Shkarkohet sekretari i Marinës amerikane! Në Hormuz, Irani sekuestron 2 anije kontejnerësh të MSC! Shtëpia e Bardhë: Armëpushimi? Vendos Trump, s’ka afat

2 Minuta Lexim

Sekretari i Marinës së Shteteve të Bashkuara, John Phelan, është shkarkuar nga detyra pas disa muajsh tensionesh me kreun e Pentagonit, Pete Hegseth. Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane, të cilat raportojnë se në qendër të përplasjes kanë qenë marrëdhëniet e afërta të Phelan me presidentin Donald Trump.

Sipas raportimeve, Phelan komunikonte shpesh drejtpërdrejt me Trump dhe e takonte atë në rezidencën Mar-a-Lago, duke i propozuar personalisht plane për modernizimin e flotës detare, pa kaluar përmes Pentagonit. Kjo lëvizje ka shkaktuar pakënaqësi tek Hegseth, i cili nuk e ka pritur mirë anashkalimin.

Ndërkohë, Pentagoni konfirmoi largimin e Phelan nga detyra me efekt të menjëhershëm, pa dhënë shpjegime zyrtare për arsyet. Ai konsiderohej zyrtari civil më i lartë në Marinën Amerikane. Përkohësisht, detyrën do ta marrë zëvendësi i tij, Hung Cao.

Nga ana tjetër, Marina e Gardës Revolucionare Iraniane ka njoftuar sekuestrimin e dy anijeve në Ngushtica e Hormuzit, duke i akuzuar për shkelje të rregullave të lundrimit.

Sipas autoriteteve iraniane, bëhet fjalë për anijet “Msc Francesca”, e cilësuar si e lidhur me Izraelin, dhe “Epaminodes”, e cila dyshohet se ka tentuar të largohet nga ngushtica pa autorizim dhe ka manipuluar sistemet e navigimit, duke rrezikuar sigurinë detare.

Të dyja anijet janë shoqëruar në ujërat territoriale iraniane, ku do t’i nënshtrohen kontrolleve të ngarkesës dhe dokumentacionit.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se nuk ka një afat të përcaktuar për një armëpushim dhe se çdo vendim për kohëzgjatjen e tij do të merret nga vetë presidenti Trump. Ajo e cilësoi si të pasaktë hipotezën për një armëpushim të kufizuar në 3 deri në 5 ditë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull