Jeta që mban emrin tim

15 Minuta Lexim

Nga Rezi Gagani-

Në orën gjashtë të mëngjesit, bota mbërrin pa vonesë.

Drita e bojlerit ndizet në kuzhinë, një sy i vogël i verdhë që ka vigjiluar edhe kur unë flija. Uji ngjitet nëpër tubat e pallatit me të njëjtën trysni si dje. Dëgjoj hapat e fqinjit sipër, shkarkimin e ujit, një kollë të mbytur pas murit, ashensorin që zbret bosh dhe ndalet në katin përdhes. Pallati zgjohet pjesë-pjesë. Vetëm mekanizmi i tij duket se nuk ka fjetur.

Vendos dorën nën rubinet dhe pres që uji të ngrohet.

Nuk mendoj për rezervuarët, tubacionet, punëtorët e turnit të natës, ndërtesat ku dikush ka mbajtur nën vëzhgim trysninë, temperaturën, furnizimin. Nuk mendoj për asgjë nga ato që duhet të kenë funksionuar që kjo ngrohtësi të mbërrijë deri në pëllëmbën time. E marr siç merret fryma: pa mirënjohje, pa dyshim, pa pyetje.

Kjo është marrëveshja e parë e ditës.

Kafeja ka shijen që kam zgjedhur. E kam marrë vetë nga rafti, pasi kam krahasuar çmimin, aromën, vendin e prodhimit. Filxhanin e kam blerë gjatë një udhëtimi. Perdet i kam zgjedhur vetë. Edhe tryeza ku mbështes bërrylat është mbetja e një pasditeje të kaluar mes dyqaneve, në kohën kur ende besoja se një shtëpi ndërtohej duke zgjedhur sendet që do të vendosja brenda saj.

Telefoni dridhet mbi tavolinë.

Në ekran mund të shoh dëborën në Islandë, bursën e Tokios, fytyrën e një burri që po ha mëngjes në anën tjetër të botës. Mund t’i shkruaj një ministri se është gënjeshtar, ta kthej në karikaturë dhe ta shpërndaj para se kafeja të ftohet. Askush nuk do të vijë të ma thyejë derën për këtë. Ligji qëndron diku mbi kokën time, i shkruar në një gjuhë që nuk e kam lexuar kurrë deri në fund, dhe më garanton se mendimi im më përket.

Dal nga shtëpia me atë ndjesinë e lehtë se dita që kam përpara është ende e paprekur. Një sipërfaqe ku dora ime do të lërë shenjën e vet.

E rrotulloj çelësin dy herë në bravë.

Ashensori mban erë lagështirë dhe metal të ftohtë. Në pasqyrën e ngushtë të kabinës fytyra më duket më e lodhur nga ç’e mendoja para pak minutash në banjë. Rregulloj jakën, kaloj dorën mbi flokë, shoh numrat që bien: pesë, katër, tre.

Kur dera hapet, dita është ende e imja.

Pastaj ndaloj te furra e bukës.

Çmimi i bukës ka ndryshuar me disa qindarka. Shitësja pas banakut ma thotë me zë të ulët, sikur kërkon falje për një faj që nuk e ka kryer. Pas saj, bukët janë rreshtuar si çdo mëngjes, të ngrohta, të njëjta, me çarjet e holla mbi kore. I jap kartëmonedhën dhe, për një çast, më duket sikur peshon më pak se dje.

Diku, gjatë natës, një anije nuk kaloi.

Një urdhër u dha në një dhomë ku askush nuk e ngriti zërin. Një burrë vuri firmën në fund të një faqeje, një tjetër shtyu një hartë mbi tavolinë, një ekran u mbush me numra dhe dikush tha se rreziku ishte i pranueshëm. Ndoshta jashtë asaj salle binte shi. Ndoshta një pastruese priste që ata të largoheshin.

Unë nuk do ta di.

Do të di vetëm se buka kushton më shumë.

Vendimi udhëton pa trup. Kalon kufij, detra, zyra, ekrane. Zhvishet rrugës nga fytyra që e mori dhe, kur arrin tek unë, duket sikur nuk e ka marrë askush. Është bërë rrethanë. Është bërë treg. Është bërë krizë. Është bërë fjali pasive në lajmet e mëngjesit.

Çmimet u rritën.

Kushtet ndryshuan.

Masat u morën.

Askush nuk shfaqet në gramatikën e pasojës.

Mosha kur gjunjët e mi do të lejohen të pushojnë, përqindja që do të hiqet nga paga para se paratë të prekin dorën time, çmimi i dritës që ndizet mbi kokën e një fëmije kur ai bën detyrat, të gjitha kanë kaluar nëpër duart e njerëzve që nuk do të më shohin kurrë.

Megjithatë, në mbrëmje, jam unë ajo që bën llogaritë.

Ulem në kuzhinë, aty ku dita filloi me dritën e bojlerit, dhe përkul kokën mbi faturat. Heq një udhëtim. Shtyj vizitën te dentisti. Vendos që ngrohja të ndizet një orë më vonë. Pres diçka nga vetja pa e quajtur humbje.

Nuk them: dikush vendosi për mua.

Them: duhet të jem më e kujdesshme.

Vendimi është marrë larg, por faji ka mbërritur në vetën e parë.

Nuk fitova mjaftueshëm.

Nuk kurseva mjaftueshëm.

Nuk parashikova.

Nuk u përshtata.

Në fëmijëri, pushtetin e njihja nga zëri. Ishte babai që thoshte jo, mësuesi që më nxirrte para klasës, polici që ngrinte dorën, drejtori pas një dere të rëndë. Pushteti kishte fytyrë dhe, pikërisht sepse kishte fytyrë, mund të urrehej. Mund t’ia drejtoje zemërimin një goje, një dore, një emri.

Tani ai vjen pa trokitur dhe pa hyrë.

Nuk ma thyen bravën. Ndryshon interesin.

Nuk ma merr shtëpinë me ushtarë. E bën të papërballueshme.

Nuk më ndalon të largohem. E rrit çmimin e largimit.

Nuk më urdhëron të punoj më gjatë. E lë pagën aty ku është dhe pret që ta kuptoj vetë.

Askush nuk ma vë dorën mbi qafë. Mjafton që dyshemeja të zhvendoset me pak milimetra çdo vit. Trupi përshtatet. Shpina anohet. Gjumi bëhet më i lehtë. Frika hyn në zakone dhe humbet emrin e saj.

Edhe unë vazhdoj të zgjedh.

Zgjedh bankën që do të më japë kredinë, jo kushtet që do ta bëjnë atë të durueshme. Zgjedh qytetin ku dua të jetoj, derisa qiraja të zgjedhë për mua. Zgjedh profesionin dhe pastaj kaloj vitet duke mbrojtur vendin e punës nga vendime që merren larg meje. Zgjedh kujt t’ia jap votën mes njerëzve që do të hyjnë në dhoma ku unë mbetem jashtë.

Kam shumë dyer përpara.

Vetëm më vonë vërej se hapen në të njëjtin korridor.

Mund të zgjedh ngjyrën e murit, por jo sa vite të jetës sime duhet të shes për ta paguar dhomën. Mund të zgjedh muzikën gjatë rrugës për në punë, por jo kohën që ajo rrugë më merr çdo ditë. Mund ta shaj fytyrën që shfaqet në lajme.

Kur një vendim prek bukën, ngrohjen, kohën, trupin, të ardhmen, unë hyj brenda tij vetëm pasi ai është marrë.

Ndoshta liria nuk më është marrë. Do ta kisha vënë re. Ndoshta është zvogëluar me aq durim sa kam vazhduar ta quaj me të njëjtin emër. Ka mbetur e paprekur atje ku nuk rrezikon asgjë: në zgjedhjen e filxhanit, në ngjyrën e perdeve, në fjalët që hedh në ekran.

Më lejohet të kundërshtoj fytyrat.

Vendimet vazhdojnë të vijnë pa fytyrë.

Dikur, njeriu i bindur e dinte se po bindej. Urdhri vinte nga jashtë dhe përplasej me të. Edhe kur ulte kokën, mund të mendonte: kjo nuk është jeta ime; ma kanë marrë.

Unë rrallë e them këtë.

Them se jam realiste.

Fjalët janë bërë më të buta ndërsa jeta është bërë më e ngushtë. Braktisjen e quaj zgjedhje. Lodhjen e quaj angazhim. Frikën e quaj përgjegjësi. Largimin e detyruar e quaj kërkim mundësish. Pamundësinë e quaj kohë të papërshtatshme. Vitet që puna ia heq trupit tim i quaj karrierë. Aftësinë për të duruar goditjen tjetër e quaj pjekuri.

Gjuha vjen pas meje dhe pastron vendin e ngjarjes.

Nuk mbetet gjak. Vetëm terma.

Një mbrëmje, në bankë, më dhanë disa faqe për të firmosur. Punonjësja i shtyu drejt meje me një buzëqeshje të lodhur dhe më tregoi vendet ku duhej të vendosja emrin. Firmosa një herë, pastaj përsëri, pastaj në fund të faqes tjetër. Nuk i lexova të gjitha. Shkronjat ishin tepër të vogla dhe radha pas meje tepër e gjatë. Diku brenda atyre paragrafëve pranova kushte që nuk mund t’i ndryshoja.

Firma ime nuk më bëri pjesë të vendimit.

Vetëm dëshmoi se ai kishte mbërritur deri tek unë.

Por unë kisha hyrë vetë në bankë. Kisha kërkuar çatinë, kredinë, vitet e ndara në këste, sigurinë se një copë e botës do të mbante emrin tim. Nuk më kishin tërhequr zvarrë deri te sporteli. E doja atë shtëpi. E doja çelësin. E doja derën që mund ta mbyllja pas vetes.

Në fund të faqes, firma ime nuk pranonte vetëm kushtet e tyre.

Pranonte edhe dëshirën time.

Mekanizmi nuk qëndron vetëm përballë meje. Kalon përmes asaj që dua. Më lidh jo vetëm me frikën, por edhe me premtimin. Më jep ujë të ngrohtë, një dhomë, një pension të mundshëm, një mjek kur trupi prishet, rrugë mbi të cilat mund të largohem. Më kursen nga detyra për ta filluar botën çdo mëngjes nga e para.

Unë nuk di ta ndërtoj tubin që sjell ujin.

Nuk di ta prodhoj ilaçin që mund të më mbajë gjallë.

Nuk di ta mbroj vetëm shtëpinë, të ruaj monedhën, të shtroj rrugën, të prodhoj dritën që ndizet mbi tryezë. Jeta ime mbështetet mbi punën e njerëzve që nuk i njoh dhe mbi vendime që nuk mund t’i marr vetë.

Kam nevojë që diçka të vazhdojë edhe kur unë fle.

Drita e bojlerit vigjilon për mua.

Nuk është vetëm syri i mekanizmit.

Është edhe ngrohtësia e tij.

Ndoshta kjo është arsyeja pse nuk thyhet asnjë xham.

Po të ndalej e gjitha, nuk do të fitoja papritur jetën time. Do të humbisja ujin, dritën, ilaçin, rrugën, derën që mbyllet. Do të mbetesha përballë një lirie aq të plotë sa do t’i ngjante braktisjes.

Në mbrëmje ka ujë të ngrohtë. Divani është i butë. Frigoriferi punon. Kësti është paguar edhe këtë muaj. Jashtë mund të ketë luftë, krizë, uri, shembje, por dera ime ende mbyllet.

E rrotulloj çelësin dy herë dhe e dëgjoj bravën si një premtim.

Kam kërkuar që bota të më çlironte nga një pjesë e barrës së saj. Kam dashur që uji të vinte pa pyetur nga, që monedha të ruante vlerën e saj pa ndërhyrjen time, që një mjek të më priste në fund të korridorit, që dikush të mendonte për urat, kufijtë, furnizimin, dimrin.

Kam dorëzuar vendime jo vetëm sepse m’i morën.

I kam dorëzuar edhe sepse ishin të rënda.

Nuk mbaj mend çastin, ndoshta nuk pati një çast. Autorësia nuk largohet nga jeta me një akt të vetëm. Jepet pak nga pak, sa herë që zgjedh sigurinë në vend të pasigurisë, vazhdimësinë në vend të rrezikut, dhomën e ngrohtë në vend të hapësirës së hapur.

Dhoma ime është e vogël, por është e ngrohtë.

Jeta ime është ngushtuar, por ende mban emrin tim.

Në vend që të pyes kush e ka ndërtuar murin kaq pranë trupit tim, lëviz mobiljet dhe përpiqem të fitoj edhe pak hapësirë. Nuk jam vetëm e burgosura e kësaj dhome. Jam edhe ajo që ka zgjedhur perdet, që ka varur fotografitë, që ka kërkuar një bravë të fortë dhe është qetësuar nga zhurma e saj.

Nuk mund ta akuzoj murin pa prekur edhe duart e mia.

Gjurmët e mia janë edhe mbi tullat.

Në ashensor përshëndetem shkurt me fqinjin. E di se ai sipër e ka ulur ngrohjen. Kam dëgjuar fëmijën e tij të qajë natën, kollën e gruas, grindjen e tyre për paratë. Edhe ai, ndoshta, më ka dëgjuar mua. Muret janë aq të holla sa të na zbulojnë jetën dhe mjaftueshëm të trasha sa të mos na bashkojnë.

Kur dera hapet, secili del në katin e vet.

Askush nuk pyet gjë.

Nuk është vetëm pushteti që na ndan. Është edhe ajo pak siguri që secili ka arritur të mbyllë pas derës së vet. Fqinji nuk është vetëm njeriu me të cilin ndaj të njëjtën ngushticë. Është edhe mundësia që kjo ngushticë të marrë fytyrë, të më kërkojë diçka, të më detyrojë të hap derën.

Më lehtë është ta dëgjoj kollën e tij përmes murit.

Më lehtë është të ul ngrohjen time.

Në mëngjes, drita e bojlerit ndizet përsëri.

Uji vjen nëpër tuba. Telefoni dridhet. Nga ekrani mund të shoh një vullkan, një luftë, një reklamë për një jetë tjetër. Dal nga shtëpia, mbyll derën dhe zbres me përshtypjen se dita është ende e paprekur.

Blej bukën me çmimin e ri.

Punoj sipas një ore që nuk e kam shpikur.

Paguaj për vendime që nuk i kam marrë.

Por në mbrëmje, kur kthehem në të njëjtin ashensor dhe shoh fytyrën time nën dritën e ftohtë, nuk mund të them më se jeta ime ka lëvizur vetëm sipas një dore të padukshme.

Dora ime ka qenë aty.

Ka firmosur.

Ka mbyllur derën.

Ka rrotulluar rubinetin dhe ka pritur ujin e ngrohtë.

Kur hyj në shtëpi, nuk e ndez menjëherë dritën. Qëndroj disa sekonda në errësirë, me çelësat ende në dorë. Nga kuzhina vjen drita e vogël e bojlerit.

E verdhë. E qetë. E saktë.

Për një çast mendoj ta fik.

Pastaj kujtoj ujin e ftohtë të mëngjesit.

Dhe e lë ndezur.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull