Të meditosh për vdekjen të dielën që me sabah: ters apo terapi?

7 Minuta Lexim
E diela është dita perfekte për të menduar për vdekjen, sigurisht jo me muzikë të trishtuar në sfond, por me një filxhan kafe përpara, duke buzëqeshur me ironitë e mëdha të ekzistencës. Dhe asnjë histori nuk e hap këtë bisedë më mirë sesa ajo e Talesit të Miletit, babait të filozofisë perëndimore, i cili na la një trashëgimi të madhe idesh dhe… një parodi të përjetshme që mund të titullohej “Qielli dhe gropa”.
Simon Critchley te “Libri i filozofëve të vdekur” kap pikërisht këtë nuancë. Ai na kujton se edhe njerëzit që u përpoqën të deshifronin sekretet e universit, realiteti shpesh i mundi me detajet më banale të jetës së përditshme.
Kirurgjia e egos përmes rënies në gropë ose përmes aksidenteve rrugore
Mendojeni pak Talesin: njeriu që parashikoi eklipsin diellor, që zbuloi se uji është zanafilla e çdo gjëje, ecën natën me sy të ngulur te yjet. Po llogarit mbase distancat kozmike, po prek të mbinatyrshmen meditative, dhe bam!, përfundon në një gropë mjerane. Platoni tregonte me lezet se si një shërbëtore trake qeshi me të madhe me filozofin që kërkonte të dinte çfarë ndodhte në qiell, por nuk pa dot çfarë kishte para këmbëve.
Tani, që të jemi të sinqertë, për vdekjen e Talesit mund edhe të dyshojmë. Kjo histori mund të jetë një anekdotë e trilluar qëllimisht nga bashkëkohësit apo pasardhësit për të bërë pak humor me pafuqinë e njeriut; një mënyrë po për të zbritur në tokë një kollos të mendimit dhe për të thënë: Shihe shkencëtarin, mbytet në një pikë ujë (apo në një gropë).
Por nëse te rasti i Talesit mund të ngremë supet me skepticizëm historik, libri i Critchley-t na sjell një rast tjetër, ku historia nuk lë asnjë shteg për dyshim: Albert Kamynë, profeti n e absurdit, që thoshte e zezë mbi të bardhë se nuk kishte gjë më absurde në këtë botë sesa të vdisje në një aksident automobilistik. Për të, të ndërprisje rrugëtimin njerëzor nga një dështim mekanik apo një pakujdesi rrugore ishte kulmi i ironisë pa kuptim.
Dhe çfarë bën rast? Më 4 janar 1960, makina Facel Vega me të cilën ai po udhëtonte drejt Parisit (me një biletë treni të papërdorur ende në xhep) përplaset me një pemë. Kamy vdes në vend.
Këtu ironia nuk është më një thashethem i lashtë grek. Është një fakt i dokumentuar i shekullit të XX. Nëse gropa e Talesit ishte një metaforë komike, mbase reale mbase e krijuar për të treguar se filozofët i kanë sytë në qiell, aksidenti i Kamysë është prova e gjallë dhe e pamëshirshme se absurdi, të cilin ai tentoi ta zbuste përmes shkrimit, e priste pikërisht në kthesën e rrugës, duke vërtetuar teorinë e tij në mënyrën më cinike të mundshme.
Kjo lloj “kirurgjie e egos” që na bën Critchley është një shuplakë e lehtë por e domosdoshme: tregon se përpara rastësisë dhe vdekshmërisë, asnjë sistem filozofik, sa do gjenial, nuk shërben si … air-bag.
Të mësosh si të vdesësh, pa e marrë veten shumë seriozisht
Nëse Ciceroni thoshte se të filozofosh do të thotë të mësosh si të vdesësh, libri i Critchley shton një nëntekst modern: të mësosh si të vdesësh do të thotë të mësosh si të qeshësh me veten.
Shikoni se si vdiqën të të shquar të tjerë që përmenden në libër: Herakliti, që besonte se gjithçka rrjedh, përfundoi i mbytur në pleh lope sepse mendonte se ashtu do të kuronte sëmundjen e tij. Kurse Fransis Bekon, që donte të provonte shkencërisht ngrirjen e mishit, vdiq nga pneumonia sepse doli në borë e acar të ngrinte një pulë të theru.
Këto nuk janë histori horrori po skena që të kujtojnë filmat e vjetër bardhezi, ku dikush rrëshqet mbi një lëkurë bananeje. Dhe ky është pikërisht qëllimi i autorit për të dielën tonë: të na zhveshë nga ajo fryrja ekzistenciale, nga aktrimi në role serioze, ku ne kujtojmë se jemi të pavdekshëm apo të rëndësishëm për universin.
Pse ky humor na bën mirë?
Sipas Critchley, shoqëria jonë moderne e ka bërë vdekjen një tabu sterile. E kemi mbyllur në spitale, e kemi fshehur pas termave mjekësorë dhe përpiqemi ta harrojmë me kremra kundër rrudhave apo duke blerë makina të reja e të sigurta.
Por kur lexon për këta titanë të mendimit që bien nga shkallët, mbyten nga një kokërr rrushi (si Anakreonti) apo vdesin nga infeksioni i një gishtit të këmbës pasi goditën dyshemenë me shkopin e dirigjimit (si kompozitori dhe filozofi Lully), diçka çlirohet brenda nesh. Frika kthehet në pranim.
Nëse Tales, mendja më e ndritur e kohës së tij, arriti të thyente qafën në një gropë thjesht sepse po shihte yjet, atëherë edhe ne të vdekshmit e thjeshtë mund t’i lejojmë vetes të bëjmë gabime, të jemi jo vetëm seriozë po edhe komikë dhe, mbi të gjitha, të mos shqetësohemi kaq shumë për kontrollin absolut mbi jetën.
Një shënim për fundjavën
Kështu që, këtë të diel, ndërkohë që lexoni këtë postim dhe mbase bëheni gati për një shëtitje nga Liqeni apo nëpër rrugët e Tiranës (ku gropat e Talesit ndonjëherë janë më kërcënuese se në Greqinë e Lashtë), bëni dy gjëra: Guxoni të ngrini sytë nga qielli dhe të mendoni për gjërat e mëdha të jetës. Por, për hir të filozofisë… hidhni një sy edhe për të parë ku shkelni.
Në fund të fundit, sekreti i një jete të mirë nuk është të shmangësh gropën përgjithmonë, por të paktën të sigurohesh që kur të biesh të dukesh sa më serioz, mundësisht edhe solemn

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull