Albert Prenga u arrestua nga forcat “Shqiponja” dhe efektivët e Komisariatit nr.6 në Tiranë, teksa në makinën BMW-ë me targë AA 008 EJ, të ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku, u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri me karrikatorë të mbushur me municion.
Prenga ka pranuar autorësinë e dy armëve, megjithëse ato nuk i janë kapur në trup por në strukturën e brendshme të makinës. Para gjykatës së Tiranës, ku ai doli për tu njohur me masën e sigurisë, Albert Prenga, mbajti një dëshmi që habiti prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes.
Prenga mësohet të ketë pohuar se ditën kur është arrestuar nga policia, kishte gjetur në rrugë, dy armë zjarri pistoleta. Ai i ka marë ato dhe i ka futur duke i mbajtur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku.
Sipas Prengës, qëllimi i tij ka qënë për ti çuar armët në polici dhe dorëzuar. Por një plan i tillë nuk është mundur të kryhet prej tij. Ai ka treguar se teksa ka shkuar drejt komisariatit për ti dorëzuar dy armët e gjetura në rrugë, ka ndërhyrë policia duke bërë arrestimin e menjëhershëm të tij, dhe sekuestrimin e dy armëve të zjarrit.
Për gjyqtarin e çështjes dhe prokurorin, ky version i dhënë nga i arrestuari Prenga, është dukur shumë i çuditshëm dhe jo bindës për ti dhënë një masë më të butë sigurimi.
Nisur nga kjo situatë, por dhe faktit të kapjes në flagrancë me dy pistoleta e municion, Albert Prenga, është lënë në burg nga gjykata e Tiranës. Avokatët e Prendit pritet të ankimojnë vendimin në Apel me shpresën e zbutjes së masës së sigurisë nga arrest në burg në “arrest shtëpie”.
Operacioni i arrestimit
Dy armë zjarri pistoleta, janë gjendur dhe sekuestruar në makinën tip foristradë BMË-ë me targë AA 008 EJ, të ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku.
Në momentin e ndërhyrjes për kontrollin e makinës, kanë marë pjesë efektivët e komisariatit Nr.6 në Tiranë dhe një skuadër “Shqiponja”. Operacioni është koduar me emrin “Bulevardi”, ku në pranga ka rënë Albert Prendi, ndërsa sipas burimeve të policisë, ish-deputeti i PKD Mark Frroku nuk ka qënë në makinën e tij.
Prendi dyshohet se shërben si shofer personal i ish-deputetit Mark Frroku. Blutë e Tiranës, gjatë kontrolllit të makinës në rrugën “Migjeni”, u konstatuan dhe sekuestruan dy pistoleta me karikatore dhe municion luftarak.
Albert Prendi, drejtonte makinën e ish-deputetit Frroku, dhe për pasojë autorësia ligjore e dy armëve i ka mbetur atij. Por nga ana tjetër armët e zjarit janë sekuestruar jo në trupin e Prendit, po në strukturën e brendshme të makinës.
Policia kriminale, ka kërkuar kryerjen e ekspertimit balistik dhe daktiloskopik të dy armëve, me qëllimin e vetëm për të mësuar nëse ato janë përdorur në ngjarje kriminale ose jo. Dhe nëse këto dy armë i përkasin personave të tjerë, që mund të kenë lënë gjurmë biologjike apo gjurmë gishti.
Gjatë marjen në pyetje, Albert Prendi, ka pranuar autorësinë e dy armëve, duke u treguar punonjësve të policisë se pistoletat ishin të tij dhe se i kishte gjetur në rrugë.
Megjithatë sipas policisë autorësia e dy armëve do qartësohet vetëm pas daljes së përgjigjes së ekspertimeve daktiloskopike. Kjo nuk është hera e parë kur Mark Frrokut, i kërkohet ti kontrollohet makina e tij personale. Një gjë e tillë ka ndodhur në Tetor të vitit 2014, kur një postobllok në Kamëz ka ndaluar automjetit e Frrokut, me qëllim për të ushtruar kontroll.
Kjo pasi policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda, ishin duke zhvilluar operacionin “Viluni”, ku kërkonin të arrestonin trafikantin e drogës, Bardhok Pllanaj. Pllanaj i fshihej policisë dhe kishte mundur të hipte në makinën e deputetit të kuvendit të asaj kohe, Mark Frroku.
Megjithëse policia kërkoi shoqërimin e Bardhok Pllanaj në polici, blutë janë ndaluar nga Frroku, i cili ka përdorur mekanizmin e imunitetit parlamentar dhe larguar më pas. Ndërkohë uniformat blu të asaj kohe, që ishin urdhëruar të arrestonin Bardhok Pllanaj, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, qoftë dhe të ndjekin makinën e Mark Frrokut, me qëllim arrestimin e Bardhok Pllanaj.