Debati për Zvërnecin nuk është më vetëm një përplasje mes investimit dhe kundërshtive lokale, por një çështje ku, sipas tij, janë përfshirë edhe interesa politike, ekonomike dhe gjeostrategjike.
Protesta kundër projektit në Zvërnec nuk lidhet më vetëm me incidentin e ndodhur në zonë, por po përdoret nga grupe dhe interesa të ndryshme politike, ekonomike dhe aktiviste.
Kështu u shpreh ish-deputeti socialist Petro Koçi në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku komentoi zhvillimet e fundit rreth investimit 4 miliard euro në Zvërnec që ka nxitur debat publik.
Sipas tij, të gjithë ata që nuk e duan Shqipërinë s’janë dakord me investimin në Zvërnec.
Koçi tha se dhuna e ushtruar nga rojet private ndaj protestuesit ishte e papranueshme dhe shkaktoi indinjatë të gjerë, por sipas tij protesta që pasoi në Tiranë ka kaluar tashmë përtej këtij episodi.
“Ajo që ndodhi më pas duhet parë ndryshe, as në mënyrë reaksionare e as në mënyrë naive.
Unë mendoj që protesta në Tiranë nuk ka lidhje më me incidentin as me Zvërnecin. Ka motive nga më të ndryshmet. Lidhet me ata njerëz që janë të pakënaqur për arsye nga më të ndryshmet. Patjetër që ka ambientalistë që e kanë mjedisin prioritet absolut. Këtë rast nuk lënë pa e shfrytëzuar edhe shoqëria civile që bën protagonizëm, që me videot selfie flasin për kauzat e veta. Brenda ka edhe politikanë, të partive të vogla që shfrytëzojnë momentin për tu bërë protagonistë dhe fituar pikë elektorale. Ne nuk duhet të bëjmë naivin.”, tha ai.
Sipas Koçit, investimi në Zvërnec po has rezistencë edhe nga aktorë që nuk kanë lidhje me shqetësimet mjedisore.
“A janë oligarkët shqiptarë dakord me këtë investim? Unë besoj që një pjesë e mirë prej tyre nuk janë dakord por nuk shprehen sepse ua do diplomacia e marrëdhënieve me shtetin. As operatorët turistikë të fqinjëv nuk do të ishin dakord me këtë investim. Të gjthë ata që nuk e duan Shqipërinë nuk janë dakord me këtë investim. Ky investim nuk është parësor vetëm nga pikëpamja ekonomike por edhe gjeostrategjike” tha Koci.
Duke komentuar përfshirjen e SPAK që ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës në Zvërnec ku pritet të ndërtohet resorti turistik, Koçi tha se ndërhyrja ishte e nevojshme dhe se duhet të vendoset përgjegjësi për çdo abuzim të mundshëm me pronësinë.
“Më vjen mirë që SPAK ka ndërhyrë. Të gjithë ata që ndër vite kanë rrëmbyer atë pronë pa fakte objektive ose kanë manipuluar pronesine duhet të japin llogari para drejtesise.
Koçi foli edhe për reagimet nga Greqia, duke i cilësuar ato si pjesë të një ndërhyrjeje të jashtme në debat të brendshëm shqiptar .
“Kemi Fredi Belerin që arriti deri aty sa një popullësi autoktone të Zvërnecit ta quajë etni greke. Pra e kanë shfrytëzuar rastin për të sulmuar integritetin e origjinës së shtetasve shqiptarë. Incidenti, sado flagrant, është një marrëdhënie me shtetas shqiptar. Goditja që i dhanë forcat private të sigurisë protestuesit është më e ndyrë akoma. Ndërhyrja e huaj ekziston.
Kemi një eurodeputete greke që ka thënë që duhet të heqim ambasadorin e shqipërisë nga Greqia. Pra kemi një reaksion të huaj. Unë kam parë reagime anti-simite, anti-izrael. Sot bëhet ccdo gjë përmes telefonit. Ky është një moment që ccdo anti shqiptar mund ta shfrytëzojë” tha Koçi.
Kështu, sipas Koçit, incidenti në Zvërnec nuk duhet parë i shkëputur nga klima politike që është krijuar rreth investimit, pasi sipas tij çështja po përdoret nga aktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit për interesa që shkojnë përtej konfliktit të momentit.

