Prokuroria e Posaçme ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në procesin gjyqësor për dosjen e “Sterilizimit”.
Gjatë seancës, prokurori Edvin Kondili u shpreh se kërkesat e Beqajt, përmes të cilave kundërshtohen akuza dhe veprimet procedurale të organit hetues, janë të pabazuara në ligj dhe duhet të rrëzohen.
Sipas SPAK, në shumicën e rasteve pretendimet e të pandehurit kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimeve, në seancën paraprake dhe në vendimin e gjykatës që pranoi kërkesën për kalimin e çështjes në gjykim.
Lidhur me kërkesën për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës, SPAK argumentoi se ajo nuk mbështetet në ligj.
“Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak me vendimin për pranimin e kërkesës për gjykim”, u shpreh prokurori.
Sa i përket pretendimit të Beqajt se akuza për vjedhje nuk provohet, prokuroria tha se i pandehuri nuk paraqet kërkesa konkrete, por ngre pyetje që, sipas saj, janë sqaruar dhe do të trajtohen në konkluzionet përfundimtare të palëve.
Në lidhje me kërkesën për pavlefshmërinë e akuzës për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, prokuroria vlerësoi se akuza është e bazuar në ligj dhe se burimet e provës, faktet dhe vlera e dëmit të pretenduar ndaj shtetit janë trajtuar gjerësisht në vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake.
SPAK kundërshtoi edhe pretendimin e Beqajt për mungesën e kontratës origjinale të prokurimit. Sipas prokurorisë, kontrata origjinale nuk është gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, çka përbën shkelje administrative, por është administruar një kopje e njësuar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Për këtë arsye, organi i akuzës kërkoi rrëzimin e kërkesës së Beqajt, duke argumentuar se mungesa e kontratës origjinale në ministri nuk e bën të pavlefshme provën e administruar në proces.

