Po ku ishit ju, o viktima?

5 Minuta Lexim

Nga Frrok Çupi

Duhej shtuar, ‘o viktima demokratë’.

Këta po na e japin shpirtin në dorë, por edhe ne po bëjmë sikur na këpusin shpirtin.

 Secili ka ‘Ojiii-të’ e veta. Si e përzunë, si i mbyllën derën, si e përjashtuan a vet përjashtuan, si i hëngrën veshin ‘veç mos dëgjo’ dhe mos shiko. Të gjitha na i vënë para ne popullit që nuk jemi si ata.

Heronjtë po shfaqen si viktima. Kur ishin viktima shfaqeshin si heronj; heronj mbi fatin dhe dhimbjen e të tjerëve. Stina e zgjedhjes së kryetarit të stërzgjedhur në PD, sapo ka ardhur.

Po ku ishin deri tani, o zot?

Si në këngën e magjishme të Sherif Merdanit, ‘Po ku ishe ti, o zot!?’

Artisti kishte ardhur nga burgimi i gjatë, i ndëshkuar vetëm pse këndonte. Dhe falte dhimbjen përsëri me këngë:

‘Po ku ishe ti o zot?/ Për një çast kur të mohuam/ Falna ti dhe mjaft me lot/ Veç te ti kam për të besuar’.

Edhe për demokratët e PD, për shkak të burgut të brendshëm, ka ardhur puna te muri. Por muri nuk është ‘zoti i Merdanit’ të madh. Muri është fundi. Vetë shefi i demokratëve u ka thënë se ‘jeni në fund të rrugës’. Të gjithë së bashku kanë bërë dhunë mbi ne banorët e Shqipërisë. Demokratët as kanë guxim ta besojnë, as kanë guxim ta refuzojnë. Artisti ynë i madh e pati guximin t’i bjerë në gjunjë zotit ‘pse e mohuan’. Por ai ishte dinjitet.

Demokratët tanë, mëkatarë të mëdhenj të jetës sonë, edhe tani që po qurraviten, nuk duan ta zbulojnë as zotin, as djallin, as mëkatin brenda vetes.

Secili hëngri dikë brenda demokratëve.

Deri këtu ku jemi sot, që po ankohen ‘pse po më hanë’. Siç Alesia, e qartë dhe guximshme, ka ngrënë dikë para saj. Në pamjen e djeshme në ekran, u duk qartë se ‘viktimë’ e Alesias është Bejko. Të paktën si radhë. Edhe Bejko po aq i qartë, i eliminuar nga dikush tjetër. Salianjin e kishte eliminuar një grua ‘e dashur’. Para se Landin ta kishte mashtruar Basha.

Vetë Landi mbrëmë, u kthye te Pashko, ku e qëlloi për vdekje. Pas vdekjes. E ngarkoi me barrën se ‘çeku i bardhë’ e shkatërroi PD-në, por PD ‘hëngri fiq e vdiq’ 35 vjet më vonë, dmth sot.

Në periudhën e Pashkos, i kishte ngrënë dikush tjetër, secili secilin. Kur Pashko po deklaronte filozofinë e PD që po shkonte ‘për skrap’, dikush doli nga prapa skenës në Teatrin e Operas. Ishte Zhulali. U ndodh në tualet, por u ngrit vetëtimthi, aq sa edhe xhaketën e kishte futur në pantallona. Edhi për të kollofitur Pashkon.

Pastaj dikush tjetër hëngri Zhulalin, saqë mbeti larg në një spital jashtë vendit. Thonë se e hëngri Gazidede, të cilin e hëngri dikush tjetër; dmth., shefi që e kishte urdhëruar deri në çastin Zhulali.

Pjetër Arbnori, i persekutuari i madh, bënte ‘priftin’. Kur vdiq e ëma, në vitin 1991, diçka tha nëpër dhëmbë teksa prisnim funeralin. Në shtëpinë e tij dhese në Shkodër mbetëm vetëm të dy.  Askush nuk po dukej nga PD. “A thu janë edhe këta si ata?, mu drejtua dhe qëndrova derisa dikush tjetër u shfaq në derë. Pastaj vetë Pjetri u eliminua nga ‘ai që dihej’.

PD është një send palë- palë. Askush nuk di t’i numërojë palët. Njëra ka hipur mbi tjetrën dhe të gjithë janë zhdukur. Vetë i kanë ngrënë, një nga një, secili secilin.

Këta janë të fundit. Të fundit, jo pse në PD mbaruan ata që hanë tjetrin në emër të bosit në mafie. Por sepse nuk do të ketë më PD. Ose do të ketë, por do të ketë formën e ‘qenit roje’ në derën e Sali Berishës. Po t’i afrohen prapë asaj porte me parullën se ‘PD është jona, e popullit e jo e Saliut’, atëherë prapë përsëritet historia.

Por do të përsëritet, do të jetë e pistë për viktimat. Sepse publiku i komedisë do t’u thotë: ‘Cilin do të hani tani? Nuk e patë qenin te porta?’.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull