Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Gjirokastër Guximtar Boçi si dhe të gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Shpëtim Reka, duke i nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Boçi, gjyqtari i Gjykatës Gjirokastër, i cili u denoncua nga një qytetare në vitin 2016, se i kërkoi favore seksuale për ta ndihmuar me një vendim, skandal që u bë publik nëpërmjet një audio-përgjimi në atë kohë, e kishte nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe kishte punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosën lënien në fuqi të vendimit nr. 530, datë 10.05.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Guximtar Boçi”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.
Për gjyqtarin Reka, KPK kishte konkluduar probleme në burimet e krijimit të pasurive, konflikt interesi në gjykimin e disa çështjeve dhe cenim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Reka e kishte nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe prej më shumë se dy dekadash shërbeu si gjyqtar në Gjykatën e Durrësit. Ai ishte shkarkuar nga detyra më 25 shkurt 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë vendosën lënien në fuqi të vendimit nr. 512, datë 25.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shpëtim Reka.