Një analizë për rastin Spiropali/ POLITIKA FUNKSIONON MBI KUJTESËN

7 Minuta Lexim

Nga Luan Rama-

Në politikën shqiptare, momentet e “zgjimit” individual shpesh paraqiten si akte guximi, si ndarje nga një e shkuar problematike dhe si fillim i një rruge të re. Kaq mjafton që ato më pas t’i shërbehen publikut si dëshmi autenticiteti dhe si shenja të një ndërgjegjeje që më në fund ka vendosur të flasë.
Mirëpo, politika nuk funksionon mbi deklaratat; ajo funksionon mbi kujtesën.
Rasti i fundit, pas largimit nga detyra të ministres, zonjës Spiropali, si një figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste, e bën këtë dallim të dukshëm. Përpjekja për të ndërtuar një profil të ri; më kritik, më të pavarur, më të afërt me qytetarët, ndjek një skemë të njohur: distancim nga mënyrat e vjetra dhe pozicionim si “ndryshe nga të tjerët”.
Në një klimë të lodhur nga uniformiteti dhe, përgjithësisht, të dominuar nga servilizmi politik, kjo tingëllon joshëse.
Por pikërisht këtu hyn në lojë kujtesa.
Sepse, për vite me radhë, e njëjta figurë ka qenë pjesë e pandashme e artikulimit të pushtetit; jo thjesht si militante apo veprimtare e periferisë, por si një nga zërat më të fortë në ndërtimin dhe shpërndarjen e qasjes politike. Një qasje që shpesh ka ushqyer polarizim, ka prodhuar mosbesim dhe ka delegjitimuar çdo formë kundërshtimi.
Kjo e bën të pamjaftueshëm çdo akt të thjeshtë distancimi (nëse mund ta quajmë distancim!).
Sepse distancimi, në vetvete, nuk është pendesë.
Një ndryshim i besueshëm nuk matet me ligjërimin ndryshe nga më parë, por me përballjen me të shkuarën.
Ai kërkon pranim të rolit të luajtur, shpjegim të arsyes së ndryshimit dhe prova konkrete se ky ndryshim nuk është thjesht retorik. Pa këtë proces, çdo përpjekje për t’u paraqitur si “ndryshe” rrezikon të mbetet një ushtrim i kujdesshëm ripaketimi politik.
Pa e dekurajuar aspak qasjen e re të zonjës Spiropali, dua të theksoj se, në thelb, ajo zbulon një problem më të thellë: mungesën, tashmë të konsoliduar prej shumë vitesh, të një kulture reale debati brenda vetë Partisë Socialiste.
Duhet ta kemi të qartë se, në shoqëritë demokratike, një parti politike nuk matet vetëm me aftësinë për të fituar zgjedhje apo për të mbajtur pushtetin; ajo matet edhe me aftësinë për të prodhuar mendim, për të toleruar kundërshtimin dhe për të zhvilluar debat të brendshëm.
Unë mendoj se pikërisht këtu qëndron boshllëku.
Në vend të një hapësire ku idetë përplasen dhe diferencat artikulohen hapur, është ndërtuar një strukturë që favorizon dhe, për më tepër, imponon heshtjen. Jo si rezultat i një bindjeje të përbashkët, por si produkt i një disipline të fortë politike dhe i kontrollit të qasjes.
Debati, në këtë kuptim, nuk është zhdukur; ai është zëvendësuar me simulim.
Ka diskutim, por jo kundërshtim real.
Ka qëndrime, por jo rrezik për të dalë kundër linjës.
Ka fjalë, por jo pasoja.
Dhe mungesa e pasojave e bën debatin sa të padëmshëm, aq edhe të padobishëm.
Pse ndodh kjo?
Sepse, në një strukturë ku pushteti është i përqendruar fort në krye, debati nuk shihet si mjet për përmirësim, por si rrezik për kontrollin. Në praktikë, drejtimi i Partisë Socialiste është i centralizuar tek kryetari, ndërsa forumet e tjera funksionojnë më shumë si mekanizma formalë sesa si hapësira reale vendimmarrjeje.
Në këtë kontekst, debati prodhon pasiguri.
Ai hap mundësi për alternativa, krijon diferencë dhe sfidon vijën zyrtare. Dhe pikërisht për këtë arsye ai kufizohet. Jo domosdoshmërisht përmes ndalimit të drejtpërdrejtë, por përmes një kulture ku vetëcensura, disiplinimi dhe konformizmi bëhen normë.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një devijim; është një mënyrë funksionimi.
Rezultati është një paradoks i dukshëm: një parti e fortë në pushtet, por e dobët në debat.
Dhe kur debati mungon brenda, çdo devijim i vogël nga jashtë perceptohet si tronditje e madhe. Një zë ndryshe nuk trajtohet si pjesë e normalitetit, por si përjashtim që ose glorifikohet, ose delegjitimohet.
Këtu ndërhyn media, duke e amplifikuar këtë devijim si “revolucion”.
Por etiketimi i çdo qëndrimi ndryshe si revolucion është po aq problematik sa edhe mungesa e vetë debatit. Ai e fryn artificialisht aktin dhe, njëkohësisht, e zhvendos vëmendjen nga përmbajtja te spektakli.
Në këtë klimë, publiku shpesh akuzohet për cinizëm. Por mosbesimi nuk është domosdoshmërisht cinizëm; ai është shpesh produkt i kujtesës.
Një shoqëri që ka parë mënyrën si ndërtohen dhe riciklohen qasjet politike ka arsye të jetë skeptike ndaj çdo përpjekjeje për t’u paraqitur si “ndryshe”. Dhe ky skepticizëm nuk është pengesë për demokracinë; përkundrazi, është një mekanizëm mbrojtës i saj.
Problemi real, pra, nuk është nëse një individ ndryshon. Problemi është nëse ekziston një hapësirë ku ndryshimi mund të marrë formë.
Sepse pa një kulturë debati, reflektimi mbetet individual dhe i izoluar, kritika mbetet episodike dhe çdo tentativë për ndryshim rrezikon të përthithet nga sistemi që e prodhon.
Për këtë arsye, mundësitë në politikë nuk jepen si gjest mirëkuptimi; ato fitohen përmes kostos.
Dhe kostoja e vërtetë e ndryshimit nuk është vetëm personale; është edhe institucionale. Ajo kërkon krijimin e hapësirave reale të debatit dhe gatishmërinë për të toleruar kundërshtimin.
Pa këto, çdo distancim mbetet i dyshimtë.
Sepse, në fund, politika mund të ndryshojë vetëm atëherë kur përballet me kujtesën e saj.
Dhe një debat që nuk prodhon rrezik, nuk prodhon as ndryshim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull