEegViALiHcuzjizIuYQ-GY1zPv3xusIlgFIW-HnxyJ13TnUx_vE8iUYA3_ErM_aem_aZh9oC7FuamiWuPkH3TPvA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull