Nga Ag Apollon-
“Odiseja” është një nga katër veprat themelore të traditës epike botërore (bashkë me “Gilgameshin”, “Mahabharatën” dhe “Iliadën”) dhe një nga dy veprat mbi të cilat është ngritur qytetërimi perëndimor.
Homeri vetë (pavarësisht çështjes së pazgjidhur të autorësisë) ka zënë vend në krye të letërsisë botërore.
Shumica e studiuesve pajtohen që “Odiseja” është më interesante sesa “Iliada”, jo vetëm për arsye kompozicioni dhe aksioni, por edhe për çështje stili e reflektimi.
Përderisa “Iliada” flet për rrethimin e Ilionit (Trojës), “Odiseja” flet për Odiseun, emrin e të cilit romakët e përkthyen si Uliks. Të flasësh për “Odisenë” domethënë të hysh në debatin më të madh perëndimor të njohur si Çështja homerike, ku përfshihen tema mbi autorësinë, gjuhën, letërsinë, historinë, politikën, mitologjinë, religjionin, origjinën, antropologjinë dhe shumëçka tjetër. Prandaj këtu po bëj vetëm një koment të shkurtër për filmin që bazohet në këtë ep: “The Odyssey” nga Christopher Nolan.
Vetëm ideja që dikush po e bën film “Odisenë” e Homerit duket si “çmenduri”. Janë bërë përpjekje edhe më parë, por kanë mbetur në nivel të përpjekjes. Për mua, më i miri ka qenë ai që më së paku i ngjan Homerit: “O Brother, Where Art Thou?” nga Coen Brothers. Christopher Nolan u tregua i çmendur mjaftueshëm për t’i hyrë realizimit filmik të këtij epi homerik. Për këtë, ai meriton t’i hiqet kapela. Nuk bëhet fjalë për adaptim të dështuar të Homerit, por për adaptimin besnik më të suksesshëm deri tash. Megjithatë, kjo nuk e bën as të përsosur, as të barasvlershëm me epin e lashtë, jo vetëm pse Homeri i verbër sheh më qartë e më thellë sesa Nolani, por edhe për arsye se regjisori jep një film për shikuesit, ndërsa shkrimtari, me të njëjtën vepër, jep nga një film për secilin shikues. Pastaj s’duhet të harrojmë edhe aurën mijëvjeçare që ka poeti, të cilit s’kanë mundur t’i konkurrojë askush nëpër shekuj e mileniume.
Gjithsesi, pa hyrë në këto diskutime të pafund, mund të thuhet se Christopher Nolan ka bërë një adaptim mjaft interesant, që do të mbetej model për filmat mbi Homerin, sikur të mos kishte disa lëshime që lidhen me vizionin e tij. Ai është mjeshtër i regjisë, por nuk është mjeshtër i skenarit dhe nuk është regjisor-filozof si Bergman, Kubrick apo Coppola, të cilët ta pasurojnë botën me vizionin e tyre. Është e qartë që Nolani e ka lexuar me kujdes Homerin për ta ndërtuar boshtin kryesor të tregimit (story-line), mirëpo disa skena nuk i ka motivuar mjaftueshëm. Për shembull, ikja e Odiseut nga shpella e Polifemit është diçka naive (ciklopi mban dorën pezull dhe i bindet regjisorit për të mos i kapur ata që dalin jashtë), kurse heqja e lojës së prezantimit të dyfishtë të Odiseut para ciklopit (në fillim, prezantohet si “Askushi”, mandej kur shpëton, i bërtet nga deti se ai që e verboi është Odiseu, biri i Laertit), që tregon aftësinë për dinakëri dhe etjen për lavdi, e varfëron sa episodin, aq edhe karakterin; në ishullin e Lestrigonëve, gjigantët janë të veshur krejt në hekur (sikur s’u mjafton diferenca trupore, e cila i mjaftoi Polifemit për t’i tmerruar); takimi me të vdekurit është përmbysur dhe, rrjedhimisht, varfëruar kuptimisht: në vend se të shkojë Odiseu nën tokë, të vdekurit dalin mbi tokë. (Odiseu është ndër të rrallët në mitologjinë greke që shkon për së gjalli në botën e të vdekurve dhe kthehet. Mirëpo, kjo nuk ndodh në film. Duket se, meqë nën tokë është terr, regjisori i ka nxjerrë të vdekurit jashtë për t’i xhiruar në dritë të hënës). Gjithashtu, raporti i Odiseut me Kalipsonë nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga regjisori. E, mos të flasim më për Helenën, që as si provokim nuk funksionon. Regjisori insiston që Lufta e Trojës nuk ka ndodhur për Helenën dhe që Odiseu nuk është përmalluar për Penelopën. Madje, këtë të dytën e thotë edhe tekstualisht. Kjo domethënë që, ai përpiqet ta kthejë në arsye pushteti krejt mitologjinë poetike. Agamemnoni dëshiron ta pushtojë Trojën, jo për kunatën e tij, por për të treguar që është ‘baba’ i krejt grekëve. Sikur mos ta bënte këtë, ai s’do të ishte pasardhës i denjë i Atridëve (atridë – njerëz që nuk kanë frikë). Kurse, Odiseu duhet të kthehet në Itakë për fronin që po i rrezikohet.
Një skenë, që, për mua, funksionon bukur është: kur Odiseu më shokë, pasi dalin nga kali i drunjtë, hap portën dhe përballë duket Agamemnoni. Edhe pse duket pak si Batman, pozita dhe dukja e tij ashtu para portës së Trojës mjaftojnë për të kuptuar që Trojë më s’do të ketë. Poeti aty do të kishte përdorur elipsën, sepse pushtimi nënkuptohet, mirëpo regjisori don spektakël. Shfaqja e Agamemnonit veç aty në portë (dhe në Had), mosshfaqja e Helenës fare, dhe një raport më erotik dhe emocional të Odiseut me Kalipsonë dhe Penelopën, do ta bënin filmin shumë më të bukur.
Sigurisht, me ndonjë asistencë në skenar dhe me ndonjë lexim filozofik të epit, filmi do të kishte edhe ‘catchphrases’ (sentenca për t’u mbajtur mend), edhe paralele më interesante me kohën tonë. Sidoqoftë, Christopher Nolan është treguar ‘atrid’, duke u përballur me një gjigant si Homeri.

