Jehona vijuese e një radioje, si “Jehona e Shqipes” në Bruksel

11 Minuta Lexim
Nga Aleksander Çipa-
Kremtuesi si themelues që mbledh shqiptarët pa dallim
Zotëria Sakip Skepi është personi më i rëndësishëm, por në natyrshmërinë e vet pa i dhënë qëllim kësaj rëndësie, gjendet mes 400 të ftuarve në sallën e konferencave të Hotel Renaissance në Bruksel. Të ftuarit janë të ardhur nga skaje të ndryshme të atdheut (më saktë Hapësira Shqiptare) dhe Europës, për të qenë në kremtimin e 40 vjetorit të themelimit prej tij, të Radios “Jehona e Shqipes”.
Të pranishmit, sidomos të ftuarit rezidentë në Bruksel, shpreheshin përsëritshëm se kaq shumë shqiptarë nuk janë mbledhur prej moti në një sallë si kjo. Aq më tepër, në një festë dhe sidomos përvjetor medieje.
Zëri i Arif Vladit në sjellje të Himnit kombëtar, ishte çasti hyrës në mbrëmjen “me aq shumë kate” emocionesh…
Zotëria në fjalë, Sakipi e pat lënë Shqipërinë në vitet ’80 në moshën 5 vjeçare, së bashku me 26 pjestarët e familjes së vet. Një kalvar ajo arati, për të cilën ekziston një kronikë e gjatë dhe sidomos, një arkivë e pasur shkrimesh, reportazhesh, kronikash, dokumentarësh dhe filma nëpër mediume të huaja dhe sidomos të mërgatës shqiptare nga Brukseli në New York e më tej, përgjatë më shumë se pesëdhjetë vitesh.
Por Ai,- fëmija i asaj aratie, sot është zotnia që kryeshenjon një histori kontributi për të vetmen radio që qysh prej 1968 e deri më sot, është zë shqiptar me emrin jo vetëm simbolik ‘Jehona e Shqipes”.
Në mbrëmjen kremtuese mes shqiptarësh nga krejt viset për herë të parë ndjeva dhe shijova ndjenja, urime, urata dhe vlerësime të sinqerta frymëzimesh. Media dyzet vjeçare, për të cilën u bëmë bashkë me shumë kolegë nga Tirana si Mentor Nazarko, Basir Çollaku, Ergys Mërtiri, Arben Muka, Agim Baçi, Evarist Beqiri e shumë e shumë kolegë të tjerë, na ritakoi këndshëm me “brukselasit” e Atdheut: Agustin Palokaj, Arta Tozaj, Ledja Canaj, Jorgji Kote, Soni Memoci, Fatos Mahmutaj etj.
Protokollit të këtij kremtimi iu shtua prezenca e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës Glauk Konjufca dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, dy ambasadorët e dy republikave tona në Belgjikë: Ambasadoren Albana Dautllari dhe Ambasadori Agron Bajrami, Kryetari I Parlamentit tw Belgjikws,diplomatë të shumtë, Kristela Bytyçi-deputetja e vetme shqiptare nga Tropoja në Parlamentin e Belgjikës dhe autoritete të ndryshme. Gjendeshin edhe shumë artistë të famshëm në viset europiane, (fatkeqësisht, pak ose aspak të njohur në Shqipërinë tonë), të sukseshëm nëpër krejt Belgjikën, Francën, Gjermaninë dhe Hollandën si dhe urtakë të mençur e të heshtur, por edhe të tjerë atdhetarë të zhurmshëm dhe fjalë goditës gjithashtu.
“Jehona e Shqipes” një rekord si “Albania” e Konicës
Kjo radio e udhëhequr me sakrifica dhe modesti, me inteligjencë dhe sdiomos me frymë të bollshme lirie, nga Sakip Skepi, sikundër e ka përfshirë në antologjinë-guidë të radiove dhe radiofonisë shqiptare kolegu Muka, ia ka mbërritur edhe një rekordi historik si medium shqiptar. “Albania” e Faik Konicës në fillim të viteve 1900 ishte ndër të parat dhe më e rëndësishmja, ndërsa Radio “Jehona e Shqipes” është dhe mbetet e vetmja dhe më jetëgjata radio shqiptare në Europë. Sakip Skepi nuk ka qenë protagonist “i fuqishëm me zërin e vet” në mikrofonin e radios, por e ka bërë dhe e mban radion të rëndësishme për të mbledhur dhe shtuar zëra dhe mendje drejtmenduese dhe shprehëse për shqiptarët, çështjet tona dhe momentet e historisë në 40 vitet e fundit. Në listën e gjatë kryepërmenden Liri Begeja, Kimete Mitrovica, Ali dhe Avni Islamaj, Durak Duraku, Bernard Nikaj, Kolë Gjeloshaj Hysaj,Idriz Basha i Novosejt, Naim Lika, Gani Sheta i cili u bë pagëzori I radios dhe aktualisht ende konsiderohet “gjeneratori” i emisionit.
Historia e radios u bë edhe më e pasur në ndodhitë dhe zhvillimet e pas viteve ’90-të kur stafit iu bashkuan kontribute gazetarësh dhe reporterësh që formësuan një entitet të ri mërgimtarësh në Belgjikë dhe vendet e tjera, të tillë si Ymer Abazi, Bislim Arifi, Fatos Mahmutaj, Anila Malaj, Genti Metaj, Shqipe Bytyqi, Afrim Gjonbalaj, Qenan Kera, Alma Kryemadhi, Elona Zhana, Enida Rrapaj, Jusuf Zenunaj, Ilir Strazimiri etj., etj.
Shumëkush që mori fjalën në maratonën radiofonike të datës 10 maj, në studion e improvizuar në skaj të sallës ku u mbajt Konferenca jubilare, vlerësonte çmueshëm kontributin e këtij mediumi për momentet më përcaktuese në historinë e shqiptare brenda territoreve dhe në raport me Europën.
Arkivi 40 vjeçar i radios, si pasuri publike për historinë e diasporës
Pasuria arkivore e kësaj radioje në diasporë do të duhej me kohë të konsiderohej dhe vlerësohej si pasuri publike kombëtare edhe institucionalisht, pasi është unike dhe lidhet posaçqrisht me diasporën gjithëshqiptare.
Prej kohësh do të duhej që radiot publike kryesisht në tre shtetet ku jetojnë dhe qeverisin shqiptarët, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, do të duhej prej kohësh të sendërtohej një partneritet për qarkullimin e këtij fondi radiofonik, për të pasuruar njëherësh dijen publike për histori, ngjarje, bëma, protagonistë, ndodhi dhe përfaqësime për të cilat publiku I Shqipërisë më së shumti dhe ai I Kosovës gjithashtu nuk kanë pasur dhe fatkeqësisht nuk e kanë ende. “Jehona e Shqipes” për shqiptarët ka simbolikisht dhe historikisht rëndësinë e radiove të tilla si “Radio Free Europë” dhe seksionet shqip të radiove ndërkombëtare. Madje në jo pak herë për shkak të kohës radiofonike në dispozicion, kjo radio mbart rekordin e të qenit e para dhe më e hershmja radio e pavarur që ka kontribuar si hapësirë e pacak për zërat plurale të botës shqiptare edhe kur hapësira jonë kombëtar gjendej nën regjime dhe kohë privimesh për liri e shprehje të lirë. Kjo radio, pa droje mund të përcaktohet, si e para “kombëtare private” që nuk ka asgjë për privatin e vet-themelonjës dhe posedues, por për dëgjuesit dhe të interesuarit kudo ku gjenden dhe posaçqeiaht për diasporën e kudogjendur shqiptare.
