AfD i ka fituar me rezultat të ngushtë zgjedhjet për parlamentin rajonal të landit Mecklenburg-Vorpommern. Pas saj renditet Partia Social-Demokrate SPD. Sipas përllogaritjeve më të fundit AfD-ja arrin 37,9 për qind të votave, ndërsa SPD-ja 35,7 për qind, duke humbur për herë të parë pas 28 vitesh statusin e partisë më të fortë në këtë land.
Për CDU-në gjendja është dramatike, sepse mund të mos hyjë në parlamentin rajonal. Të Gjelbrit duket se e sigurojnë hyrjen në parlament, ndërsa partia BSW ende shpreson.
AfD shënon rritje të fortë
Me një rezultat edhe më shumë se dyfishin krahasuar me vitin 2021 AfD-ja arrin rezultatin më të mirë deri tani në landin Mecklenburg-Vorpommern. Gjatë fushatës zgjedhore ajo paraqit kryesisht në mënyrë të moderuar, duke premtuar përmirësime dhe lehtësime për qytetarët. AdD-ja duket se ka përfituar edhe nga pakënaqësia e madhe ndaj qeverisë federale.

Megjithatë AfD-ja në këtë land nuk arriti një fitore të qartë me diferencë të madhe ndaj partive të tjera, siç ndodhi dy javë më parë në Saksoni-Anhalt.
Lehtësim te SPD-ja, pasiguri te CDU-ja
Me 35,7 për qind SPD-ja ka arritur një rezultat çuditërisht të fortë. Ndonëse socialdemokratët kanë pësuar humbje dhe nuk i afrohen më pothuajse 40 për qindëshit të vitit 2021, tek ta mbizotëron lehtësimi. Muajt e fundit ata arritën të ngushtojnë dukshëm diferencën e madhe që kishin ndaj AfD-së në sondazhe.

CDU-ja po përjeton një fiasko. Sipas parashikimeve CDU-ja mund të arrijë vetëm 5,0 për qind të votave. Ky është rezultati më i dobët i CDU-së në zgjedhjet parlamentare të një landi që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë. Me një rezultat të tillë hyrja e saj sërish në parlamentin rajonal është seriozisht në pikëpyetje.
Në Berlin fiton E Majta
Partia E Majta (Die Linke) ka fituar bindshëm zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve në Berlin dhe do të hyjë për herë të parë në Bashkinë e Kuqe të Berlinit. Kandidatja kryesore e saj, Elif Eralp, mund të marrë postin e kryetares së qeverisë së landit Berlin. Sipas përllogaritjeve në zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve të Berlinit, 25,3 për qind e votuesve votuan për Partinë e Majtë, e cila tradicionalisht gëzon mbështetje të fortë në kryeqytet. Ky është rezultati më i lartë në historinë e kësaj partie në Berlin. Rekordi i mëparshëm i së Majtës datonte nga zgjedhjet e vitit 2001.

Kandidatja kryesore e partisë E Majta, Elif Eralp, tani mund të shpresojë se do të udhëheqë në të ardhmen qeverinë e këtij qytet-shteti. 45-vjeçarja me origjinë turke e përqendroi fushatën e saj kryesisht te çështja e strehimit dhe e qirave.
Eralp: Kalim në pronësi publike i shoqërive të banesave
Tema e saj më e rëndësishme zgjedhore është gjithmonë e dukshme: Eralp mban shpesh në qafë një varëse të artë me mbishkrimin “Mietendeckel” (tavan për qiratë), simbol i angazhimit të saj për kufizimin e rritjes së çmimeve të qirasë.

Në një intervistë për televizionin publik gjerman, ARD, ajo njoftoi se tani synon të ndërmarrë hapa për kalimin në pronësi publike të shoqërive private të ndërtimit dhe të menaxhimit të banesave. Ajo tha se dëshiron ta çojë përpara procesin e vendosjes së këtyre kompanive të mëdha të banimit nën kontroll publik.
CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme dhe me shumë gjasa do të largohet nga Bashkia e Kuqe, selia e qeverisë së Berlinit. AfD-ja shënon rritje votave, ndërsa Të Gjelbrit dhe SPD-ja humbasin vota, në disa raste në mënyrë të konsiderueshme.





