Një teatër plot dhe Zorba si një frymëmarrje e përbashkët

3 Minuta Lexim
Nga Marieta Merkuri-
Ka mbrëmje që nuk mbyllen me fundin e shfaqjes, por vazhdojnë të jetojnë gjatë në kujtesë, si një jehonë e butë që rikthehet pa paralajmërim sa herë që mendja kërkon një copëz bukurie për t’u mbështetur.
Dhe sot në këtë mbrëmje pranvere, në Teatrin “Petro Marko”, “Zorba” nuk erdhi si një vepër për t’u parë, por si një përjetim për t’u dorëzuar, një rrëfim i gjatë emocional ku muzika dhe fjala nuk konkuronin me njëra-tjetrën, por bashkëjetonin në një harmoni të rrallë, duke krijuar një gjuhë të përbashkët që kuptohej pa pasur nevojë për shpjegime.
Baritoni, Artur Vera mjaft karizmatik, me një zë që mbante peshën e një historie të tërë njerëzore, nuk këndonte për publikun, por dukej sikur e tërhiqte publikun brenda vetes, në një hapësirë ku çdo ndjenjë bëhej më e fortë dhe më e vërtetë, ndërsa pianoja, e kujdesshme dhe e ndjeshme, ndërtonte një strukturë emocionale që nuk e impononte ritmin, por e udhëhiqte atë me një elegancë të padukshme.
Një nga zgjedhjet më të bukura regjizoriale ishte ndërthurja e aktorit me tingullin e buzukut, ku Panagiotis Lympanovnos nuk ishte thjesht një instrumentist, por një zë paralel i rrëfimit, një shpirt që komunikonte me aktorin në një dialog të heshtur, ku fjala ndalej dhe muzika vazhdonte, ku lëvizja e lehtë e trupit dhe vibrimi i telave krijonin një tension poetik që e mbante publikun pezull, sikur gjithçka po ndodhte në një dimension tjetër, më të thellë dhe më të sinqertë.
Aktori Xhuliano Brisku nuk luante një rol të mbyllur, por një gjendje, një shpërthim të brendshëm që herë vinte si monolog i përmbajtur dhe herë si një rrjedhë e lirë emocionesh që përplaseshin me muzikën dhe pastaj qetësoheshin në të, duke krijuar një marrëdhënie të gjallë, të papërsëritshme mes skenës dhe tingullit.
Dhe salla, si gjithmonë në mbrëmje të tilla, nuk ishte thjesht e mbushur, por e përfshirë, e lidhur në një ritëm të përbashkët, ku heshtja kishte po aq peshë sa duartrokitjet dhe ku çdo reagim vinte natyrshëm, pa asnjë ndërmjetësim, si një refleks i pastër i emocionit.
“Zorba” është dashuri, por jo ajo e thjeshta dhe e qeta, por ajo e forta, e papërmbajtura, që të trondit dhe të rikthen tek vetja, që të kujton se jeta nuk matet me siguri por me intensitetin me të cilin guxon ta jetosh.
Një bravo për Teatrin “Petro Marko” të Vlorës, që vazhdon të dëshmojë se arti i vërtetë nuk është thjesht një aktivitet kulturor, por një nevojë e thellë shpirtërore, një mënyrë për t’i dhënë qytetit jo vetëm shfaqje, por një arsye më shumë për të ndjerë, për të reflektuar dhe për të mos harruar se brenda nesh ka ende vend për emocione që na bëjnë më njerëzorë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull