Nga Ilir Krasniqi-
Elbasani, qyteti i shtrirë përgjatë Via Egnatia-s, rrugës antike që për shekuj ka lidhur Perëndimin me Lindjen, këtë javë u shndërrua në një qendër të dialogut demokratik dhe angazhimit qytetar në Shqipëri.
Për tri ditë radhazi, qyteti mirëpriti edicionin e parë të platformës “Thu’Je – Platform for Democracy and Peace”, e cila përmbylli aktivitetet me një bilanc mbresëlënës: 55 aktivitete paralele, ku u përfshinë më shumë se 70 organizata, institucione, akademikë dhe partnerë ndërkombëtarë nga 25 vende evropiane.

E frymëzuar nga modele të njohura evropiane, si Arendalsuka dhe Kristiansand Democracy Week në Norvegji, platforma “Thu’Je” erdhi si një koncept me identitet shqiptar dhe ballkanik. Përmes debateve, tryezave të rrumbullakëta, forumeve të hapura, ekspozitave dhe aktiviteteve të angazhimit qytetar, Elbasani promovoi një model të ri të debatit publik, ku institucionet dhe qytetarët ndajnë të njëjtën hapësirë komunikimi.

Bashkia dhe Universiteti: Bashkëpunim për transparencë dhe demokraci
Në nivel vendor, kjo nismë dëshmoi se komunikimi i drejtpërdrejtë me komunitetin është thelbësor për forcimin e besimit te institucionet. Bashkia e Elbasanit u rreshtua ndër mbështetësit kryesorë të kësaj nisme, duke nxitur bashkëpunimin institucional dhe angazhimin e të rinjve në proceset demokratike.
Gjatë aktiviteteve, qytetarët, të rinjtë, institucionet, shoqëria civile, universitetet, mediat dhe partnerët ndërkombëtarë patën mundësinë të takohen, të debatojnë, të prezantojnë ide dhe të krijojnë ura të reja bashkëpunimi.

Nga ana tjetër, Universiteti i Elbasanit dëshmoi rolin e tij përtej formimit akademik, duke u shndërruar në një hapësirë ndërveprimi dhe diskutimi mbi sfidat e shoqërisë.
Ky edicion i parë ishte rezultat i një rrjeti të gjerë bashkëpunimi, ku u përfshinë PVN Albania, organizata LIBURNETIK, Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA), si dhe partnerët norvegjezë PVN Norway, Universiteti i Agderit dhe bashkitë Arendal e Kristiansand.

Përmes debateve, punëtorive, ekspozitave, shfaqjeve dhe forumeve të hapura, pjesëmarrësit sollën përvojat, shqetësimet dhe propozimet e tyre në një hapësirë të përbashkët publike.
Paqja nuk lidhet vetëm me mungesën e konflikteve, por edhe me aftësinë e një shoqërie për të trajtuar mosmarrëveshjet në mënyrë demokratike, për të respektuar të drejtat dhe liritë e individit dhe për të garantuar mundësi pjesëmarrjeje për të gjithë qytetarët.

Në qendër të diskutimeve: Roli i diasporës në zhvillimin shoqëror
Një ndër temat me interes të veçantë ishte roli i diasporës në zhvillimin shoqëror dhe lidhja e saj me vendin e origjinës.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kryetari i UGSh-së, Aleksandër Çipa, si dhe përfaqësues të mediave nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët nuk u kufizuan vetëm në pasqyrimin e ngjarjes, por u përfshinë aktivisht në diskutimet për diasporën.

Në tryezë ishin të pranishëm Xhimi Vila, përfaqësues i Bashkisë së Elbasanit dhe koordinator i Zyrës së Diasporës; Edlira Gugu, zëvendësdekane e Universitetit të Elbasanit; si dhe përfaqësuesit e misionit “Kujtesë për vazhdimësi”: Anila Cota, Lutfi Lala, Petrit Hodo dhe Bledi Gremi.
Gjatë bashkëbisedimit u realizua edhe një lidhje e drejtpërdrejtë me aktivistin e diasporës, Andrea Ferizi. Pjesë e tryezës ishte edhe shoqata e pensionistëve, e përfaqësuar nga Albert Shopi.

Takimi ngjalli interes të veçantë edhe për projektin e trajnimit të mësuesve nga Universiteti i Elbasanit dhe Universiteti UBT në Prishtinë. Për këtë projekt dhe rezultatet e arritura deri më tani foli Edlira Gugu.
Ndërkaq, Anila Cota nga misioni “Kujtesë për vazhdimësi” prezantoi kontributin e dy shtëpive botuese, “MB” nga Elbasani dhe “Jozef” nga Durrësi, të cilat kanë ndihmuar në pajisjen me libra të shoqatave dhe shkollave shqiptare në diasporë, si dhe në promovimin e figurave kombëtare.
Në diskutime morën pjesë aktivisht edhe Daut Haxha, përfaqësues i PVN-së nga Norvegjia, dhe Anton Ahmetaj, përfaqësues i bashkësisë kulturore-fetare shqiptare në Norvegji.
Haxha vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në nivel komunal me mërgatën, duke vënë theksin te arsimi, trashëgimia kulturore dhe kontributi që diaspora mund të japë për vendin e origjinës.
Ndërsa Andrea Ferizi, duke folur për diasporën shqiptare në Greqi, hapi një debat të gjerë mbi kontributin e saj ekonomik dhe shoqëror. Ai theksoi se vetëm në Athinë janë të regjistruara rreth 3,500 biznese shqiptare, të cilat përbëjnë një aset të rëndësishëm.
Aleksandër Çipa: Nevojitet një qasje e re ndaj diasporës
Në një bashkëbisedim me përfaqësues të institucioneve akademike, organizatave joqeveritare dhe mediave, Aleksandër Çipa bëri thirrje për ndryshim rrënjësor të strategjisë dhe metodologjisë në raport me diasporën shqiptare.
Ai theksoi nevojën për ide dhe qasje të reja, të cilat do të ndihmonin në rikonceptimin e marrëdhënieve me mërgatën.
Sipas Çipës, shoqëria shqiptare po përballet me një krizë serioze demografike: popullsia po zvogëlohet brenda kufijve administrativë të vendit, ndërsa po rritet jashtë tyre. Kjo, sipas tij, nënkupton humbjen e një pjese të konsiderueshme të kapitalit intelektual dhe mungesën e ekspertëve në vend.
Ai ngriti shqetësimin se ky transformim demografik nuk po analizohet sa duhet nga institucionet kërkimore dhe studimore, të cilat duhet të ofrojnë vlerësime dhe parashikime për zhvillimet e ardhshme.
Duke marrë Japoninë si shembull të planifikimit strategjik, Çipa theksoi se Shqipërisë i mungon edhe një atlas demografik që do të pasqyronte shpërndarjen dhe zhvillimin historik të komuniteteve shqiptare në Ballkan dhe Evropë.
Ai kritikoi gjithashtu trajtimin kryesisht politik, në vend të atij historik dhe etnodemografik, të komuniteteve shqiptare në Greqi, si arvanitasit dhe çamët.
Si shembull të neglizhencës ndaj trashëgimisë kombëtare, ai përmendi shtëpinë e Faik Konicës në Greqi, e cila, sipas tij, ka mbetur rrënojë prej një shekulli, pavarësisht rëndësisë së saj simbolike.
Në anën tjetër, Çipa përshëndeti nismën e Bashkisë së Elbasanit për caktimin e një koordinatori për diasporën në nivel drejtues komunal, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve me emigrantët.
Ai u ndal edhe te nevoja për modernizimin e shërbimeve arsimore për diasporën. Sipas tij, diskutimi 35-vjeçar rreth shpërndarjes së abetares fizike dëshmon se qasja duhet të ndryshojë dhe të përshtatet me kohën.
Në epokën digjitale, librat elektronikë, tabletat dhe format e tjera alternative të edukimit duhet të shfrytëzohen më shumë.
Mesazhi i tij përfundimtar ishte i qartë: nevojiten ide inovative dhe shërbime moderne për diasporën, me synimin që të krijohen kushte për ruajtjen e lidhjeve me atdheun dhe, në të ardhmen, edhe për rikthimin e saj.

Rinia, vullnetarizmi dhe sfidat e demokracisë
Gjatë tri ditëve, programi trajtoi tema të rëndësishme të debatit publik në Shqipëri dhe Evropë. Ekspertët dhe pjesëmarrësit diskutuan për qeverisjen, të drejtat e njeriut, kohezionin social dhe rreziqet që paraqet dezinformimi në media.

Vëmendje e veçantë iu kushtua “Asamblesë Rinore” (Youth Assembly) dhe punëtorive interaktive, ku lidershipi rinor u trajtua si një faktor i rëndësishëm për transformimin e shoqërisë.
Anton Ahmetaj theksoi rëndësinë e angazhimit në aktivitetet vullnetare, duke nënvizuar se vullnetarizmi nënkupton tejkalimin e interesit individual dhe vendosjen e interesit të përbashkët në plan të parë.
“Rëndësia e interesit të përbashkët të një komuniteti duhet të jetë parësore. Hapësirat e veprimtarisë në organizatat vullnetare janë mundësi për pjesëmarrje, që krijojnë besim dhe ndjenjë përkatësie, ndërsa njëkohësisht kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore. Në këtë kontekst, nuk duhet të harrojmë se ndonjëherë edhe një mundësi e vetme mund t’i mjaftojë një individi për të shfaqur dhe realizuar idetë e projektet e tij, në dobi të vetes, komunitetit dhe shoqërisë civile në përgjithësi”, u shpreh Ahmetaj.

Elbasani, një urë e re për dialogun dhe paqen
I shtrirë përgjatë Via Egnatia-s antike, rrugës që për shekuj ka lidhur Perëndimin me Lindjen, Elbasani dëshmoi se vazhdon të mbetet një urë lidhëse, kësaj radhe për dialogun, bashkëpunimin dhe paqen.
Platforma “Thu’Je” dëshmoi se paqja nuk nënkupton vetëm mungesën e konflikteve, por edhe aftësinë e një shoqërie për t’i trajtuar mosmarrëveshjet në mënyrë demokratike dhe me respekt për mendimin ndryshe.

Një nga veçoritë kryesore të kësaj platforme ishte mënyra e ndërtimit të programit: vetë pjesëmarrësit propozuan dhe drejtuan aktivitetet. Gjatë tri ditëve nuk kishte vetëm një skenë qendrore dhe një audiencë pasive, por një sërë aktivitetesh paralele, përfshirë debate, punëtori, tryeza të rrumbullakëta, prezantime kërkimore, ekspozita dhe aktivitete kulturore.

Kjo e shndërroi platformën në një hapësirë të përbashkët, ku secili pjesëmarrës kishte mundësi të kontribuonte me ide dhe propozime.


Në përmbyllje të këtij edicioni, Oltiana Rama shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj nisme.
“Jemi të kënaqur dhe thellësisht mirënjohës ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur Edicionin e Parë të Thu’Je – Platformës për Demokraci dhe Paqe, duke ndihmuar në krijimin e një arene të re për dialog dhe të një hapësire qytetare më të fuqishme në Elbasan dhe në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Nga frymëzimi norvegjez te realiteti shqiptar
Rrugëtimi i kësaj platforme nisi në vitin 2021, përmes një konsorciumi për vullnetarizmin lokal. Ideja konkrete u zhvillua në vitin 2022, gjatë një vizite studimore në Norvegji, ku morën pjesë përfaqësues të bashkive shqiptare, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.
Gjatë kësaj vizite u njohën me një model të marrëdhënieve më të afërta dhe më të hapura ndërmjet qytetarëve dhe vendimmarrësve.
Sipas Oltiana Ramës, ky model shërbeu si frymëzim për ta sjellë një qasje të tillë edhe në Shqipëri, duke përshtatur elementet më të mira të përvojës norvegjeze me realitetin shqiptar.
Ajo theksoi se ideja u shndërrua në një qëllim konkret, për realizimin e të cilit u deshën guxim, vendosmëri dhe gatishmëri për të sfiduar mentalitetet ekzistuese.
Sot, me mirënjohje ndaj partnerëve norvegjezë që shërbyen si frymëzim, kjo qasje synon të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme në Elbasan.

Demokracia në kohë krizash dhe rëndësia e besimit
Platforma u organizua në një periudhë sfiduese për Shqipërinë dhe Evropën. Megjithatë, sipas Ramës, pikërisht në kohë krizash dëshmohet gatishmëria e shoqërisë për të dëgjuar mendimet ndryshe dhe për të marrë përgjegjësi.
“Besimi rritet kur qytetarët shohin se fjalët e tyre kanë peshë. Kjo është përgjegjësia që Thu’Je merr përsipër”, u shpreh ajo.
Rama theksoi se suksesi i vërtetë i këtyre tri ditëve do të matet përmes rezultateve konkrete që pjesëmarrësit do të marrin me vete: një përgjigje, një bashkëpunim të ri apo një angazhim konkret.

Një hapësirë e pavarur dhe falënderime për bashkëpunëtorët
“Thu’Je” funksionoi si një hapësirë qytetare e pavarur dhe e hapur ndaj bindjeve të ndryshme.
Rama vlerësoi veçanërisht Bashkinë e Elbasanit për mbështetjen dhe gatishmërinë për të promovuar një mënyrë të re të të menduarit, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin mendimet dhe të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes shoqërore.
Në përmbyllje, ajo falënderoi qytetarët, moderatorët, panelistët, përfaqësuesit e mediave dhe të gjithë partnerët që besuan në këtë projekt: Bashkinë e Elbasanit, organizatën LIBURNETIK, IRCA-n, Universitetin e Elbasanit, bashkitë Arendal dhe Kristiansand në Norvegji, Universitetin e Agderit dhe PVN Norway.
Falënderim i veçantë iu kushtua stafit dhe vullnetarëve, të cilët punuan për ta shndërruar këtë projekt në realitet.
“Thu’Je” riafirmoi se ndryshimi bëhet i mundur kur njerëzve u jepet besim dhe hapësirë, kur bashkëpunimi ndërmjet sektorëve bëhet vlerë e përbashkët dhe kur partneritetet janë të hapura. Synimi ynë është që këtë mundësi ta zgjerojmë vit pas viti”, përfundoi Oltiana Rama.

Interes të veçantë zgjuan edhe stendat dhe ekspozitat e vendosura në ambientet e Hotel “Turizmi”, ku u zhvilluan aktivitetet. Ato dëshmuan interesimin e publikut për formate që mundësojnë komunikimin e drejtpërdrejtë, shkëmbimin e përvojave dhe njohjen nga afër me iniciativa të ndryshme.
Programi u pasurua edhe me shfaqje teatrale dhe muzikë klasike e jazz, duke bashkuar artistë shqiptarë dhe të huaj.
Edicioni i parë i “Thu’Je” u mirëprit nga pjesëmarrësit dhe komuniteti i Elbasanit. Me synimin që të organizohet çdo vit, platforma synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme ku qytetarët, institucionet dhe shoqëria civile të takohen, të diskutojnë dhe të ndërtojnë së bashku ide për të ardhmen.
Sepse demokracia, siç dëshmuan këto tri ditë në Elbasan, nuk mësohet vetëm. Ajo jetohet.




