Nga Dashnor Kokonozi-
Specialistët e komunikimit i njohin mirë dhe kanë evidentuar rreth dyqind teknika manipulimi.
Po përshkruaj vetëm një, atë me të cilën pushtetarët na manipuluan këto ditë.
(Më tej mbase mund t’i sjell me radhë)
Bëhet fjalë për teknikën e zmadhimin tê së keqes, për të kaluar më lehtë të keqen e radhës.
Po t’ju kujtohet mirë, z. Rama, kur u detyrua të pranojë se koncerti i Kanye West është financuar me taksat e shqiptarëve (që as ia kërkuan këtë koncert), nuk tha se qeveria do të japë 4 milionë euro.
Ai tha saktësisht: “Nuk janë qindra milionë euro, vetëm katër milionë do të japim.”
Me naivitet e padjallëzi, shumë vetë menduan: “Ah, sa mirë, nuk qenkan njëqind milion!”
Dhe u qetësuan.
Vetëm ekonomistët dhe njohësit e teknikave të manipulimit folën.
Të tjerët, pranuan atë që iu duk një e keqe e vogël.
Në një vend me brekë të arnuara si Shqipëria, ato 4 milionë do të zgjidhnin mjaft probleme. Dhe nuk po përmend mjekësinë e sëmurë shqiptare, qê u citua aq herë.
Ka një problem të turpshëm të kulturës shqiptare që do të zgjidhte me siguri ai 4‑milionësh: Biblioteka Kombëtare. Jemi i vetmi vend në botë ku dija dergjet në kuti bananesh, dhe nuk po flas për hyrjet e reja.
Por mashtrimi i pushtetit funksionoi.
Shyqyr që nuk qenkan 100 milionë euro! Katër ia bejmë hallall!

