Nga Gjergj Erebara-
Media jonë fort e pavarur u shfaq disi entuziaste për padinë e ngritur nga “familja” Çela ndaj prokurorit Altin Dumani, aq entuziaste sa harroi të na japë dy fjalë informacion se kush është Suel Çela dhe kush, Altin Dumani.
Familja Çela raportohet se ka ngritur padi për shpifje në Itali ndaj Altin Dumanit. SPAK bëri të ditur më vonë se e sheh këtë padi si një manovër procedurale, synimi final i së cilës duket se është detyrimi i Dumanit që të tërhiqet nga pozicioni i prokurorit mbi këtë çështje.
Ndoshta duhet të rikujtohemi se Altin Dumani është prokurori që ka hetuar deri më sot, disa nga çështjet më të forta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke filluar me dosjen “Arben Ahmetaj”, akuzuar për korrupsion, “një dosje për të cilën Rama shpalli pamundësinë për të mbrojtur Ahmetajn në parlament”, te dosja më e fundit, ajo për pastrimin e parave dhe trafikun ndërkombëtar të drogës të Vëllezërve Koçeku e ndërtuesit Ilir Shtufi, dosja më e madhe kundër pastrimit të parave në vend. Dhe Dumani dhe prokurori Vladimir Mara, kanë edhe çështjen kundër Suel Çelës e të tjerëve.
Suel Çela ka gjithashtu famën e tij. Ai u bë emër i njohur në publik në vitin 2017. Nëse e keni harruar, ngjarja ndodhi në derën e tregut të Elbasanit, kur një makinë e blinduar goditi një automjet të policisë, jo se kishte kurajë ta bënte, por se ashtu ishte puna. Rezultoi më vonë se dy banda ishin në luftë me njëra-tjetrën, (në Elbasan ka shumë banda të tilla paralelisht), dhe, policia u gjend në mes. Automjeti i policisë kishte zënë hyrjen e tregut industrial nën pronësinë e Çelës, kur u godit nga makina e blinduar e cila hyri në treg. Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara në atë kohë, shfaqën oficerët e policisë që, pasi ishin goditur, mbetën te pragu i tregut, pa guxuar të hyjnë në të për të ndjekur goditësin, a thua se ishin para një barriere të padukshme.
Çela doli i pafajshëm për atë ngjarje dy vjet më vonë, kur gjykata konkludoi se ai nuk gjendej në makinën e blinduar. Por ngjarja shfaqi atë që dihej prej kohësh. Policia në Elbasan nuk e kontrollon territorin. Krimi i organizuar e kontrollon.
Çela u shpall në kërkim në vitin 2020 dhe ka qenë formalisht në kërkim që nga ajo kohë, akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, trafik të 930 kilogramëve kokainë, korruptimi i gjyqtares Pajtime Fetah, e të tjera.
Figura e Çelës si kryetar i një grupi kriminal (një nga së paku pesë grupe të njohura me aktivitet në Elbasan), është e veçantë nga të tjerat për shkak të kontrollit të territorit që ai duket se ushtron në këtë qytet. Dosja e SPAK kundër tij detajon mënyrën se si një rrjet kamerash kontrollon qytetin e Elbasanit për llogari të Çelës, përfshirë lëvizjet e policisë dhe lëvizjet e rivalëve. Se si qytetarët e Elbasanit gjenden në një qytet të kontrolluar, jo nga forcat policore, por nga krimi i organizuar. Se si, zyrtarë të ndryshëm të policisë në Elbasan ishin në shërbim të organizatave kriminale rivale.
Revolucioni i Flamingove, duhet të rikujtohemi, nisi më 30 maj në Zvërnec dhe që në fillim ishte, mes të tjerash, një kryengritje e shqiptarëve kundër krimit të organizuar. Misioni i revolucionit dukshëm nuk ka përfunduar ende.
Shihemi në shesh.

