Teksa na ndajnë edhe gati 3 muaj nga zgjedhjet Parlamentare të 11 majit 2025, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, ka sqaruar sot të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit se regjistrimi i tyre për të votuar bëhet vetëm online dhe jo në terren.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Celibashi shkruan se KQZ nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren.
Celibashi gjithashtu i kërkon qytetarëve që të denoncojnë çdo person që prezantohet si përfaqësues të KQZ jashtë institucionit.
Reagimi i Celibashit:
Regjistrimi i votuesve nga jashtë kryhet vetëm nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila mund të aksesohet në www.kqz.gov.al ose përmes aplikacionit zyrtar të KQZ për telefona smart.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren. E vetmja ndihmë dhe mbështetje për çdo votues nga jashtë ofrohet ekskluzivisht nga Qendra e Ndihmës pranë KQZ dhe vetëm përmes:
– Thirrjeve telefonike
– Mesazheve në WhatsApp
– Chatbot-it
– Email-it zyrtar të KQZ
KQZ nuk ka autorizuar asnjë person tjetër që, në emër dhe për llogari të institucionit, të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Kushdo që konstaton persona që prezantohen si përfaqësues të KQZ në ambiente të tjera, jashtë institucionit, duhet ta denoncojë menjëherë rastin pranë organit të prokurorisë.
Përtej kësaj, KQZ siguron të gjithë votuesit nga jashtë se procesi i regjistrimit është në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të vendeve të Bashkimit Europian, i mbrojtur nga çdo interes, ndikim politik apo partiak.
KQZ nuk ka autorizuar askënd tjetër që në emër dhe për llogari të këtij institutioni të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë, as për brenda vendit dhe më shumë akoma as për jashtë vendit.