Shanset e njëjta dhe mundësitë e barabarta. Roli i John Rawls në shtjellimin e Lea Ypit

5 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Ideja për të sjellë një seri analizash fare të shkurtra (i njoh kufijtë e durimit veror) rreth filozofisë politike të Lea Ypit mbi socializmin moral nuk ka aspak për qëllim të luaj rolin e ndërmjetësit midis autores dhe publikut shpeshherë refraktar shqiptar. Autorja që në fillim shpjegon se është e vetëdijshme për kundërshtitë që ngjall një emër i tillë, por nga ana ime shtoj se, ndonëse fillimisht krijohet përshtypja se jemi para një “déjà vu”-je, përsëri nuk mund të ecësh më tej pa shpjeguar shkurtimisht më parë idetë e një numri filozofësh klasikë e modernë, veçanërisht të E. Kantit dhe J. Rawlsit. Për K. Marksin nuk më duket se del nevoja, sepse rezulton se është pikërisht E. Kanti (dhe jo K. Marksi) shtylla kurrizore e shtjellimit të saj, ndërkohë që idetë e J. Rawlsit marrin rëndësi kapitale për “funksionimin” e tij (hipotetik, gjithsesi).
J. Rawls, revolucionarizoi filozofinë politike bashkëkohore në përpjekjen për të tejkaluar antagonizmin midis socializmit dhe kapitalizmit. Kjo, ashtu siç e kuptoj unë, është edhe arsyeja e interesit të veçantë të Ypit për të.
Testimin e drejtësisë sociale ai e realizoi me një thjeshtësi të habitshme. Rawls thotë se, meqë opinioni i secilit për drejtësinë sociale ndikohet së tepërmi nga vetë pozicioni i tij shoqëror (një i varfër jo domosdoshmërish ka të njëjtin mendim sikundër një i pasur), ai, për të arritur në një përfundim sa më objektiv, propozon “vellon e mosnjohjes”. Në këtë rast, një individ, le të themi edhe ne vetë, duhet të japim mendimin se si duhet të jetë drejtësia sociale, duke supozuar se nuk e dimë nëse jemi të pasur apo të varfër, të shëndetshëm apo të sëmurë, me talent apo pa talent etj. Pra, duhet të shprehemi pas një velloje që “fsheh” informacionin e mësipërm.
Sipas Rawlsit, të pozicionuar pas kësaj “mosdijenie”, gjykimi i një personi racional do të synonte një drejtësi sociale që zvogëlon rrezikun për më të dobëtit, por pa u hequr asnjë shans atyre që janë të talentuar e të zotë. Thënë me pak fjalë, do të synonim një drejtësi që nuk do të ishte ajo e një kapitalizmi ekstrem që përjashton vetiu më të dobëtit, por as e një komunizmi totalitar që nuk di të diferencojë dhe shpërblejë të talentuarit e të aftët.
E gjitha kjo shërben për t’u afruar te ideja që i intereson më shumë Ypit: natyra e drejtësisë sociale, shanset e njëjta dhe mundësitë e barabarta apo të barazvlefshme (zgjedhja e termave mund të diskutohet) që duhet të ketë çdo individ. Për Rawlsin, drejtësia sociale nuk duhet të mbështetet në një barazi të njëjtë për të gjithë, por në mundësi të barazvlefshme për të gjithë (equality vs equity). T’u japësh të gjithëve të njëjtën gjë, pa mbajtur parasysh nevojat apo problematikën e secilit, nuk është e drejtë, këmbëngul Rawls.
Por, nga ana e saj, Ypi, një njohëse e shkëlqyer e këtij filozofi amerikan të viteve ’70, mendon se aplikimi i këtyre ideve në nivel kombëtar është i pamjaftueshëm për të zhdukur padrejtësitë në nivel botëror, shfrytëzimin transnacional, emigracionin etj. Pra, kuptohet se socializmi moral i Leas është një “ekstension kosmopolit” i ideve të Rawlsit, të cilin ajo e sheh edhe si trashëgimtar të E. Kantit idetë e të cilit kanë rol veçanërisht të rëndesishëm ne teorinë e saj.
Në një rast tjetër, duke shpresuar se do të bjerë shi (se po nuk ra, përparësia ime është hallakatja me biçikletë nëpër kodrat e Flandrës), do t’i kthehemi problemit të rëndësishëm, për të cilin shpresoj se shtrova pak rrugën: rolit të vetë E. Kantit në shtjellimin filozofik të L. Ypit. Ndonjë nga miqtë e mi këtu besoj se e kujton një postim timin mbi moralin kantian, që, ndryshe nga sa e prisja, ngjalli një diskutim mjaft interesant. Shpresoj të ruaj të njëjtën thjeshtësi e qartësi paraqitjeje të atij tipi të vështirë. Se, në fund të fundit, problemi i vërtetë i filozofisë sot nuk është gjetja e literaturës dhe burimeve (gjë që dikur e vuanim aq shumë), por qartësia e paraqitjes. Si ish pedagogë përvoja bën të ndihemi disi të privilegjuar:-))

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull