Nga Aleksandër Çipa
Gazetarin e racës Stefano Marcellin e njoha përmes dy lloje takimesh.
Takimi i parë ish pa e parë: përmes teksteve në shtypin e shkruar.
Takimet e dyta ndodhën përmes disa rastësish dhe planifikimesh nëpër tavolina…
Meritën njohëse ia blatoj zonjës së tij, koleges së zonjë Gerta Zaimi.
Kish qenë nune e takimeve të para Elsa Ballauri.
Sot Gerta nuk më dha njoftim thjesht sikundër besoj ka njoftuar gjithë miqtë dhe mikeshat e veta, por lajmin e pikëllimtë ma ambalazhoi me një shkrim aq të sqimtë, redaksional i Albanianpost.al “ Lamtumirë Stefano Marcelli!”
Në mënyrë të rrufeshme iu përgjigja, natyrisht i kapluar prej pikëllimit për humbjen e një miku që po e njihja si dhe ashtu siç nuk ngjet rëndomë. Kishim ndërprerë në pikun e njohjes mes nesh, komunikimin asimetrik mes riparjeve dhe tokjeve të duarve dhe leximit dhe bashkëbisedimeve të lira. Kisha firuar mundësinë e njohjes me një gazetar profesionist në çdo qelizë dhe në çdo skutë të ndërgjegjes veriake. Nje opinionist par exelence që ka sjellë në online-t shqiptare një kukturë dhe valencë shkrimore të pakrahasueshme për nga talenti dhe morfologjia antroposhkrimore. Pér mua ato ditë takimesh, ato orë ndenjiesh bashkebisedimore dhe ato mbrëmje shëtitjeje nga Tirana në Gjirokastér e gjetkë, janë hise dhe orë leksionesh të hapura, prej një mentori dhe sidomos prej një intelektuali ala Kalvino që drejtgjykoi Shqipërinë lindoro-perëndimore dhe shoqërinë e saj si homotranzicioniste me kahje të pambërritshme europiane.
Gertës, bashkë me fjalët ngushëlluese i përcolla: “Ato pak kohë që kemi qëndruar dhe kaluam së bashku, mbeten dhe do të mbeten në mendjen time, si momente të një fati komunikues. E dija që brenda tij, në thellësinë e mendjes, të përvojave dhe dijeve të tij, ishin thellësi dhe asete të pakapshme dhe të çmueshme, sidomos për një gazetar shqiptar, si unë. Sa shumë tema hapëm dhe sa shumë diskutime premtuam, por i hapëm për të na i mbyllur largimi i beftë i tij…”
Stefano Marcelli e mbylli kohën shkrimore në Shqipëri, duke qenë mentor indirekt dhe për shumë miq që i njohu dhe i takoi e ritakoi në Shqipëri, kryesisht në Tiranë. Mbarti një përvojë pesë dekadëshe në profesionin tonë. Firence, qyteti i tij i lindjes e njohu sepse ju imponua si profesionist dhe i përkorë, ashtu si i investohen bijtë e saj të ditur në çdo kohë. Kaloi nëpër lartësimin profesionist si reporter, duke lënë dhe shtuar një memorie kolektive dhe kombëtare për cilësitë dhe meritat raportuese si reporter. Përvoja e tij vlershmërisht kaloi dhe u pasurua e pasuroi newsroom-et më prestigjioze italiane: Si reportar special, drejtues në RAI, president i Information Safety and Freedom (ISF). Raportoi dhe pércolli në terren si reporter luftërash, revolucione dhe shndërrime, përmbysje dhe kapërcime politike.
Stefano e njohu Shqipërinë në mënyrën e vet. Nuk respektoi marrëdhënien pamore me imazhet dhe sidomos fasadat e saj. Depërtoi në thellësitë reale dhe në cektësitë komike të shqiptarëve. Duke shkruar për realitetin politik dhe gjeopolitik shqiptar, ballkanik dhe europian, Stefano na solli modelin e një analisti të formuar, e një dijetari në gjueti të vijueshme dijesh dhe sidomos e një zotëruesi që lartësoi imazhin e virtytshëm të sokratikut që e di se beteja me dijen dhe njohjen janë si betejë hipotekuese e qiellit!
Në një cikël aq të përkorë opinionesh dhe analizash, artikujsh dhe qasjsh, Stefano nuk hezitoi të kritikojë sëmundjet e sotme të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, sikundër edhe të jetë më realisti ndër të shprehur me shkrim, për korrupsionin në Tiranë, krimiin e organizuar në Shqipëri, për podiumet mediatike të injorancës dhe pacilësishmërinë e diskutimit dhe debatit politik në këtë vend.
Stefano kapërceu shumë kolegë të vet, me peshën dhe thellësinë shterruese në analiza për Ballkanin, Evropën, Rusinë. Ishte dhe mbetet në kësi tekstesh, autori me njohje specifike dhe konkluzione preçize për Kosovën, Shqipërinë dhe dhe shqiptarët në rajon.
Stefano e çmonte gazetarinë jo si spektarore të historisë, por si dëshmitare faktologjike të saj.
Gazetari Stefano Marcelli ndër të tjera, mbetet prindi që tek dy fëmijët e vet, la Shqipërinë e tij, si Italinë e vërtetë. Bija e vet Sofia dhe djali Andrea, të lënë në fatin e mëvetësishëm të bashkëshortes Gerta, janë një aset intelektual edhe për Shqipërinë. Diti të krijonte, të jepte, të mendonte dhe të linte!
Stefano Marcelli ishte gazetari që ushqente bindjen për shoqërinë e mendimit dhe sidomos triumfin e arsyetimeve. Në kohën e gjatë të ushtrimit të profesionit të gazetarit nuk rreshti së mbajturi fort pas kësaj bindjeje. Dhe ia doli të lartësonte mirënjohjen për cilësishmërinë e lëndës raportuese dhe sidomos asaj gjykuese, për çka i duhej të shprehej dhe për çka i duhej të informonte.
Në takimin tonë të fundit më tha se po na mbetet i çelur diskutimi ynë për dilemën: Fituan apo humbën shqiptarët nën perqndorinë osmane?! E mbyllëm tek fjalia e fundit: Fituan shumë shqiptarë, por firuan shumë e më shumë mundësi për të ardhmen. Ndodhi në atë kihë të gjatë humbja e rrënjës dhe rrënjëzimi tjetër. Tani, i dashur Stwfano, nuk e vazhdojmë më këtë temë dhe asgjë prej gjëje tjetër. Unë nuk besoj tek e thëna se shpirti takohet me shpirtin. Besoj tek e thëna jote:” Il giudizio, come sempre, solo ai lettori.” (Gjykimi, si gjithmonë, u takon vetëm lexuesve.”)
Lamtumirë o mik, që na ndërpreve njohjen!!!!
Lamtumirë o mik, që na ndale ritakimin!
Lamtumirë o mik, që na ndale ritakimin!