Përfaqësues të shquar të ekspresionit politik e kulturor në Europë kanë marrë dhe kanë pasur kohën e tyre për ligjërim dhe shprehje publike në gjuhën amtare, prej kryeqytetit të Europës në mikrofonin e “Jehonës së Shqipes”. Në kohën radiofonike të së dielës kanë rrëfyer tregimet rrënqethëse të jetës së tyre dhjetra e qindra personazhe historikë dhe me përballje rebeluese me të shkuarat politike dhe qeverisjet në troje, sikundër kanë bërë dhe bëjnë të ditur suksesin e tyre befasues dhjetra shqiptarë të talentuar. Në hollin e Konferencës kremtuese u njohëm edhe me Leonard Pervizin, bir I Lek Pervizit, ish I përndjekur dhe I vuajtur politik, por edhe një diturak dhe me talent fatkeq në shumë lëmi. Leonardi një piktor I talentuar, (njëherësh bir I një nëne që shquhej për bukurinë e vet në Tiranën e hershme). Eshtë një artist, sa dhe si një klasik në kohë të sotme i shtuar edhe si modern, na dhuron një album-paraqitës në ekspozitën e vet të çelur në Paris në shkurt të 2025, nën kujdesin e Presidentin Makron në Grand Palais, Champs Elysees Paris. Ndërkohë që aktorja dhe interpretuesja në frëngjisht dhe shqip Anila Dervishi me emocion dhe ndjenjë përcjellëse solli në këtë mbrëmje recitime nga “Lahuta e Malcisë” të At Gjergj Fishtës dhe grupi i valleve “Shqiponjat e Brukselit” që veç atmosferën tradicionale të tingujve dhe valleve, shtoi edhe syrrëmbime dhe shikime mbi kostumet kombëtare të valltarëve.
Emra të shquar gazetarësh, shkrimtarësh, poetësh, piktorësh, muzikantësh apo sportistësh e arkitektësh në ekzil kanë gjetur mundësinë të artikulohen fuqimisht me gjuhën amtare për çështjet dhe hallet kombëtare, për dhimbjet dhe denoncimet politike, për orientim dhe adresim çlironjës si dhe për emancipim dhe iluminim mendor të komunitetit shqiptar, por edhe të vetë shoqërive shqiptare, sidomos për atë të Shqipërisë pas viteve ’90-të. Historia e filmit të censuruar “Prilli I thyer” I Kadaresë përbën një ndodhi që do të duhej të ishte bërë film ose roman më vete, pasi lidhet jo vetëm me Kadarenë, raportin me mediat dhe artistët europianë, por edhe me humbjen e mundësisë së vetme të Bekim Fehmiut për një film shqiptar.
Maratona e një dite si drita që kapërcen horizontin e kohëve
Maratona radiofonike prej tri orësh në mikrofonin e radios, moderuar dhe ndjekur nha stafi I ri, me pasion dhe krenari përkushtuse, për përvjetorin dhe sidomos mbrëmja gala e moderuar me aq intensitet dhe emocione nga Dëfrim Methasani, solli imazhin e një kontributi masiv dhe të palistueshëm personazh, personalitetesh dhe përfaqësuesish të hapësirës publike gjithëshqiptare dhe europiane në 40 vite rresht. Njëkohësisht krijoi një imazh real të një mediumi që u është imponuar si I tillë jo vetëm komuniteteve profesionale të mediave në hapësirën tonë, por kryesisht në Bruksel, në Belgjikë dhe Francë. Ka fituar partneritet të admirueshëm me shumë media të tjera vendase dhe ndërkombëtare. Jo pak herë për të dhe rolin e saj janë realizuar telereportazhe, dokumentarë dhe raportime të posaçme nga televizione dhe shtypi I shkruar më I rëndësishëm I Europës.
Kjo ishte një ditë-natë, të cilën e drejtpërcaktoi moderuesi i saj Methasani (mbështetur nga duartrokitës të shumtë), që “vlente sa një jetë”. Në Bruksel çdo të dielë “Jehona e Shqipes” ka kohën e vet prej 40 vitesh dhe në kohën që vjen.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull