Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për koncertin e këngëtarit Kanye West që do të zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga skena e ngritur për eventin, duke shkruar se “stadiumi i koncertit është gati” dhe se kjo ngjarje do të vendosë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të adhuruesve të muzikës.
Kreu i qeverisë ka rikthyer vëmendjen edhe te kritikat për fondin prej 4 milionë eurosh të akorduar për organizimin e koncertit përmes një akti normativ. Rama është shprehur se kjo shumë nuk duhet parë si shpenzim për një natë, por si një investim që, sipas tij, do të rikthehet përmes rritjes së numrit të turistëve, konsumit dhe të ardhurave për ekonominë.
“Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, ndërkohë që vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit, një koncert i përmasave të tilla nuk është vetëm një aktivitet artistik, por edhe një formë marketingu ndërkombëtar për Shqipërinë. Ai theksoi se ngjarjet kulturore dhe sportive sjellin zhvillim ekonomik dhe ndikojnë në promovimin e vendit si destinacion turistik.
“Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj”, përfundoi Rama në reagimin e tij.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për përdorimin e fondit rezervë për financimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Gjatë një bashkëbisedimi online, Berisha e cilësoi vendimin për akordimin e 4 milionë eurove si antikushtetues dhe pretendoi se fondi i emergjencës është përdorur për një aktivitet privat.
“Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe këtë fond që i është besuar për ta përdorur për emergjenca, urgjenca dhe raste tepër të veçanta, e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij. Ky është një krim antikushtetues”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se paratë e rezervës së qeverisë nuk mund t’i jepen një koncerti privat dhe akuzoi kryeministrin Rama se nuk respekton ligjin dhe Kushtetutën.
“Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale”, deklaroi Berisha.

