“Një jetë mbi dallgë”…!

3 Minuta Lexim

Genc Demiraj

Në promovimin e librit të dr. Odhisea Papa .
Në Vlorë atë e njohin të gjithë. Po aq edhe në Greqi, si edhe në Amerikë. Sepse tashmë ai e ka ndarë jetën ndërmjet këtyre vendeve !
Por për Vlorën, atij zemra i qan e syri i pikon. Ai është nga ata skelarët tipik, i rritur me detin e i zhuritur larg tij.
Doktori emërmadh i kirurgjisë vlonjate Odhisea Papa, është prej vitesh “Qytetar Nderi i Vlorës”, për vet kontributin e madh si misionar i mjeksisë, sidomos për pacientët e tij vlonjatë…!
Me doktor Odhisenë takohemi çdo herë që ai vjen në Vlorë, përveç komunikimeve të shpeshta nëpërmjet rrjeteve sociale. Më merr në telefon duke më bërë të ditur vendin e takimit, dhe aty pastaj ç’mallemi duke biseduar. Kështu bëri edhe këtë herë, para disa javësh, duke më dhënë edhe sihariqin që kish çuar për botim librin e jetës së tij, e se si do të organizoheshim për promovimin e tij kur ai të dilte !
“Një jetë mbi dallgë”, doli nga shtypi i botuesit të “Triptik” Fred Marko këtu në Vlorë, dhe leximin ja bëra menjëherë, “pa u ftohur mirë”, duke u surprizuar me elegancën e të shkruarit, stilin e bukur, gjuhën e thjeshtë, të pastër e të gjetur. Mjeshtërinë e të treguarit të historisë së tij , skalitjes së personazheve jetësorë, kolegëve, miqve, shokëve, familjes, gëzimeve, halleve, emocioneve, shqetësimeve, brengave, lumturisë dhe dashurive të tija të mëdha…!
Sot doktor Odhisea bëri promovimin e librit të tij të jetës
” Një jetë mbi dallgë”, mbështetur e nxitur edhe nga bashkëshortja e tij doktoresh Sofika, por edhe nga dy miqtë e tij të vjetër, Petrit Brokaj ( edhe si redaktor i librit) dhe ing. Petrit Dervishi.
U mblodhën miqtë e tij të shumtë, familjarët, shokët e kolegët si edhe ish pacientë.
U ç’mallën e u gëzuan me doktorin, dikush edhe u emocionua me kujtimet e risjella nga libri, por emocionet më të bukura, deri në përlotje i pati vetë doktori…!
“Misionari i madh i mjeksisë” vlonjate, doktor Odhisea Papa, festoi sot me “familjen” e tij të madhe gëzimin e librit të tij “Një jetë mbi dallgë” !

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull