Pasuritë e konfiskuara me burim të paligjshëm, ministri Hoxha: Qëlllimi, kthimi në shërbim të publikut

2 Minuta Lexim

Lufta kundër krimit është sukses vetëm kur konfiskohen pasuritë, apo asetet që vijnë si rezultat i një veprimtarie kriminale. Kështu ka deklaruar ministri Ervin Hoxha në konferencën “Nga Fitimet e Paligjshme te e Mira Publike: E Ardhmja e Aseteve të Konfiskuara”, sipas të cilit asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar dhe si të paligjshme janë në rritje.

Ministri theksoi se konfiskimi i aseteve me burime nga veprimtaria kriminale është faza përmbyllëse e luftës kundër krimit.

“Finalja është miradministrimi i një aseti të tillë, që nënkupton kthimin e tij në shërbim të publikut. Qoftë përmes shfrytëzimit nga struktura shtetërore, qoftë edhe dhënies në përdorim privatëve, apo shitjes përfundimtare në ankand, të dyfishtë, siç e parashikon ligji. Marrja në administrim e një prone të krijuar me burime të paligjshme, është faza përmbyllëse e gjithë përpjekjes ndërinstitucionale për të goditur krimin në pikën e tij nevralgjike, që janë pronat, pasuritë, paratë”, tha Hoxha.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se lufta kundër krimit dhe aseteve kriminale është pa asnjë kompromis dhe do të vijojë pareshtur.

“Ne duam që të shkurajojmë ata individë apo rrjete kriminale, që mendojnë se mund të përfitojnë në mënyrë të paligjshme e më pas t’i shijojnë frytet e një veprimtarie të tillë,” theksoi Hoxha.

Duke përmendur disa nga rezultatet e arritura nga AAPSK, Hoxha pohoi se “janë një numër i konsiderueshëm ndërtesash apo ambientesh që janë konfiskuar dhe janë vënë në shërbim të publikut.

Madje dhe vetë Agjencia punon sot në zyra të konfiskuara. Qëllimi ynë është që asetet e konfiskuara, të ruajnë vlerën e mundësisht të rriten në vlera që të inventarizohen si të mira materiale në shërbim të qytetarëve”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull