Nga Dashnor Kokonozi-
Nuk e di saktësisht se kur kam filluar të interesohem për këtë figurë kaq të përfolur të historisë moderne të Shqipërisë. Mbaj mend opinionin e përhapur se dënimi i tij ishte jo propocional me te vetmin faj që i njihet, qëndrimi si ministër i jashtëm për pesë muaj në vitin 1944. Di të them po ashtu se, si shumë nga moshatarët e mi, nën zë përsëritnim idenë se Enver Hoxha e pushkatoi Koçi Xoxen sepse ky i fundit kishte dënuar me vdekje kunatin e tij, Bahri Omarin. Nga libri që Donika Omari, publiciste dhe përkthyese e njohur, por në këtë rast edhe bashkëshorte e djalit të tij, profesor Luanit, i ka kushtuar kësaj figure, mësohet se kjo nuk është e vërtetë.
Koçi Xoxe, një figurë tejet komplekse, për çudi nuk ka pasur asnjë rol në këtë vrasje. (Shtoj kalimthi se në gjyqin e atij vetë Xoxe tha: “pyesni Komndantin kë kemi denuar pa porosinë e tij?)
Për të mos u larguar shumë, mjaft dëshmitarë këmbëngulin se e kanë dëgjuar Xoxen të debatonte me Enver Hoxhën, duke kundërshtuar dënimin me vdekje të Bahri Omarit në vigjilje të atij procesi famëkeq të njohur si Gjyqi Special.
Kjo, së shumti, tregon se vendimet ishin marrë para se të niste procesi, por nuk na ndihmon mjaftueshëm per të kuptuar arsyen e vërtetë. Madje dyshoj se ajo do të dalë ndonjëherë në dritë të plotë.
Megjithatë, pistat logjike janë të shumta.
Shpesh më vijnë në mendje histori të rrëfyera gjatë gjithë periudhës së komunizmit. Një prej tyre thotë se Enver Hoxha, gjatë Luftës, strehohej në shtëpinë e Bahri Omarit, i cili, si ministër i Jashtëm, nuk mund të dyshohej nga gjermanët, ndërkohë që të tjerët vriteshin e vuanin maleve. Shkurt, duket se Bahri Omari dinte shumë pikërisht në atë kohë kur Hoxha do të niste të thurrte legjendën e tij si “komandant legjendar”, që jetonte maleve me partizanët?
Mund të shkohet edhe më tej.
I formuar në shkollën perandorake të administratës në Stamboll, Omari u shqua herët në mbrojtjen e krahinave jugore gjatë trazirave të viteve 1913–1914, veçanërisht gjate kohes si nenprefekt në Himarë. Menjëherë më pas shkoi në Amerikë dhe, midis viteve 1915–1919, drejtoi gazetën Dielli, duke luajtur një rol të rëndësishëm në artikulimin e çështjes shqiptare. Pas kthimit në atdhe u zgjodh deputet dhe u bë një nga zërat kryesorë të publicistikës politike të viteve ’20. Si pjesëtar i krahut përparimtar të opozitës, ai ishte mjaft i mprehtë dhe aktiv në mbrojtjen e parimeve demokratike.
Me tej. këtë libër të Donika Omarit gjejmë për herë të parë një përmbledhje të një pjese të rëndësishme të publicistikës së Bahri Omarit. Është e çuditshme dhe e pabesueshme heshtja që është mbajtur kaq gjatë ndaj një pene të tillë, që ka trajtuar në thellësi problemet themelore të vendit, shumë prej të cilave qëndrojnë edhe sot. Në një farë mënyre, kjo anë e veprimtarisë së tij shpjegon edhe autoritetin e madh që ai gëzonte në mesin e intelektualëve dhe rinisë së paraluftës. Me gjasa, pikërisht ky autoritet mund të ketë përgatitur edhe fundin e tij tragjik në prag të instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Në “Librin e zi të komunizmit”, një vepër kolektive e drejtuar nga Stéphane Courtois, ka elementë mjaft interesantë për të kuptuar praktikën e shfarosjes së elitave në të gjitha vendet ku komunizmi erdhi në fuqi. Dhe kjo ishte një strategji e kalkuluar dhe që funksionoi. Rasti i Shqipërisë flet qartë: pas masakrës që iu bë elitës dhe intelektualëve të kohës, midis të cilëve edhe personalitete si Bahri Omari, vendi, edhe pas më shumë se tetëdhjetë vjetësh , endet si në jerm, pa mundur të gjejë një ekuilibër dhe qëndrueshmëri të jetës politike.
Gjithsesi, diçka mbetet enigme në fundin e tij. Dhe pikërisht kjo është ajo që vlersoj shumë te ky libër i autores Donika Omari, që ndërsa ndërton një portret të plotë të një figure të tillë të pashmangshme të historisë kombëtare, nuk merr përsipër të përligjë apo saktësojë detje që mbeten si enigma të historisë.

